HAXHI
HAFIZ ISMET DIBRA
I
Arrestuar Për Bindje Fetare
Dibra
është vendlindja e Haxhi Hafiz Ismet Dibrës, Stambolli është
vendi ku bëri studimet e larta. Tirana është vendi ku zhvilloi
veprimtarinë e tij. Revista "Zani i Naltë" është tribuna
ku shpalosi njohurit e tij në fushën e legjislacionit islam,
të filozofisë islame, tefsirit, hadithit, logjikës, teorikës
etj. Medreseja e Lartë e Tiranës qe institucioni ku ai zbatoi
në praktikë edukatën islame dhe mjeshtërinë e
mësimdhënies. Kishte një kulturë të gjerë,
një qëndrim demokratik dhe patriotik. Zotëronte më
së miri gjuhën arabe, perse dhe atë turke.
Kur
mbaroi studimet i ofruan katedren në një shkollë të
lartë të Stambollit, por ai e refuzoi, duke parapëlqyer
të shërbente më mirë në atdhe. Ai është
drejtori i dytë i Medresesë së Lartë të Tiranës
pas Qamil Balës. Duke ndjekur traditat e të parit aktivizoi trupin
mësimor, përsonel të përgatitur siç qenë:
Hafiz Ali Korça, Haki Sharofi, Sheh Qazim Hoxha etj.
Në
tërë veprimtarinë e tij ai udhëhiqej nga mësimet
e Kur’anit dhe në përshtatje me përbërjen e popullit
shqiptar ai nisej nga toleranca në mes besimeve dhe besimtarëve.
Medreseja e Lartë e Tiranës, e drejtuar nga I.Dibra, ruante dhe
vazhdonte traditen e edukimit të nxënësve, krahas asaj të
fesë, dhe të frymës patriotike dhe kalitjes së ndërgjegjës
kombëtare.
I.Dibra
vizitoi varrin e Profetit (a.s.) dhe fitoi të drejtën të
quhej Haxhi.
Në
vitet ’30 të shekullit tonë zhvilloi një aktivitet të
gjerë intelektual, fetar e patriotik. Janë të përmendura
ligjëratat e tij të njëpasnjëshme që patën
për subjekt temen "A ka dyshim në qenien e Zotit?". Në këto
ligjërata Hafiz Ismet Dibra, duke u mbështetur në ajetet
e Kur’anit, zbërtheu shumë teza dhe koncepta që në
ato vite ishin bërë objekt bisede në qarqet intelektuale.
Ligjëratat bënin pjesë në luftën që kleri
islam po i shpallte ideve komuniste, që kishin filluar të përhapen
në Shqipëri. Hfz. Ismet Dibra iu referua shumë figurave
të shquara të rrymave të ndryshme filozofike si: Dekartit,
Berksonit, Spenserit etj.
Më
vonë ato ligjërata u botuan në faqet e "Zanit të Naltë"
dhe më 1993 u botuan edhe në Miçigan të SHBA-së.
Pushtuesit fashistë dhe ata gjermanë, më vonë, i ofruan
ofiqe dhe dekorata, por ai, ashtu si më 1919 që nuk pranoi postin
e profesorit të katedres nga Turqia, edhe kësaj radhe nuk pranoi
nga pushtuesit e rinj asnjë dekorim, as post. Pushteti komunist, të
cilit ai iu nënshtrua, e arrestoi në moshen 60 -vjeçare
dhe e dënoi pa asnjë arsye, por vetëm për bindjet e
tij fetare, antimaterialiste, me 12 vjet heqje lirie, të cilat i bëri
si shumë e shumë të tjerë në burgjet e diktaturës
komuniste. Vdiq në moshën 69- vjeçare.