PËRSONALITETE TË KULTURËS ISLAME 
QË KANË JETUAR E KONTRIBUAR NË FUND TË SHEK.XIX - GJYSMA E PARË E SHEK. XX. 
 
 
ISMAIL NDROQI 
Një Jetë Kushtuar Islamizmit Dhe Çështjes Kombëtare
 
 

Diaspora shqiptare e Stambollit qe shumë aktive gjatë fundit të shekullit të kaluar dhe dhjetëvjeçarit të parë të shekullit tonë. Lëvizjen rilindëse shqiptare atje e përkrahnin dhe e ndihmonin edhe studentët e shumtë që vazhdonin shkollat dhe medresetë e kryeqytetit të Perandorisë, si dhe fakultetet e Universitetit të Stambollit. Aty studionin disa dhjetëra talebe për hoxhallarë, juristë, mjekë, ushtarakë etj. Në këtë periudhë bënte studimet e mesme dhe ato të larta edhe Ismail Ndroqi.
Pas revolucionit të turqve të rinj, shumë studentë, laureatë dhe intelektualë shqiptarë, të mbushur me ideale kombëtare, u kthyen në atdhe të vendosur për të luftuar për pavarësinë e Shqipërisë. Një ndër ta ishte dhe Ismail Ndroqi, që kishte mbaruar studimet fetare në Medresenë e lartë të Stambollit . Ai u kthye në atdhe më 1908, tashmë i pjekur dhe plot dëshira për t’i shërbuer atij.
Me t’u kthyer në atdhe u radhit në trupin mësimor të medresesë së Tiranës, ku punoi 5 vjet. 
Si intelektual, zhvilloi, krahas edukatës fetare, edhe veprimtari patriotike. Nxënësit dhe një pjesë e popullit mësuan prej tij, gjatë kësaj kohe, gjuhën shqipe dhe historinë e kombit. Këtë punë ai e bënte fshehurazi. Me veprimtaritë që zhvilloi në dobi të lëvizjes kombëtare, u ingranua në të dhe u bë shpejt një nga anëtarët më aktivë për zonën e Tiranës.
Viti 1912 qe, për të, viti që vulosi qëndrimin e tij në dobi të pavarësisë shqiptare. Ai u solidarizua plotësisht me nismën e Ismail Qemalit. Qe nga më kryesorët që ngriti flamurin kombëtar në Tiranë. i ofroi ndihmë Ismail Qemalit dhe punoi për zbatimin e direktivave të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Këto veprimtari ngjallën armiqësi tek Esat Pashë Toptani, i cili, për të menjanuar dhe për të izoluar veprimtarinë e tij, u bë faktor që ai të transferohej myfti në Shijak (1913-1914) e pastaj në Kavajë (1914-1915). Megjithatë, popullariteti i tij u rrit dhe, më 1916 emërohet myfti në Tiranë.
Niveli i lartë fetar i tij, si dhe aftësitë organizative të treguara gjatë periudhës 1908-1916, bënë që ai të zgjidhej kryetar i Katundarisë (Bashkisë) së Tiranës.
Gjatë kohës që kryesoi bashkinë u përpoq për hapjen e shkollave shqipe, organizoi batalionin vullnetar të Tiranës, që mori pjesë në Luftën e Vlorës dhe mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës. Ai gjithashtu qe kundërshtar i lëvizjes esadiste. Në prill të vitit 1920 iu drejtua Konferencës së Paqës, me kërkesën për të njohur kufijtë etnikë të Shqipërisë. Këtë dokument të rëndësishëm e nënshkroi ai vetë në emër të tridhjetëmijë vetave që morën pjesë në miting.
Konseguent në idealin e tij për një Shqipëri që përfshinte krejt trojet shqiptare, ai iu drejtua edhe një herë qeverive evropiane me një telegram, në tetor të vitit 1921, ku theksonte se populli shqiptar nuk do të njihte asnjë vendim diplomatik që do të cenonte kufijtë e Shqipërisë.
Si klerik i lartë mysliman e një intelektual i mirëfilltë, iu kundërvu intelektualëve dhe besimtarëve obskurantistë dhe fanatikë. Në vitin 1928, ai u tërhoq nga jeta politike dhe iu kushtua plotësisht shërbimit fetar. Gjatë periudhës 1928-1939 shërbeu si myfti i Durrësit, ku mbajti shumë vaze me nivel të lartë teorik. Populli i Shqipërisë së Mesme e përcolli me nderime të mëdha, duke e konsideruar si një nga bijtë e tij më të nderuar.