Dr. MUSTAFA MAHMUD
DIALOGU
ME
MIKUN ATEIST
Logos-A
Shkup 1996/1416
Titulli në boshnjakishte:
Dijalog s prijateljem
Përkthyen:
Nexhat Ibrahimi
Miftar Ajdini
Muhidin Ahmeti
Copyright© by Logos-A 1996
CIP - Katalogizacija vo publikacija
Narodna i univerzitetska biblioteka
"Kliment Ohridski" - Skopje
297:211
MAHMUD, Mustafa
Dialogu me mikun ateist / Mustafa Mahmud ; [përkthyen
nga boshnjakishtja Nexhat Ibrahimi, Miftar Ajdini, Muhidin Ahmeti]. - [botimi
2.]. - Shkup : Logos-A, 1996. - 140 str.
; 20 sm. - (Biblioteka Mendimi islam)
Prevedeno spored: Hivarun
me'a Sadiki el-Mulhid. -
Bibliografija: str.135-136
ISBN 9989-601-28-3
a) Islam - Ateizam
Mustafa Mahmud
DIALOGU ME MIKUN ATEIST
PARATHËNIE
PERSONALITETI
DHE VEPRA E DR. MUSTAFA MAHMUDIT
Dr. Mustafa Mahmudi u lind në vitin 1921 në
Egjipt. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Tantë,
kurse shkollimin universitar e mori në Fakultetin e Mjekësisë
të Universitetit të Kajros. I specializoi sëmundjet e mushkërive,
duke u bërë njëri ndër ekspertët më të
njohur për këtë lloj sëmundjeje në Egjipt. Mirëpo,
dëshira për afirmin letrar ishte më e fuqishme, prandaj
e lëshoi mjekësinë dhe iu përkushtua studimit letrar,
filozofik, sufistik dhe ideor.
Së pari u mor me letërsi; botoi disa vepra të
rëndësishme dhe të dalluara letrare, të argumentuara
me përsiatje filozofike, kurse të krijuara menjëherë
pas rev olucionit në Egjipt në vitin 1952. Botoi edhe disa tregime
të shkurta, prej të cilave posaçërisht janë
të dalluara: Ushqimi dhe jeta (1953), Zoti dhe njeriu
(1955), Apartamenti 7 (1955 dhe 1957), Një grup njerëzish
(1962), Era e gjakut (1965) etj. Më vonë botoi disa studime
mjaft të rëndësishme, siç janë: Iblisi
(1957), Enigma e vdekjes (1958), Enigma e jetës (1967),
Bijtë (1961), Ajnshtajni dhe relativiteti (1961) e të
tjera. Ai shkroi edhe artikuj me rëndësi të jashtëzakonshme
ndër të cilët dallohen: Mbi dashurinë dhe jetën,
të cilët janë botuar ndërmjet viteve 1951 - 1955, pastaj
Ditari i pasmesnatës i cili u botua në po të njëjtën
periudhë, etj. Romanet të cilat i shkruante e pushtonin publikun
dhe nxitnin kritikët e mëdhenj. Veçmas janë të
dalluara këto romane të tij: E pamundshme (1960), Opiumi
(1964), Merimanga (nga fillimi i vitit 1965), Dalja prej tabutit
(nga fundi i 1965), Njeriu nën zero (1966). Shkroi edhe pjesë
teatrore: Leka i Madh (në verë të vitit 1963), Tronditja
(në verë të vitit 1963), Njeriu dhe hija (1964),
Goma (dimër 1968), Djalli banon në shtëpinë
tonë (1973). Pastaj u botuan disa udhëpërshkrime të
rëndësishme të tij: Pylli virgjër (1963), Shpella
në shkretëtirë (1969), Qyteti ose Rrëfimi
i udhëtarit (është përmbledhje vëzhgimesh
për udhëtimet e tij ndërmjet viteve 1966 dhe 1968). Vepra
me titull Ma kanë pranuar në të vërtetë
është përmbledhje letrash të zgjedhura të cilat
lexuesit ia kanë dërguar në periudhën ndërmjet
viteve 1956 - 1959. Zgjedhja prej letrave të lexuesve ndërmjet
vitit 1956 dhe 1966 botohet me titullin Problemet e dashurisë.
Pastaj u shkruan Pranimet e të dashuruarve (1966) dhe Rruga
deri në Qabe (1971). Mustafa Mahmudi botoi edhe disa studime mjaft
të rëndësishme të cilat nxitën polemika jashtëzakonisht
të mëdha dhe të ashpra. Prej tyre veçanërisht
janë të njohura: Kur’ani - tentativë për të
kuptuarit bashkëkohor (1969) (në përgatitje edhe në
gjuhën shqipe), Peripecitë e mia prej dyshimit deri në
besim (1970) (në gjuhën shqipe i botuar në Prishtinë
më 1987 dhe i ribotuar në Shkup më 1994 e 1996), All-llahu
(1972), Djalli sundon (1970), Tevrati (1972), E kam parë Zotin (1973),
Shpirti dhe trupi (1973), Dialogu me mikun ateist (1974), Marksizmi dhe
Islami (1975), Muhammedi a.s. (1975) e të tjera.
Mustafa Mahmudi aktivitetin e tij të gjithanshëm e vazhdoi edhe
pas vitit 1975. (Ndonëse nuk kemi ndonjë pasqyrë të
saktë të veprave të tij, brenda kësaj dekade ka botuar
disa dhjetëra vepra me tematikë religjioze dhe ka incizuar mbi
50 diafilma. N.I.).
Duke e dhënë këtë pasqyrë të
shkurtër të veprave të publikuara të Mustafa Mahmudit,
kemi pasur për qëllim që lexuesit tanë t’i njoftojmë
me këtë shkrimtar, shkencëtar dhe mendimtar bashkëkohor
arab me erudicion jashtëzakonisht të madh, rruga jetësore
e të cilit është mjaft interesante, që përndryshe
më së miri mund të shihet prej zhvilimit ideor të cilin
ai e ka kaluar.
ZHVILLIMI
IDEOR I DR. MUSTAFA MAHMUDIT
Vështirë është që në një
vështrim të këtillë të shkurtër të thuhet
tërë ajo që do të duhej të thuhet për zhvillimin
ideor të Mustafa Mahmudit. Megjithatë do të përpiqemi
t’i shkoqisim së paku tendencat kryesore të këtij zhvillimi,
duke i reduktuar këto në katër:
a) Prej muzikës deri në mjekësi,
b) Prej aventurës deri në izolim,
c) Prej dyshimit deri në besim,
ç) Prej letërsisë deri në filozofi.
Këtu, së paku shkurtimisht, do të përpiqemi
të bëjmë fjalë për katër periudhat e zhvillimit,
në mënyrë që lexuesit tanë sadopak të njihen
me këtë personalitet mjaft interesant të botës bashkëkohore
islame.
a) Prej muzikës deri në
mjekësi
Qysh në shkollën fillore, pastaj në të
mesmen, Mustafa Mahmudin e tërhiqte muzika. Duke e lexuar dhe dëgjuar
Kur’anin frymëzohej me muzikalitetin dhe bukurinë e tij. Kjo
e shtyri që një ditë të blejë kitarën dhe
të fillojë të mësojë lojën me veglat muzikore.
Kitara shpejt iu bë pasion. Nga ana tjetër, prindërit e
tij njëmend dëshironin që të birin ta shohin në
El Ez’herin e njohur, e pastaj me xhybe dhe ahmedi. Mirëpo, muzikanti
i ri i theu të gjitha shpresat e tyre atë ditë kur maturoi
dhe shkoi të regjistrohet në fakultet. Pas kthimit prej Kajros,
i lajmëroi prindërit se është regjistruar në Fakultetin
e Mjekësisë në Universitetin e Kajros, duke ua bërë
me dije se ky vendim i tij është përfundimtar. Ja kështu,
Mustafa Mahmudi në një mëngjes shtatori u paraqit në
Fakultetin e Mjekësisë në të cilin më vonë
diplomoi dhe specializoi.
Askush nuk e dinte se pikërisht studimi i mjekësisë
aq fuqishëm do të ndikojë në Mustafa Mahmudin i cili
qysh në shkollë të mesme tregonte interesim të madh
për ateizmin. Ditë e natë lexonte, shkruante dhe diskutonte.
Profesorët e këshillonin që ta lërë mjekësinë
dhe t’i kushtohet letërsisë. Të tjerët ia preferonin
drejtësinë, derisa të tretët i sugjeronin ta studiojë
filozofinë. Duket se vetëm ai e dinte se cila është
rruga e tij. Së shpejti u bind se pikërisht mjekësia ia
ofronte atë që e dëshironte. Profesorët shpeshherë
e gjenin duke qëndruar pranë ndonjë kufome mbi të cilën
është bërë autopsia, duke i ndarë dhe analizuar
pjesët e saj dhe duke kërkuar përgjigje në pyetjet
të cilat shpesh as vetë profesorët nuk i dinin e ndoshta
as nuk i kërkonin. Në këtë periudhë Mustafa Mahmudi
shkroi disa vepra të cilat paraqesin fillimin e kthesës në
jetën e tij, sikur që janë veprat: Enigma e vdekjes,
Merimanga e disa të tjera. Kjo për një kohë
do ta shpjerë në filozofinë indiane, ku në idenë
e inkarnimit do të orvatet të gjejë përgjigje në
disa pyetje të cilat e preokuponin. Mjekësisë përsëri
i kthehet, duke ia kushtuar tërë qenien e vet. Duke iu falënderuar
kësaj, për një kohë relativisht të shkurtër
filloi të dominojë në qarqet e mjekësisë në
Egjipt, që te shumica nxiti xhelozi e te disa madje edhe kundërshtim
të hapët. Nderi të cilin e gëzonte në vend dhe
jashtë vendit, i mundësoi atij udhëtime mjaft të shpeshta
në shumë vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës.
b) Prej aventurës deri në
izolim
Shpirti i shqetësuar dhe të ardhurat e mira
e nxisnin në aventura. Disa herë shkoi në Evropë, duke
u orvatur të gjejë qetësi në të dhe në qarqet
e saja shkencore. Lexon çdo gjë që i vjen në duar,
zhvillon diskutime me dijetarët dhe shoqërohet me mendimtarët
duke shpresuar se ata do t’i ofrojnë atë që e kërkon
dhe për çka hulumton. Mirëpo, mbetet i dëshpëruar
pas takimit me ta. Pasqyra të cilën para kësaj e kishte
për Evropën filloi papritmas të zbehet e humbet. I pasur
në të gjitha dhe egoist sipas natyrës, detyrohet që
më thellë të zhytet në shpirtin e njeriut evropian,
veçantia parësore e të cilit është centrizmi
ekskluziv. Kjo i hap atij horizonte të reja të cilat do ta shpiejnë
në Azi, pastaj në Afrikë, midis njerëzve, ligjeve,
shkretëtirës, xhunglës dhe fiseve të tyre. Altruizmi
islam në të, gjatë këtyre udhëtimeve do të
zhvillojë njohuri madhështore të filantropisë, dashurisë
dhe humanizmit. Kudo do të gjurmojë për burimet origjinale
të dashurisë ndaj Finitit, Absolutit dhe Burimorit. Për
këtë në veprat e tij edhe takohemi me udhëkryqet e
të gjitha meridianeve të botës. Pena e tij gazetareske sado
që është ekskluzive aq është edhe studioze. Në
udhëpërshkrimet, artikujt, veprat dhe punimet e tjera të
krijuara në atë periudhë hasim në laramani të
pasur të jetës të mbushur me doke, kontraste, tradita, martesa,
lindje, varrime dhe me dervishë të të gjitha tarikateve,
kombeve dhe sjelljeve. Mustafa Mahmudi tek ato na shpie nëpërmjet
të gjitha rrugëve të jetës, pikëllimit, gëzimit,
varfërisë, pasurisë, shfrenueshmërisë, tërheqshmërisë
dhe shumëngjyrësisë.
Thënë shkurt, pikërisht këtu takohemi
me jetën ashtu siç është: e plotë dhe e zbrazët
njëkohësisht, jetën e cila e përjetëson aromën,
të qajturit dhe të qeshurit e saj. Mustafa Mahmudi arrinë
të na e prezentojë këtë me fjalë sikurse artisti
që e bën këtë me ngjyra.
Në veprat e tij gjejmë mjaft frymë romantike,
pasuri realiste dhe shumë këndim simbolik. Këtu Mustafa
Mahmudi bën një hap më tej në letërsinë bashkëkohore
arabe e cila shquhet me llojllojshmëri, pasuri, ide, ballafaqim, guxim,
hieshi, angazhim, humanizëm dhe tradicionalitet.
Pikërisht kjo përvojë e pasur dhe e llojllojshme
do t’i konfirmojë Mustafa Mahmudit se jeta dhe vdekja së bashku
me materien dhe shpirtin me të vërtetë paraqesin sekretin
e Sekretit, dhe se njeriut, sado që të dijë, të posedojë
dhe çkado qoftë, megjithatë pak i është dhënë.
Ky mësim do të jetë shkak që edhe ai vetë të
gjendet në meridianet, binarët dhe hulumtimet e reja ideore,
ku të gjitha së bashku do ta shpiejnë atë në përsiatje
të re, në vetmi dhe izolim.
c) Prej dyshimit deri në
besim
Mund të pritej që dr. Mustafa Mahmudi në
këtë rrëke llojllojshmërishë dhe kundërthëniesh
ta humbë veten. Mirëpo, një shikim rreth vetes, në
vete dhe jashtë vetes e detyroi që t’i përcaktojë relacionet
e veta jetësore të cilat shpiejnë nëpër të
gjitha skilat dhe haribdet, mosbesimet dhe besimet, mëkatet dhe pendimet,
shfrenimet ideore dhe përcaktimet shpirtërore, dallimet kreative
dhe stabiliteti logjik. Dhe kjo rrugë do të jetë rikthyese
në tërë jetën e tij. Në tërë këtë
ai do ta gjejë vetveten dhe qenien e tij. Kështu do të fillojë
faza e re e jetës së tij e cila e tëra do t’i përkushtohet
shpirtit, besimit, njeriut dhe ngritjes së tij. E tërë kjo
ka ardhur pas leximit, studimit dhe përimtësimit edhe të
vetvetes edhe të të tjerëve. Fryt i gjithë kësaj
do të jetë vepra e tij me rëndësi Peripecitë
e mia prej dyshimit deri në besim të cilën lexuesit
tanë kanë mundësi ta lexojnë si botim të veçantë.
Është interesant të theksohet se para do kohe kjo vepër
u botua edhe në gjuhën frëngjishte në përkthimin
e orientalistit të njohur Moro Shartjes, të botuar në Bejrut.
Duke e marrë parasysh se lexuesit tanë, siç
tanimë e theksuam, janë të njoftuar me këtë vepër,
prandaj edhe nuk do të ndalemi te ajo. Do të theksojmë vetëm
se ajo paraqet pasqyrën e zhvillimit shpirtëror të autorit
po në atë përmasë në të cilën prezentohen
disa vepra të Dekartit, Gazaliut, Spinozës e të tjerëve.
Këtu është me rëndësi të theksohet se kjo
periudhë e dr. Mustafa Mahmudit prezenton kthimin e tij të sinqertë,
të njëmendtë Kur’anit, i cili krejtësisht do ta shpjerë
në binarët, rrugën dhe relacionet e tij. Kjo edhe do të
ndikojë që i tëri t’i përkushtohet studimit të
njëmendtë të Kur’anit. Si rezultat i kësaj lindi vepra
e tij Kur’ani - tentativë për të kuptuarit bashkëkohor,
e cila shkaktoi diskutime të rrepta në mesin e studiuesve të
Islamit, rezultat i së cilës ishte edhe vështrimi shkencor-kritik
i kësaj vepre i kur’anologes dr. Aishe Abdurrahman alias Bintu Shati.
Në këtë vepër Mustafa Mahmudi u nis hapave të
të observuarit konstruktiv kur’anor, duke i konfirmuar dimensionet
e mu’xhizes së Kur’anit dhe predominimin e tij ndaj të gjitha
llojeve të kufizimeve, duke i mishëruar në njëmendësinë
absolute të cilën mundemi vazhdimisht ta hulumtojmë, por
asnjëherë nuk mundemi plotësisht ta zbulojmë. Përveç
tjerash, kjo do t’i ndihmojë t’u shmanget të gjitha tendencave
tjera ndikuese, duke u thelluar thellë në sferën e fesë,
filozofisë dhe shkencës.
Për shkak të gjithë kësaj që
e kemi ekspozuar, mund të themi se letërsia e tij pikërisht
edhe e kapërceu rrugën e vet zhvilluese, e cila më në
fund u gjet në punimet filozofike siç edhe do ta shohim këtë
më vonë.
ç) Prej letërsisë
deri në filozofi
Dr. Mustafa Mahmudi së pari konsideronte se nëpërmjet
veprës letrare mund të thuhet çdo gjë. Për këtë
edhe i përvishet fushës së letërsisë, e cila me
të vërtetë edhe i solli famë dhe mirënjohje të
madhe. Veprat e tij lexohen në të gjitha anët. Çdonjëra
prej tyre gati është shitur. Për to shkruhet, shqyrtohet
dhe mendohet. Kur shfaqet ndonjë pjesë e tij teatrore, atëherë
nëpër sportele është një rrëmujë e madhe,
sepse rinia universitare dëshiron ta shohë, ta ndiejë dhe
ta dëgjojë. Besojmë se për këtë arsye vepra
e tij letrare është e ngjeshur sa me sensualitetin e altruistit,
aq edhe me penetrimin, subtilitetin e filozofit. Ai është letrar
dhe filozof i dalluar. Stili i tij është tërheqës,
i bukur dhe dinamik. Gjuha e tij është e pasur me figurativitet,
simbolikë dhe ide. Dialogjet janë të logjikshme dhe proporcionale.
Eskploatimi me mundësitë gjuhësore është shumë
i pasur dhe i fuqishëm. Çdo gjë është në
lëvizje, hov, zhvillim, ndryshim. Personazhet janë të gjalla,
origjinale dhe të zhvillueshme, por edhe të thurura në tërësinë
e konceptimit të krijimit të ri letrar i cili imponohet, ndikon,
ndërron dhe krijon. Këtu mishërohen shpresat për një
të nesërme më të mirë, më humane dhe më
të ndjeshme, sepse para së gjithash jemi njerëz. Në
gjithë këtë njeriu mund ta shohë edhe mjerimin e vet
por edhe shenjtërinë e vet, pavlerësinë dhe autoritetin.
E para e shkatërron ndërsa e dyta e ndërron. Në vrapimin
e vazhdueshëm për ndërrime dhe gjurmime ai, megjithatë,
ka fuqi ta gjejë vetveten, qenien e vet dhe t’i mposhtë problemet
të cilat edhe pse origjinale, megjithatë e transformojnë
njeriun. Njeriu është i lirë vetëm atëherë
kur ka mundësi të përcaktohet, të angazhohet dhe të
prodhojë, sepse në tërë atë mishërohet edhe
ideja e tij sikur edhe qenia e tij.
Ja, në tërë këtë cikël të
ndodhur rreth tij dhe në vetë atë, njeriu, sipas mendimit
të dr. Mustafa Mahmudit, është i vlefshëm aq sa vepron,
sa është i lirë, sa beson dhe sa është i angazhuar.
Dhe në fund, dëshirojmë të theksojmë
se dr. Mustafa Mahmudi është i preokupuar me problemet e njëjta
me të cilat është i preokupuar edhe filozofi më i madh
bashkëkohor islam, dr. Muhamed El Behij, edhe pse këtyre problemeve
u hyjnë nga kënde të ndryshme dhe aspekte të llojllojshme.
Neve na mbetet obligimi që të dy, sikur edhe mendimtarët
tjerë islamo-arabë, t’i njoftojmë, prezentojmë dhe
studiojmë.
Dr. Ahmed Smajlloviq
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
"ALL-LLAHU
NUK KA LINDUR AS S’ËSHTË I LINDUR"
Miku im është shkolluar dhe ka doktoruar në
Francë. Atje, duke u inkuadruar në "Rrymën e jetës
moderne", është shoqëruar përveç të tjerëve
edhe me hipikët, me ç’rast ka formuar botëkuptim të
atillë për botën i cili çdo gjë mohon. Ai dëshiron
të polemizojë me ne besimtarët, ndonëse na konsideron
naivë, sepse zbulon se ne vetveten e përqeshim duke u mashtruar
me iluzione për xhennetin dhe hyritë derisa ëmbëlsitë
dhe bukuritë e kësaj bote na shmangen.
Me një rast, me shpoti, më tha:
Ju konfirmoni: Zoti ekziston, duke e mbështetur konfirmimin
tuaj në parimin e "shkakësisë" (kausalitetit).Pohoni se:
çdo gjë e ndërtuar ka ndërtuesin e vet, çdo
gjë e krijuar, krijuesin e vet, çdo gjë ekzistuese, krijuesin
e vet; pëlhura e dëshmon endësin, piktura piktorin, gravura
gravuesin, kurse kozmosi, sipas kësaj logjike, është dëshmia
më e mirë për ekzistimin e Zotit si krijues i tij. Ndërkaq,
nëse e pranojmë gjendjen e këtillë të gjërave,
a thua nuk kemi të drejtë që sipas logjikës së
njëjtë të shtrojmë pyetjen: kush e krijoi atë
Krijues?! A nuk është kjo kurthë për argumentet tuaja?!
I themi atij: Pyetja jote është e gabueshme
- në të nuk ka kurrfarë kurthe për pohimin tonë.
Ti, së pari, e pranon Krijuesin e pastaj pyet kush e ka krijuar Atë,
duke ia nënshtruar Krijuesin ligjeve të cilat dominojnë
në botën e krijesave. Kjo sofistika jote i ngjan kukullave të
cilat lëvizin me ndihmën e zemberekut - spirales. Po qe se kundrohen
në rrafshin e lëvizjes së tyre, pason se edhe njeriu, i
cili i ka bërë, lëviz sipas parimit të zemberekut.
Sikur, me ndonjë rast, të ishte e mundur t’u thuhet atyre se
ai lëviz me vetveten, do të përgjigjeshin se kjo është
e pamundur, sepse në botën e tyre çdo gjë lëviz
me ndihmën e zemberekut. Kështu edhe ti, i kufizuar dhe i zhytur
në botën vetjake ku çdo gjë që ekziston, domosdo
parashtron Krijuesin, nuk po arrin të kuptosh se Zoti ekziston vetvetiu.
Filozofi i njohur gjerman Emanuel Kanti në veprën
e tij Kritika e mendjes së pastër ka zhvilluar idenë
se me mendje nuk mund të përfshihet e verteta e pafund. Sipas
natyrës së saj, mendja i arrinë vetëm partikularitë
ndërsa është e paaftë të kuptojë të
ekzistuarit absolut siç është ekzistimi i Zotit. Ne e
kuptojmë Zotin me ndërgjegje (damîr) e jo me mendje
(‘akl). Dëshira jonë për drejtësi është
dëshmi e ekzistimit të së drejtës, sikur që është
etja për ujë dëshmi për ekzistimin e ujit.
Aristoteli shumë më herët ka shtruar një
varg të tërë shkaqesh duke thënë: karrigia është
nga druri, druri nga trungu, trungu nga fara, kurse fara është
nga mbjellësi, që në fund të tregojë se si numërimi
i tillë i shkaqeve medoemos shpie tek shkaku i parë. Shkakun
i cili nuk ka nevojë për shkak, lëvizësin i cili nuk
ka nevojë për lëvizës, krijuesin i cili nuk ka nevojë
për krijues, që i përgjigjet të kuptuarit tonë
të All-llahut xhel-le shanuhu.
Ibni Arebiu konsideron se në pyetjen kush e krijoi
Krijuesin aspak nuk duhet përgjigjur. Zoti e dëshmon ekzistimin
dhe është jokorrekte me ekzistim të dëshmohet Zoti.
Drita e dëshmon ditën e jo e kundërta...
All-llahu nuk ka nevojë për dëshmi, sepse
Ai çdo gjë e dëshmon. Ai vetvetiu është e vërtetë
e qartë (el-hakku-l-wâdihi bi dhâtihî). All-llahu
shfaqet në ligjet, rendin, bukurinë dhe normat, në gjethin
e drurit, pendën e palloit, krahun e fluturës, erën e trëndafilit,
këngën e bilbilit, lidhshmërinë e yjeve, në simfoninë
e kozmosit. Sikur të thonim se e tërë kjo është
krijuar rastësisht, do t’i përngjanim njeriut i cili konsideron
se me vetë hedhjen e shkronjave në ajër, prej tyre mund
të krijohet vargu në të cilin do të gjenim një
poezi të Shekspirit, do të thotë poezi pa poet.
Kur’ani na liron nga shkoqitjet e këtilla me një
dëshmi mjaft të qartë dhe të saktë:
"Thuaj: Ai All-llahu është Një! All-llahu
është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet)
për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është
i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë".
(El-Ihlâs, 1-4).
*
* *
Miku ynë na pyet me përçmim: E përse
thoni se Zoti është Një? Pse mos të jenë disa
zotëra me kompetencat e ndara ndërmjet vete?
I përgjigjemi me Kur’an dhe në pajtim me logjikën
të cilën edhe vetë e pranon, me logjikën e shkencës:
Krijuesi është Një, sepse i tërë kozmosi është
i ndërtuar sipas një plani dhe nga një substancë. Nga
hidrogjeni përbëhen njëzet e dy elemente të cilat në
sistemin e Mendelievit kanë mënyrën e njëjtë të
bashkimit dhe derdhjes së fuqisë atomike me të cilën
yjet ndriçojnë. Tërë bota e gjallë është
e përbërë nga përbërjet e karbonit. Me të
djegur ai karbonizohet. Trajtat e tij më të larta, sikur që
është bota shtazore, në dukje me dallime të mëdha,
tregojnë se në një plan të caktuar të autopsisë
bretkosa, lepuri, pëllumbi, krokodili, gjirafa dhe balena kanë
arteriet, enët e gjakut, pjesët e zemrës dhe eshtrat e njëjta.
Çdo asht këtu ka vendin e vet përkatës atje - krahu
te pëllumbi është këmba e përparme tek bretkosat.
Eshtrat janë të njëjta me ndryshim mjaft të vogël
- në qafën e gjirafës, përkundër gjatësisë
së saj, gjejmë shtatë unaza sikur edhe te qafa e iriqit.
Sistemi nervor tek të gjithë është i njëjtë.
Përbëhet nga truri, palca kurrizore dhe nervat. Sistemi i tretjes
me barkun, zorrën dymbëdhjetëgishtore, zorrën e vogël
dhe të madhe, sistemi i shumëzimit me vezoret, anin (uterusin),
kanalet e tyre, sistemi i urinës me veshkët, kanalin e urinës,
fshikëza e urinës dhe më në fund, autopsia unike tek
të gjithë është qeliza. Identik është edhe
përshkrimi i bimës, shtazës dhe njeriut: linden, marrin
frymë, shumohen dhe vdesin.
Pse atëherë pas gjithë kësaj do të
ishte i çuditshëm pohimi se Krijuesi është Një.
Si kjo që I Përkryeri mos të jetë Një - të
papërkryerit janë të shumtë. Të Përkryerit
nuk i nevojitet plotësim tek të tjerët.
Sikur të kishte shumë zota, ata do të ndaheshin:
secili do të shkonte me atë që e ka krijuar dhe Toka do
të zhdukej.
All-llahu xhel-le shanuhu posedon dinjitetin më të
lartë dhe gjithëfuqinë absolute, e këto atribute përjashtojnë
çfarëdo bashkëpjesëmarrjeje.
*
* *
Miku ynë filloi ta përqeshë të kuptuarit
tonë të hyjnisë (rububujjeh). Ai thotë: Është
i çuditshëm ky Zot i cili përzihet në çdo
hollësi madje edhe më të voglën: e përudhë
bletën që vetes t’ia ndërtojë vendqëndrimin në
male, as gjethi nuk bie, e që Ai mos ta dijë, nuk zhvillohen
frytet nga sythet e veta, e që Ai mos t’i numërojë, nuk
mbarset as që lind femra pa dijen e Tij, rrëshqitja e këmbës
në gropë, rënia e mizave në ushqim, ndërprerja
e lidhjes telefonike është me dijen e Tij. Nëse nuk ka shi,
Ai nuk e ka dhënë, e nëse bie, Ai e dha. A nuk po e angazhoni
ju Zotin tuaj me të kuptuarit e tillë madje edhe për hollësitë
më të vogla?
Shtruarja e këtillë e pyetjeve nuk na lejon
të kuptojmë se a mos për mikun tonë Zoti do të
ishte më i denjë për hyjni kur vetveten do ta lironte nga
të gjitha këto përgjegjësi dhe thjesht "t’ia kthejë
shpinën" kozmosit të cilin e ka krijuar. A thua sipas të
kuptuarit të tij do të meritonte respekt zoti i cili është
pasiv dhe i pandërgjegjshëm, i cili nuk dëgjon, nuk sheh,
nuk përgjigjet dhe nuk kujdeset për krijesat e tij dhe, më
në fund, prej nga shtruesit të pyetjeve dituria që të
gjykojë se cila gjë është e parëndësishme
që të mos meritojë angazhimin e Zotit, e cila është
aq me rëndësi që këtë ta meritojë.
Rënia e insektit në gjellë për shtruesin
e pyetjeve është e parëndësishme dhe e pavlerë,
por a nuk e ka mbytur mushkaja Lekën e Madh dhe a thua rënia
e insektit nuk do të thotë futje e mikrobeve në ushqim dhe
helmim i armatës së njerëzve.
Hollësitë më të rëndomta mund
të jenë vendimtare për ndodhitë më të mëdha,
ndërsa gjërat më të rëndësishme shpesh humben
pa zë dhe kurrfarë gjurme. Vetëm Njohësi i të
gjithave e di vlerën e vërtetë dhe rëndësinë
e çdo gjëje. A thua shtruesi i pyetjeve mund t’i përcaktojë
kompetencat e Krijuesit dhe Sunduesit të çdo gjëje!? O
Zot, i lartësuar je dhe i pastër nga të kuptuarit e tillë!
I denjë për adhurim është vetëm
Ai i cili me dijen e Tij e përshkon çdo gjë dhe të
cilit nuk i shpëton as sendi më i madh e as më i vogël
në qiell dhe në Tokë.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
NËSE
ALL-LLAHU I KA CAKTUAR VEPRAT E MIA, PËRSE ATËHERË MË
THËRRET NË PËRGJEGJËSI?!
Duke menduar se kësaj here s’kam rrugëdalje, miku
me dashakeqje tha:
Pohoni se Zoti e cakton çdo gjë madje edhe
veprat tona. Nëse është ashtu, nëse Ai i ka caktuar
edhe veprat e mia të këqija, përse atëherë më
thërret në përgjegjësi për to? Mos më thuani,
sipas traditës suaj, se unë kam të drejtë të zgjedh,
sepse s’ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ju pyes:
A mos e kam zgjedhur unë lindjen, gjininë, lartësinë,
ngjyrën, vendlindjen time? A lind Dielli dhe a perëndon Hëna
sipas zgjedhjes sime? A vjen sipas zgjedhjes sime caktimi im; më befason
vdekja dhe më ndodh tragjedia, dhe bëj krim. Përse Zoti
më detyron të bëjë diçka, e pastaj për
këtë shkak më dënon?! Nëse pohoni se jeni të
lirë sepse përveç vullnetit të Zotit keni edhe vullnetin
vetjak, a nuk po i përshkruani me këtë bashkëpjesëmarrje
dhe reciprocitet të shumë vullneteve?! Përveç kësaj,
ç’thoni për ligjet e mjedisit, kushtet dhe domosdoshmërinë
për të cilat flasin meterialistët historikë?!
I kënaqur me këto pyetje të shkrepura sikur
të shtëna (arme), miku u qetësua, i bindur se me to përgjithmonë
më ka varrosur.
Krejtësisht i qetë ia fillova:
Ke rënë në disa gabime: Veprat tua i janë
të njohura Zotit dhe të shkruara në Librin e Tij, por me
këtë nuk të janë caktuar detyrimisht. Ato janë
caktuar vetëm në dijen e Tij. Kjo caktueshmëri deri diku
mund të krahasohet me këtë që vijon: Ti ke njohuri
për veprat e birit tënd dhe në to ekziston mundësia
që biri yt të bëjë kurvëri. Nëse ai këtë
e bën, a mos e ke detyruar ti në këtë ose kjo vetëm
është parashtruar dhe ka ndodhur që dituria jote ka qenë
e saktë.
Sa u përket fjalëve tua për lirinë
dhe mundësinë e zgjedhjes se kjo është vetëm gënjeshtër
e kulluar dhe se kjo dëshmon këtë çka nuk e ke zgjedhur
lindjen, gjininë, ngjyrën, vendlindjen tënde, se nuk mund
të ndikosh në Diellin dhe Hënën; këto tregojnë
gabimin tjetër të cilin e ke bërë. Gabimi është
në atë që ti lirinë e kupton krejtësisht ndryshe
nga ne besimtarët. Ti flet për lirinë absolute dhe po thua
pse s’kam mundur veten ta krijoj të bardhë apo të zi, të
gjatë apo të shkurtër dhe a është në mundësinë
time ta bart Diellin nga vendi i tij apo ta ndalë në orbitën
e tij.
Ne kësaj i përgjigjemi: Ti flet për lirinë
absolute, lirinë e zotërimit të lirë me kozmosin që
i përket vetëm Zotit. Për ne është e vërtetë
e vetme: "Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh. S’është
(e drejtë) e tyre të zgjedhin." (El-Kasas, 68). Askush nuk
ka të drejtë zgjedhjeje në çështjen e krijimit,
sepse Zoti xhel-le shanuhu është Ai i cili krijon çka
të dojë dhe zgjedh çka të dëshirojë. Zoti
i lartmadhëruar nuk do të të ftojë në përgjegjësi
për shkak të lartësisë tënde, as që do të
të dënojë për shkak se nuk e ke ndalur Diellin në
orbitën e tij. Por, fusha e pyetjeve është fushë e
ngarkimeve. Ti në këtë fushë je i lirë dhe ata
janë kufijtë për të cilët po flasim. Ti je i lirë
t’i kultivosh pasionet tua, ta përmbash urrejtjen tënde, t’i
kundërvihesh vetvetes, t’i largosh qëllimet e këqija, ndërsa
t’i vazhdosh prirjet tua të mira. Ti mund të bëhesh bujar
me vetveten dhe pasurinë. Mund të flasësh të vërtetën
ose të gënjesh. Mund ta përmbash dorën tënde nga
e ndaluara. Mund ta përmbash shikimin tënd nga trupi i të
tjerëve. Mund ta përmbash gjuhën tënde nga sulmi, përgojimi
dhe intrigat. Në këtë fushë ne jemi të lirë,
dhe vetëm për atë që është brenda saj do
të pyetemi dhe do të jemi përgjegjës.
Fjala është për lirinë relative e
jo absolute, lirinë e njeriut në planin e obligimeve. Kjo liri
është e vërtetë, kurse atë tek ne e dëshmon
ndjenja e lindur për të. Ne ndiejmë përgjegjësi,
pendim për gabimin e bërë, ndërsa kënaqësi
kur bëjmë punë të mirë. Ne në çdo
rast zgjedhim dhe krahasojmë disa alternativa. Madje edhe detyra e
parë e arsyes sonë është përcaktimi dhe zgjedhja
ndërmjet disa alternativave.
Ne krejtësisht qartë e dallojmë lëvizjen
e dorës e cila dridhet nga ethet dhe të dorës e cila shkruan
letër, dhe themi se lëvizja e parë është e caktuar,
e detyruar, ndërsa lëvizja e dytë e zgjedhur, e lirë.
Sikur të mos kemi vullnet të lirë, nuk do të mund as
të bënim dallime.
Gjithashtu, këtë liri e dëshmon edhe ndjenja
jonë e paaftësisë ta detyrojmë zemrën në
diçka me çka ajo s’është e kënaqur. Femrën
mundemi me detyrime dhe kërcënim ta shpiejmë në situatë
të bëjë çka të dëshirojmë, por me
kurrfarë mjetesh detyruese nuk mund ta detyrojmë që në
të vërtetë të na dojë. Kjo qartë tregon se
All-llahu xhel-le shanuhu i ka çliruar zemrat tona nga nënshtrimi
i çfarëdo detyrimi, duke i krijuar plotësisht të
lira. Për këtë arsye All-llahu xhel-le shanuhu e ka bërë
qëllimin - nijetin, burim i të cilit është zemra, shtyllë
e përgjegjësisë. Besimtari i cili nën presion e blasfemon
fenë nuk do t’i përgjigjet Zotit deri atëherë kur me
zemër të bëjë blasfemi:
"... Përveç nëse në këtë
është i detyruar, kurse zemra e tij është e bindur
thellë në besim..." (En-Nahl, 106).
Pikëpamja tjetër e gabueshme e kësaj qëndron
në atë që disa njerëz kuptojnë se liria e njeriut
është mbi vullnetin e Zotit, dhe duke i akuzuar rekomanduesit
e lirisë së Zotit i përshkruajnë bashkëpjesëtarë
në urdhërdhënie dhe vendim. Kështu edhe ti, o mik,
e ke kuptuar dhe ke folur për vullnetin e shumënumërt, që
është, pa dyshim, botëkuptim i gabueshëm. Liria e njeriut
nuk ngrihet mbi vullnetin e Zotit. Njeriu është i lirë të
bëjë diç që i kundërvihet kënaqësisë
së Zotit, por ai nuk mund të bëjë asgjë që
i kundërvihet vullnetit të Zotit.
Zoti xhel-le shanuhu na ka dhënë liri që
t’i kundërvihemi kënaqësisë së Tij në dëmin
tonë, por askujt s’i ka dhënë liri që t’i kundërvihet
vullnetit të Tij. Këtu është ana tjetër e lirisë
relative të njeriut. Çdo gjë që ne veprojmë
është në kuadër të vullnetit të Zotit, madje
edhe atë që e veprojmë e që nuk është në
pajtim me kënaqësinë e Zotit dhe me Sheriatin.
Liria jonë është begati nga Zoti dhe shpërblim
të cilin Krijuesi na ka dhuruar krejtësisht, pavarësisht
nga vullneti jonë. Liria jonë është vetëm vullneti
i Tij.
"Dhe ju nuk doni tjetër përveçse çka
do All-llahu." (El-Insân, 30).
Të flasish për lirinë në këtë
kuptim, nuk do të thotë t’i shoqërosh Zotit shok. Liria
jonë është e njëjtë me urdhëresat e Tij,
vullnetin e Tij dhe caktimet e Tij.
Pikëpamja e tretë e gabueshme e kësaj pyetjeje
është të kuptuarit e gabueshëm të caktimit dhe
fatit të vullnetit të lirë dhe zgjedhjes së lirë,
nga ana e atyre të cilët janë të preokupuar me studimin
e këtyre pyetjeve. Ata caktimin dhe fatin e kanë kuptuar se kjo
është të detyruarit dhe të shtrënguarit e njeriut
në atë çka nuk është në karakterin e tij
dhe në natyrën e tij. Të njëjtin gabim e ke bërë
edhe ti o mik! All-llahu i madhëruar e mohon detyrimin nga ana e vet:
"Nëse kishim dashur, Ne nga qielli do t’ua zbritnim
një Shenjë para së cilës ata qafat e tyre do t’i ulnin."
(Esh-Shuarâ, 4).
Domethënia e këtij ajeti është e qartë:
ka qenë plotësisht e mundur që njerëzit të detyrohen
në besim, por kjo s’është bërë për shkak
se All-llahu nuk detyron:
"Nuk ka shtrëngim në fe. Rruga e vërtetë
qartë dallohet nga ajo lajthitëse." (El-Bekare, 256).
"Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin
çka janë në Tokë që të gjithë. A ti
do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?" (Jûnus,
99).
Në ligjshmëritë të cilat i ka dhënë
Zoti nuk ka kurrfarë detyrimi. Caktimi dhe fati nuk guxohet të
kuptohen si detyrim i njerëzve në diçka çka nuk
është në natyrën e tyre. All-llahu xhel-le shanuhu
i jep secilit atë që është në vetë qëllimin
e tij, i dëshiron atë çka ai vetë dëshiron dhe
do atë çka ai vetë e do. Të qeverisurit e Zotit është
zgjedhja e njeriut, sepse Zoti xhel-le shanuhu e drejton çdo njeri
nga ajo nga synon zemra e tij dhe çfarë qëllimi ka:
"Kush dëshiron shpërblimin e Ahiretit, do
t’ia shumëfishojmë atë, ndërsa atij kush dëshiron
shpërblimin e kësaj bote, do t’ia japim..." (Esh-Shûrâ,
20).
"Zemrat e tyre janë të sëmura, kurse
All-llahu sëmundjen e tyre edhe më e shton..." (El-Bekare,
10).
"Kurse ata të cilët janë në rrugë
të drejtë, Ai edhe më tej do t’i shpjerë..." (Muhammed,
17).
Do ta përmendim edhe ajetin në të cilin
All-llahu xhel-le shanuhu u drejtohet robërve:
"Nëse All-llahu e di se në zemrat tuaja ka
diçka të mirë, do t’ju japë më mirë se
ajo që është marrë nga ju..." (El-Enfâl,
70).
All-llahu i lartësuar na e mundëson atë
që e kemi zgjedhur në zemrat tona dhe çfarë janë
qëllimet tona dhe së këtejmi nuk ka dhunë, detyrim
as shtrëngim në diç që nuk është në
pajtim me natyrat tona.
"Sa i përket atij që jep dhe ruhet (nuk gabon),
dhe atë më të bukurën e konsideron të vërtetë,
atij do t’ia lehtësojmë për në lehtësi. Kurse
ai që është koprrac dhe ndihet i mëvetësishëm,
dhe atë më të bukurën e konsideron gënjeshtër,
atij do t’ia lehtësojmë për në vështirësi."
(El-Lejl, 5-10).
"Ti nuk gjuajtje kur gjuaje, por gjuante All-llahu..."
(El-Enfâl, 17).
Këtu po identifikohet akti i të gjuajturit të
njeriut me gjuajtjen e bërë nga ana e All-llahut xhel-le shanuhu,
dhe se ekziston vetëm një gjuajtje. Njeriu ka qëllimin,
ndërsa All-llahu i madhëruar e mundëson realizimin e tij,
dhe këtë, nëse është i mirë, me të mirë,
kurse nëse është i keq, me të keq. Liria njerëzore
nuk ka masë të përhershme por vetëm aftësinë
relative, e cila zmadhohet dhe zvogëlohet. Njeriu mund ta rritë
lirinë e vet me shkencë: me ndihmën e zbulimeve dhe risive
të ndryshme ai ka arritur ta pushtojë Tokën, ta ngadhënjejë
hapësirën dhe të çlirohet nga prangat e kohës.
Duke i zbuluar ligjet në natyrë njeriu ka arritur që të
zotërojë me to dhe që vetes ato t’ia nënshtrojë:
ka zbuluar si ta ngadhënjejë ngrohtësinë, ftohtësinë,
errësirën dhe kështu e ka rritur lirinë e vet në
planin e aktivitetit të tij. Shkenca pra, është mjet i zgjerimit
të kufijve të lirisë së njeriut.
Mjeti i dytë është feja. Të drejtuarit
Zotit dhe kërkimi i ndihmës së tij, gjithashtu i zgjeron
kufijtë e lirisë dhe këtë mjet e kanë përdorur
të gjithë Të dërguarit e Zotit dhe ithtarët e
tyre. Sulejmani (a.s.) i ka nënshtruar xhinnët, ka zotëruar
me erën dhe ka folur me zogjët, të gjitha këto me përkrahjen
dhe ndihmën e Zotit; Musa (a.s.) e çau detin; Isa (a.s.) i
ngjallte të vdekurit, i shëronte të verbërit, të
zgjebosurit dhe të verbërit. Lexojmë, gjithashtu, për
evlijatë - dashamirët e Zotit - të cilëve u mbulohet
Toka dhe u zbulohen sekretet, të rëndomtëve të paarritshme.
Të gjitha këto janë shkallët e lirisë
të ngritura mbi liritë mesatare njerëzore, të cilat
ata i kanë arritur me përpjekjet më të larta në
të drejtuarit e tyre All-llahut xhel-le shanuhu dhe të shprehurit
e dashurisë ndaj Tij. Atyre u janë dhuruar pjesët e diturisë
sekrete.
Dituria paraqitet sërish. Mirëpo, këtë
herë kjo është dituria e tesavvufit - misticizmit (el-’ilm-ul
ledûnij). Ç’ështjen e zgjedhjes së lirë
dhe vullnetit jo të lirë Ebu Hamid El-Gazaliu e shtron dhe e
shkoqit shkurt dhe thjesht me dy fjali:
"Njeriu është i lirë në atë që
ka dituri" dhe
"Nuk është i lirë në atë që
nuk ka dituri".
Me këtë ai mendon se sa më shumë që
të zgjerohet dituria e tij, zgjerohet njëkohësisht edhe
sfera e lirisë së tij, qoftë dituria e tij objektive apo
dituri mistike (ledunij).
Mendimtarët materialistë gabojnë kur pohojnë
se njeriu është rob i domosdoshmërisë historike, duke
parë në të vetëm nyjen në zingjirin e ndodhive
shoqërore-ekonomike, plotësisht të nënshtruar ligjeve
të ekonomisë dhe lëvizjes së shoqërisë.
Nocionin të cilin ata pa lodhje e përsërisin,
sikur ai të ishte ligj, "domosdoshmëri e konfliktit klasor"(hatmijet-us-sira-it-tabekijj),
është i gabueshëm në shkoqitjen shkencore, sepse nuk
ka domosdoshmëri në sferën njerëzore, por më së
shumti që ka, janë gjasat dhe mundësitë dhe në
këtë edhe qëndron dallimi ndërmjet njeriut dhe dhëmbëzave,
mjeteve dhe trupave materialë. Është e mundur të parashihet
të zënit e Diellit në minutë dhe sekondë, kurse
është e mundur të parashihet edhe lëvizja e tij në
ardhmëri. Mirëpo, është e pamundur të dihet çka
fsheh njeriu në qëllimet e tij, ç’do të bëjë
nesër ose pasnesër. Kjo është e pamundur të dihet
përveç nëpërmjet mundësisë, probabilitetit
dhe hamendjes dhe këtë, me kusht të posedimit të të
dhënave të mjaftueshme për sjelljen e vendimit.
Sa u përket pohimeve të materialistëve
për ndikimin e mjedisit dhe shoqërisë, dhe se njeriu nuk
e jeton jetën e tij të pavarur, të mëvetësishme,
u përgjigjemi se ndikimi i mjedisit dhe shoqërisë si kundërveprim
lirisë individuale, konfirmon domethënien dialektike të
kësaj lirie, sepse liria individuale konfirmohet vetëm në
të ballafaquarit me kudërveprimet; nëse nuk ka kundërveprim
në lirinë e njeriut, atëherë ai edhe s’është
i lirë, nëse liria kuptohet në kuptimin e vërtetë,
sepse nuk ekziston kurrfarë pengese të cilën duhet mposhtur
dhe të vërtetohet nëpërmjet saj liria jonë.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
Miku vazhdoi më tej:
Si mund të thoni se Zoti juaj është i përkryer,
bujar, mëshirues, fisnik, i butë, kurse i ka krijuar të
gjitha këto të këqija në botë: sëmundjen,
pleqërinë, vdekjen, tërmetet, vullkanet, mikrobet infektuese,
helmin, thatësirat, ftohtësinë, kancerin i cili nuk po i
kursen as fëmijët e as pleqtë? Nëse Zoti është
dashuri, bukuri dhe mirësi, si e krijoi atëherë urrejtjen,
shëmtinë dhe të keqen?!
Problemi të cilin e inicoi pyetja e mikut është
ndër problemet fundamentale të filozofisë, shpjegimi i të
cilit i ka ndarë shkollat dhe mendimet.
Në këtë përgjigjemi: Zoti është
i mëshirueshëm dhe i mirë. Ai nuk ka urdhëruar të
veprohet keq, por nga mençuria Ai nuk e pamundësoi atë.
"... Thuaj: All-llahu nuk urdhëron të bëni
amoralitet. A po flisni për All-llahun atë që nuk e dini?
Thuaj: Zoti im urdhëron drejtësi..." (El-’Arâf, 28-29).
All-llahu urdhëron vetëm drejtësi, dashuri,
mirësi, falje dhe atë çka është e mirë
dhe kënaqet vetëm me të mirën dhe të këndshmen.
Por, pse atëherë e lëshoi kriminelin të bëjë
krim, vrasësin të vrajë, vjedhësin të vjedhë?
Për arsye se ka dëshiruar të jemi të lirë dhe
të gjykojmë pa kurrfarë ndikimi. Ndërsa liria paraqet
mundësinë për të gabuar, përndryshe nuk do të
quhej liri! Zgjedhja e lirë është ndërmjet mosdëgjimit
dhe dëgjimit.
Ka qenë në mundësinë e All-llahut
që të gjithëve të na bëjë të mirë
dhe të na detyrojë në dëgjueshmëri, që do
të nënkuptonte të marrurit e lirisë së të
zgjedhurit.
Sipas dëshirës dhe urtësisë së
Zotit, liria me dhembje është më fisnike për njeriun
se sa robëria me fat. Për këtë arsye edhe është
lënë mundësia e të gabuarit!
Shikimi korrekt dhe objektiv na zbulon se e mira në
ekzistencën e përgjithshme është parim, kurse e keqja
përjashtim. Shëndeti është bazë, kurse sëmundja
përjashtim. Ne kohën më të madhe të jetës
e kalojmë në shëndet. Sëmundja rrallë na godet.
Ashtu është edhe me tërmetin i cili zgjat disa minuta në
jetën e Tokës me miliona vjet. Këtu është edhe
me luftërat dhe katastrofat. Të gjitha këto janë shtangime
të shkurtra në jetën e popujve ndërmjet periudhave
të gjata të paqes.
Praktikisht, çdo gjë e ka anën e mirë
të saj. Sëmundja nxit ruajtjen e shëndetit, dhembja është
burim i qëndresës, këmbënguljes dhe gatishmërisë
për sakrificë. Tërmetet janë marrje frymë, lirim
i shtypjes së brendshme të rruzullit tokësor, të cilët
e ruajnë sipërfaqen e saj nga shpërthimi. Vullkanet nxjerrin
pasuri të fshehta xehesh dhe e mbulojnë sipërfaqen e Tokës
me llavë të plleshme. Luftërat i lidhin popujt. Nga kjo
lidhje vargore u krijuan edhe Kombet e Bashkuara edhe Këshilli i Sigurimit,
si instanca më të larta botërore, të cilat i zgjidhin
kontestet ndërkombëtare. Penicilini, atomi, aeroplanët raketorë,
raketat janë zbuluar duke iu falënderuar luftërave. Helmi
i gjarprit e përmban kundërhelmin më efikas. Nga mikrobet
bëhen vaksinat. Pozitat të cilat i kemi tash nuk do të na
takonin sikur të ishin gjallë gjyshërit tanë. E keqja
në kozmos është sikur hija në fotografi; nëse
i afrohesh të duket se është gabimi dhe mungesa e fotografisë,
por, nëse fotografinë e vështron nga largësia e duhur,
do të zbulosh se ajo është e domosdoshme dhe se hija ka
detyrë të dorës së parë në formimin estetik
të fotografisë.
A do të mund të dinim ç’është
shëndeti sikur të mos ishte sëmundja? Të mirën
e njohim duke iu falënderuar të shëmtuarës, pozitës
natyrore duke iu falënderuar jonatyrores. Në këtë kuptim
janë edhe fjalët e Ebu Hamid El-Gazaliut të madh:
"Mospërkryerja e kozmosit është përkryerja
e tij, sikur që është edhe shtrembërimi i harkut drejtësia
e tij, sepse, në të kundërtën, nuk do të mund
ta hedhte shtizën".
Domethënia tjetër e vështirësive dhe
dhembjeve është zbulimi i natyrës së vërtetë
të njerëzve. Sikur të mos ishte vështirësia, të
gjithë njerëzit do të ishin të njëjtë, bujaria
do të varfërohej, kurse lufta do ta humbte ëmbëlsinë
e sulmit.
Ky është provim për çdonjërin
prej nesh para vetes dhe para Zotit të madhëruar.
Kjo botë nuk është gjë tjetër
veçse një kaptinë romani, i cili ka disa kaptina, kurse
vdekja nuk është fundi i tregimit por fillimi i tij. Nuk është
korrekte të japim gjykimin për dramën në bazë
të vetëm një akti të saj, sikur që është
jokorrekte ta hedhim poshtë një vepër, sepse faqja e parë
e saj nuk na kënaq. Gjykimi korrekt bëhet tek në fund.
Dhe, më në fund, me çka e konpenson tërë
këtë miku. A mos po kërkon ai jetë pa vdekje, pa sëmundje,
pa pleqëri, pa të meta, pa ndihmë, pa kufizim, pa pikëllim
dhe pa dhembje. A nuk po kërkon përkryerjen absolute, ndonëse
përkryerja absolute i përket vetëm Zotit. I përkyer
është vetëm Një dhe i Vetmi, do të thotë
se miku nuk do të jetë i kënaqur derisa ai personalisht
të bëhej zot, e kjo është përçmim i vetvetes.
Ai dhe të pakënaqurit e ngjashëm me të vetëm na
bëjnë të qeshemi. Ata dëshirojnë që jeta
të bëhet parajsë, por, ç’kanë bërë
që të bëhet ashtu? Me çka miku ynë është
i denjë të bëhet zot. Gjyshja ime ka qenë më e
mençur se doktori i doktoruar në Francë kur thjesht tha:
"E mira është nga Zoti, kurse e keqja nga vetë
ne".
Këto fjalë të pakta e përkufizojnë
dhe e sqarojnë gjithë problemin. Zoti e ka dhënë erën
dhe lumin, por kapiteni i anijes e ngarkon me njerëz dhe e ngarkon
me mall, dhe kur anija fundoset e shanë Zotin dhe e mallkon fatin.
Çfarë mëkati ka Zoti në këtë! Ai e dha
ujin në të cilin anija do të lundrojë edhe era e cila
anijen do ta lëvizë, por nefsi dhe pangopësia njerëzore
të mirën e shndërruan në të keqe.
Sa urtësi dhe mençuri kanë fjalët:
"E mira është nga Zoti, kurse e keqja nga vetë
ne!".
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
ÇFARË
ËSHTË MËKATI I ATIJ TEK I CILI NUK KA ARRITUR KUR’ANI?
Pas një të menduari të gjatë miku ynë,
vazhdoi duke e theksuar çdo fjalë të pyetjes së re:
Mirë! - Çfarë është mendimi
juaj për njeriun deri te i cili nuk ka arritur Kur’ani as ndonjë
libër tjetër i Shpalljes së Zotit, as që i ka ardhur
I dërguar i Zotit? Çfarë është mëkati i
tij? Ç’do të ndodhë me të në Ditën e dhënies
së llogarisë, për të cilën ju flitni?
I thashë atij:
Së pari më lejo të japë shenjë
në supozimin e gabuar të pyetjes sate. Zoti xhel-le shanuhu qartë
thotë se askujt nuk ia ka ndaluar Mëshirën e Tij, Shpalljen
e Tij, Fjalët e Tij dhe Ajetet e Tij:
"Dhe nuk ka pasur popull të cilit nuk i ka ardhur
ai i cili ka qortuar (tërhequr vërejtjen)." (El-Fâtir,
24).
"Ne mesiguri çdo populli i kemi dërguar
nga një Të dërguar." (En-Nahl, 36).
Pejgamberët e përmendur në Kur’an nuk janë
Të dërguarit e vetëm të Zotit. Përveç tyre
ka pasur me mijëra të tjerë për të cilët
nuk dimë asgjë. Zoti xhel-le shanuhu për këtë
i thotë Muhammedit (a.s.):
"... Për disa prej tyre të kemi rrëfyer
e për disa nuk të kemi rrëfyer." (El-Mu’minûn,
78).
All-llahu frymëzon çdo gjë, madje edhe
bletën:
"Zoti yt e ka frymëzuar bletën: Bëni
vetes shtëpi nëpër male dhe lisa dhe në ato që
njerëzit i ndërtojnë." (En-Nahl, 68).
Nganjëherë Shpallja vjen në formë
të librit të cilin e sjell Xhibrili, nganjëherë në
formë të dritës e cila penetron në zemrën e njeriut,
nganjëherë në formë "të të hapurit" të
kraharorit për të vërtetën, nganjëherë në
formë të urtësisë, të të kuptuarit dhe të
vërtetës, kurse nganjëherë në formë të
nënshtrimit, frikës dhe frikërespektit. Çdonjëri
që nuk tregohet i shurdhër ndaj Shpalljes, pavarësisht nga
mënyra me të cilën ajo arriti tek ai, do të shpërblehet
nga Zoti xhel-le shanuhu. Sa u përket atyre të cilët nuk
duan të dëgjojnë dhe me zemër të ndiejnë,
atyre s’u ndihmojnë as librat as pejgamberët sadoqoftë që
të jenë.
All-llahu thotë se mëshirën ia ndanë
kujt të dojë dhe për këtë askujt nuk i përgjigjet.
Nganjëherë Zoti, nga mençuria që
vetëm Ai e di, e dënon dikë, kurse dikë e falë,
duke e pranuar besimin e tij më të dobët. Kush prej nesh
di mbase vetëm një shikim i njeriut më të rëndomtë
i drejtuar me respekt dhe frikë te Zoti, është shpëtues
dhe më i pranuar se falja jonë.
Studimi më i ri i formave primitive të religjiozitetit
të bashkësive më të vjetra njerëzore, tregon se
edhe ato kanë pasur Të dërguar dhe libra qiellorë sikur
libri ynë.
Në fisin Mau-Bau është zbuluar besimi në
një zot, të cilin ata e quajnë "Mugaj" dhe të cilin
e përshkruajnë se është një, nuk ka lindur as
që është i lindur, askush s’është i barabartë
as i ngjashëm me Të, se nuk shihet dhe se nuk mund të kuptohet,
përveç nëpërmjet veprave dhe krijimeve të Tij,
se Ai është Krijues, Furnizues, i Mëshirshëm, Dhurues,
i shëron të sëmurët, i ndihmon fatkeqët, jep shiun,
i pranon lutjet. Për rrufenë thonë se është thika
e Tij, kurse bubullima është trokëllima e këmbëve
të Tij. A nuk është ky Mugaji sikur edhe Zoti ynë?
Prej nga këtyre kjo dije përveç nëse në historinë
e tyre nuk ka qenë I dërguari dhe transmetuesi i asaj që
i është shpallur, dhe se koha me këtë mësim ka
bërë ndryshimin.
Në fisin Nijam-Nijam gjejmë gjithashtu besimin
në një zot, të cilin e quajnë "Mubil". Në pyellin
virgjër, siç besojnë ata, çdo gjë lëviz
sipas vullnetit të Tij. Ai me rrufe i gjuan njerëzit e këqij,
ndërsa të mirët i shpërblen me furnizim, bekim dhe
sigurim.
Në fisin Shejlak besojnë në një zot
të cilin e quajnë "Xhok", ndërsa e përshkruajnë
se fshehet dhe paraqitet, se është në qiell dhe në
çdo vend. Ai është krijuesi i çdo gjëje.
Në fisin Denka besojnë në një zot
me emrin "Nijalok". Kjo fjalë do të thotë: Ai i cili është
në qiell, i cili është më i larti.
Si t’i quajmë të gjitha këto besime, a
mund të themi për to se janë diç tjetër përveç
vetë Islami.
A mos janë këto diç tjetër pos Shpalljes
të cilën e kanë transmetuar Të dërguarit nga këta
popuj gjatë historisë së tyre.
Feja është një:
"Mesiguri ata që kanë besuar, e edhe ata
që kanë qenë hebrenj, të krishterë ose sabejë
- ata që i kanë besuar All-llahut dhe botës tjetër
dhe kanë bërë vepra të mira - vërtet i pret shpërblimi
prej Krijuesit të tyre, për ata nuk ka as frikë as pikëllim."
(El-Bekare, 62).
Madje edhe sabejët, të cilët e kanë
adhuruar Diellin si njërën prej shenjave të Zotit kurse
të cilët kanë besuar në Një Zot, Ditën e
gjykimit, ringjalljen, dhënien e llogarisë dhe kanë bërë
vepra të mira, do të kenë shpërblim te Zoti xhel-le
shanuhu.
Pikëpamjet e mëshirës së Zotit janë
të ndryshme. Dikush lindet i verbër, derisa të tjerët
linden me të pamur. Ata të cilët kanë jetuar në
kohën e Musaut (a.s.) kanë parë me sytë e tyre se si
ai me një goditje të shkopit të tij e çau detin.
Bashkëkohësit e Isaut (a.s.) kanë qenë dëshmitarë
se si ringjallë ai të vdekurin. Sa na përket neve, ne për
këto ndodhi dimë vetëm atë që e kemi dëgjuar,
kurse të dëgjohet nuk është e njëjtë çka
edhe të shihet, as që është i barabartë ai që
sheh dhe ai që dëgjon. Përveç kësaj, besimi
ose jobesimi nuk janë të kushtëzuar me mu’xhize. Kokëfortët
dhe mendjemëdhenjtë i kanë parë mu’xhizet e të
dërguarve të tyre dhe se edhe më tepër kanë thënë
se ato janë "gënjeshtra".
Nuk ka dyshim se deri te miku ynë, doktori i shkencës,
kanë ardhur që të tre librat qiellorë: Tevrati, Inxhili
dhe Kur’ani, e ky i fundit në gjuhën e tij amtare, e me këtë
vetëm shtohej ashpërsia me të cilën ai futej në
këto polemika. Nga shkaqet dhe rrugët e vërteta në
diskutimin autentik, miku iku në situatën e cila s’është
e tij, duke pyetur për njeriun abstrakt të cilit nuk i ka ardhur
I dërguar dhe deri te i cili nuk ka depërtuar Kur’ani as ndonjë
libër tjetër qiellor, me qëllim që të gjejë
jopërkryeshmërinë e drejtësisë hyjnore dhe mangësitë
e saj.
Së këndejmi ai edhe pyet: Përse aspektet
e Mëshirës Hyjnore janë të ndryshme? Përse Zoti
dikujt i lejon t’i shohë shenjat e Tij kurse të tjerëve
vetëm të dëgjojnë për to?
I përgjigjemi se kjo mbase nuk do të ishte mëshirë
por dënim. A nuk u ka thënë All-llahu xhel-le shanuhu ithtarëve
të Isaut (a.s.) të cilët kanë kërkuar t’ua dërgojë
sofrën nga qielli:
"All-llahu tha: Unë do t’ua zbresë atë,
por ai që e mohon edhe pas kësaj prej jush, atëherë
unë do ta dënoj me një dënim me çfarë askënd
në botë nuk do ta dënoj." (El-Mâide, 115).
Kjo është kështu për arsye se për
atë i cili pas pamjes së mu’xhizes nuk beson, dënimi ashpërsohet
dhe rritet. Lum për atë kush besoi pamjen e mu’xhizes, kurse
mjerë për atë kush e pa por nuk besoi! Kur’ani në duart
tua është dëshmi dhe vërejtje, ndërsa në
Ditën e llogarisë do të jetë dënim
Mosekzistimi i dëshmisë së qartë për
eskimezët e viseve polare, mund të jetë lirim, falje dhe
mëshirë në Ditën e dhënies së llogarisë,
njëlloj sikur që vetëm një shikim i tyre i mbushur
me respekt dhe frikë të devotshme në një çast
të jetës së tyre mund të jetë i mjaftueshëm
që te Zoti të pranohen si besimtarë të sinqertë.
E pse Zoti xhel-le shanuhu është më i mëshirshëm
ndaj dikujt, kjo i përket urtësisë së Tij:
"Ai ka ditur ç’ka në zemrat e tyre, andaj
ka zbritur qetësi mbi ta, dhe do t’i shpërblejë me një
fitore të afërt." (El-Fet’h, 18).
Dija e Zotit mbi ne dhe zemrat tona zgjatë më
tepër se fillimi ynë fizik në mitrat e nënave, kur
shpirtrat tanë kanë qenë rreth Arshit, dhe se ndër
ne ka asish të cilët janë mbuluar rreth dritës së
Tij, ndërsa ka edhe asish të cilët janë larguar prej
Tij, duke u kënaqur me ato me të cilat Ai i krijoi, dhe duke
harruar në bukuritë e Krijuesit të Tij. Për këtë
arsye edhe meritojnë shkallë më të ulët në
Ditën e dhënies së llogarisë dhe më pas. Kështu
flasin ata të cilët shohin.
Atë që ne e shohim gjatë jetës sonë
të shkurtër në këtë botë nuk është
e tëra. Vetëm I Gjithëdijshmi e di urtësinë e
çdo dhembjeje dhe fatkeqësie. Çdo gjë që shohim
e ka kuptimin e vet, por ne nuk mund ta kuptojmë domethënien
dhe mençurinë e tërë ekzistuese, sepse kjo mundësi
nuk i është dhënë askujt.
Ndoshta për këtë shkak edhe ekziston bota
tjetër, dita në të cilën do të vihen kandarët
e vërtetë dhe kur I Gjithëdijshmi do të na lajmërojë
për ate për çka jemi ndarë.
Në fund, miku im, do të të qetësoj
me fjalën kryesore të të vërtetës, në të
cilën Zoti xhel-le shanuhu shprehimisht thotë:
"Dhe asnjë popull Ne nuk e kemi dënuar derisa
nuk i kemi dërguar pejgamber." (El-Isrâ, 15).
Do të më lejosh të të tregoj edhe
për diçka shumë të çuditshme në pyetjen
tënde. Në shikim të parë ajo zbulon keqardhjen tënde
ndaj atij të cilin drita kur’anore ka mundur ta kalojë, mëshira
dhe përudhja e Zotit. Kuptimi më i thellë i pyetjes zbulon
mosbesimin tënd në Kur’an, mëshirën dhe përudhjen
e Zotit. Kjo është me të vërtetë orvatje e mashtrimit
dhe gënjimit. Sipas kësaj ajo bart kundërthënie evidente;
del me dëshminë e cila për ty vetë nuk është
kurrfarë dëshmie. A nuk po sheh se logjika të cilën
po e përdorë kërkon korrigjime rrënjësore.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
Miku ynë kësaj here ishte plotësisht i sigurt
në vetvete. Ia filloi duke i shqiptuar fjalët ngadalë:
Si do të na dënojë All-llahu, kurse Ai
është I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, për
mëkatin gjatë një kohe të kufizuar me dënim të
përhershëm ("...ata do të qëndrojnë në
xhehennem përgjithmonë!"). Kush jemi ne dhe çka paraqesim
në krahasim me madhërinë e Zotit, e që të na "hakmerret"
në këtë mënyrë. Njeriu është vetëm
atom apo pluhur në kozmos dhe në krahasim me madhërinë
e Zotit do të thotë diç shumë e imët dhe e pavlerë,
në realitet nuk do të thotë asgjë.
Duke ia përmirësuar njohuritë mikut, themi:
E para - nuk jemi ne vetëm atom dhe pluhur në
kozmos. Pozita jonë te Zoti nuk është e parëndësishme,
përkundrazi, ajo është e madhe dhe e rëndësishme.
A nuk na ka frymëzuar neve prej shpirtit të tij. A nuk na janë
përulur ëngjëjt. A nuk na ka premtuar trashëgiminë
e qiejve dhe Tokës, e ka thënë.
"Vërtet, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit
dhe i kemi bërë të udhëtojnë nëpër tokë
dhe të lundrojnë nëpër det. I kemi furnizuar me më
të mirat dhe lart i kemi nderuar ndaj shumicës së krijesave
Tona." (El-Isrâ, 70).
Në ne, do të thotë, ka pjesë prej
shpirtit të Zotit.
Kundrejt kozmosit, ne nuk jemi atom as pluhur. Ne ashtu
dukemi kur të shikohen trupat tanë në hapësirën
e gjithësisë.
Mirëpo, ne a nuk e përfshijmë gjithësinë
me mendjen tonë, i kuptojmë ligjet të cilat sundojnë
në të dhe depërtojmë në orbitat e shumë trupave
të saj. Falë kësaj, kozmonauti lëshohet në Hënë,
duke konfirmuar se njohuria jonë ka qenë e saktë.
Kjo a nuk dëshmon se ne, duke shikuar në shpirtin
tonë, jemi më të mëdhenj se kozmosi dhe e zotërojmë
atë. Andaj ka patur të drejtë poeti kur duke iu drejtuar
njeriut ka thënë:
"Dhe mendon se je trup i vogël
kurse në ty përfshihet bota më e madhe".
Njeriu, siç thonë sufistët, është
libër gjithëpërfshirës, kurse kozmosi janë faqet
e tij.
Njeriu pra është mjaft i madh dhe mjaft i rëndësishëm.
Ai bart në vete prej shpirtit të Zotit. Edhe veprat e tij obligojnë
të jenë të llogaritura.
Sa i përket vërejtjes në lidhje me të
dënuarit me dënim të përjetshëm për mëkatin
me zgjatje kohore të kufizuar, (mendojmë), ky është
edhe një gabim të cilin e bën doktori ynë i sigurt
në vetvete gjatë arsyetimit të tij. Zoti xh.sh. duke u përgjigjur
në kërkesën e të dënuarve të përjetshëm
që të kthehen përsëri në këtë botë
e të punojnë ndryshe nga ajo që kanë punuar, thotë:
"...Edhe sikur të ktheheshin, mesiguri ata përsëri
do t’i ktheheshin asaj që e kishin të ndaluar. Ata vërtet
janë rrenacakë." (El-En’âm, 28), do të thotë,
mëkati i tyre nuk është i kufizuar sipas kohës. Ajo
është veti e përhershme e cila gjithnjë do të
përsëritej, siç shihet prej ajetit të theksuar: "edhe
sikur të ktheheshin, tra mesiguri përsëri do t’i ktheheshin
asaj që e kanë pas të ndaluar. Ata vërtet janë
rrenacakë." Mëkati i tyre pra, nuk është kurrfarë
rënie momentale, situatë momentale në të cilën
janë gjendur derisa kanë qenë në dynja. Për ta
All-llahu xh.sh. në një vend tjetër në Kur’an thotë;
"Atë ditë kur All-llahu xh.sh. do t’i ringjallë
të gjithë ata, Atij do t’i betohen sikur që po ju betohen
juve dhe do të mendojnë se me këtë diç kanë
arritur dhe fituar... Ata, pa dyshim janë rrenacakë të vërtetë."
(El-Muxhâdele, 18).
Nga ajeti i cituar shihet pra një formë tjetër
e vendosmërisë dhe provokimit nga ana e të dënuarve
me dënim të përjetshëm, të cilët shkojnë
gjer atje saqë e ballafaqojnë Zotin me rrenën dhe betimin
e rrejshëm të tyre dhe atë në Ditën e llogarisë
së madhe, në Ditën kur do të ngrihen të gjitha
perdet dhe mbulesat. Qëndrimi i tillë i tyre është
shenjë e kryelartësisë dhe tiranisë më të
madhe.
Nuk jemi pra më këtu te mëkati i kufizuar
me kohën, por para mëkatit zgjatja e të cilit është
e përhershme dhe para shpirtit i cili në vetvete e mban të
keqen e përhershme. Së këndejmi, dënimi i përhershëm
për shpirtin e tillë në realitet është drejtësi.
Për këtë qartë flet ky ajet kur’anor:
"Dhe ata nuk do të dalin prej xhehennemit."
(El-Bekare, 168). Kurse Ibni Arebiu thotë: "Mëshirë ndaj
tyre do të jetë ajo se ata do të adaptohen në këtë
zjarr. Dhe ai në amshueshmëri do të bëhet mjedis i
përshtatshëm për ta".
Pa dyshim ekziston afërsi ndërmjet disa shpirtrave
të këqij dhe zjarrit. Disa shpirtra janë, në realitet,
pishtarë të zilisë, urrejtjes, pasionit, xhelozisë,
shpirtligësisë, hakmarrjes, veprave kriminele që i bënë
sikur të jenë vërtet zjarr. Shpirtrat e tillë nuk mund
të jetojnë në paqe. Për asnjë çast nuk
mund të jetojnë, e që përreth vetes të mos nxisin
luftë e të mos ndezin zjarr, sepse zjarri është vendbanim
dhe natyra e tyre. Dhe kur shpirtrave të tillë vendqëndrim
t’u caktohet xhehennemi, atëherë ky është gjykim i
drejtë. Kjo në realitet është vendosje e gjërave
në vendet përkatëse. Sikur rastësisht shpirtrave të
tillë vendqëndrim t’u caktohej xhenneti, ata nuk do ta ndienin
(nuk do t’u përshtatej).
Ata a nuk e kanë refuzuar paqen në Tokë?
Xhehennemin dhe xhennetin në Ahiret duhet kuptuar
në kuptimin më të gjerë. Zjarri në Ahiret nuk
është djegës. Djegia në të nuk është
sikurse djegia në dynja. Zoti xh.sh. dëfton se të dënuarit
me zjarr të xhehennemit në të do të flasin dhe do ta
mallkojnë njëri-tjetrin. Në të ekziston druri i cili
jep fryt.
Ai dru quhet "Zekkûm". Rrënjën
e ka prej fundit të xhehennemit. Ekziston dhe uji i xhehennemit i
cili do të jetë pije për të dënuarit.
Zjarri i tillë në të cilin gjendet druri,
gjendet uji, pastaj në të cilin të dënuarit flasin,
gjithsesi është ndryshe nga zjarri të cilin e njohim ne:
"... Sa herë që një grup hyn në
të (në zjarr), e mallkon atë të mëparshmin derisa
kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit
i tyre thotë për grupin e parë: ‘Zoti ynë, këta
(paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju
dënimin me zjarr atyre!’ (All-llahu) Thotë: ‘Për secilin
(grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po e dini."
(El-A’râf, 38).
Dhe ata në xhehennem, e ky është zjarr,
do të thonë. Ai zjarr është:
"Lëndë djegëse të të cilit
janë njerëzit dhe gurët." (El-Bekare, 24).
Zjarri për të cilin ishte fjala gjer më
tani bën pjesë në gjërat e fshehta (gajbit). Ajo që
është thënë për të është shprehur
vetëm simbolikisht.
Nuk guxon kjo të kuptohet sikur ne po e mohojmë
vuajtjen ndijore (trupore) ndërsa po e pranojmë atë shpirtërore.
Vuajtja trupore ekziston dhe në të nuk lejohet të dyshohet.
Ne besojmë në ekzistencën e saj. Ne vetëm konfirmojmë
se hollësitë e saj, mënyra e saj si dhe mënyra e zjarrit
me të gjitha përshkrimet e hollësishme të tij, na janë
plotësisht të panjohura dhe të pakuptueshme. Sipas asaj
çfarë na e prezentojnë rrëfimet kur’anore, mund të
konkludojmë se ai nuk është si ky zjarri i rëndomtë
të cilin e njohim, sikur që edhe trupat të cilët do
ta përballojnë atë zjarr do të jenë, gjithsesi,
ndryshe prej trupave tanë të kësaj bote...
E njëjta gjë vlen edhe për xhennetin. Ai
nuk është treg perimesh, hurmash, shegash, rrushi... Të
gjitha këto përshkrime kur’anore të xhennetit, në realitet
janë simbole, dhënie e shembujve dhe afrim i të kuptuarit:
"Shembulli i xhennetit, që u është premtuar
atyre që janë të ruajtur, në të cilin ka lumenj
me ujë të pashtershëm dhe lumenj nga qumështi me shije
të pandryshuar." (Muhammed, 15).
"Shembulli i xhennetit" do të thotë se
ne sjellim shembull me të cilin dëshirojmë ta afrojmë
të kuptuarit e xhennetit, ndërsa esenca dhe detajet e tij në
hollësi nuk janë zbuluar:
"Dhe asnjë shpirt nuk e di çfarë i
është fshehur prej gëzimeve si shpërblim për atë
që e ka punuar." (Es-Sexhde, 17).
"... Xhenneti, gjerësia e të cilit përfshinë
qiejt dhe Tokën..." (Âli Imrân, 133).
Pra nuk është e mundur që xhenneti të
jetë vetëm kopsht.
"... Dhe pemë të shumta, të bollshme
dhe të pandaluara." (El-Vâkia, 32-33).
Ato pemë janë ndryshe nga këto tonat të
cilat harxhohen dhe ndalohen... dhe vera:
"Prej saj as s’ju dhemb koka e as që e humbni
mendjen (as s’u dobësohet trupi)." (El-Vâkia, 19). Ajo verë
pra, është ndryshe prej verës së njohur nga e cila
dhemb koka dhe turbullohet mendja.
Për xhennetlinjtë Kur’ani thotë:
"Ne nga kraharorët e tyre e kemi hequr çdo
urrejtje." (El-A’râf, 43). Këtu shpirtrat janë pastruar
në mënyrën e cila për ne është e panjohur.
Xhenneti është, po ashtu, prej gjërave
të panjohura - gajb. Kur e konstatojmë këtë, atëherë
me këtë nuk e mohojmë asnjë kënaqësi trupore.
Ne besojmë se xhenneti është kënaqësi trupore
dhe shpirtërore, por ajo që veçanërisht këtu
duam ta theksojmë, është se hollësitë e kësaj
kënaqësie dhe vuajtjeje si dhe mënyra se si do të jenë
- na janë të panjohura. As xhenneti nuk është treg
i pemëve dhe perimeve, por as xhehennemi nuk është furrë
për pjekjen e mishit.
Dënimi në Ahiret nuk është demonstrim
i forcës nga ana e Zotit xh.sh. mbi robërit e Tij, por ai është
pastrim, prezentim, drejtim dhe mëshirë:
"Nuk do t’ju dënojë All-llahu nëse ju
Atë e falënderoni dhe e besoni." (En-Nisâ, 147). Bazë
pra, është mosdënimi.
All-llahu xh.sh. nuk do ta dënojë besimtarin
e vërtetë. Ai do ta dënojë atë i cili është
kryelartë dhe i cili e mohon dhe për përudhjen e të
cilit kanë dështuar të gjitha mjetet dhe mënyrat e
përudhjes, njoftimit dhe të të kuptuarit.
"Dhe mesiguri do të bëjmë që ta
shijojnë dënimin më të vogël, para atij më
të madhit, ndoshta do të kthehen." (Es-Sexhde, 21).
Caktimi i Zotit është që këta të
shijojnë dënim më të lehtë në këtë
botë, i cili ndoshta do t’u ndihmojë që të zgjohen
nga gjumi i thellë, t’i trondisë nga pagdhendshmëria dhe
dremitja. "Ndoshta do të kthehen".
Nëse nuk ndihmojnë të gjitha këto
mjete dhe ai i cili e mohon (Zotin) edhe më tutje e mohon, atëherë
nuk mbetet tjetër përpos ballafaqimit të tij me dënimin
e vërtetë që ta njohë... e njohja e së vërtetës
në realitet është mëshirë. Sikur Zoti xh.sh. t’i
linte në verbësinë e injorancën e tyre dhe t’i linte
pas dore, do të bënte padrejtësi, kurse Zoti xh.sh. është
i pastër nga kjo. Ekspozimi në zjarr i atyre të cilët
e kanë merituar zjarrin, në të vërtetë është
kujdes ndaj tyre, sepse të gjitha veprat e Zotit xh.sh. janë
mëshirë. Ai ndaj atyre që e kanë merituar xhehennemin
është i mëshirshëm në atë mënyrë
që ua ka dhënë, sepse me ndihmën e xhehennemit i edukon
dhe mëson. Ndërkaq, ndaj atij i cili e ka njohur dhe besuar,
bën mëshirë duke e futur në xhennet i cili i takon
si nder dhe mirënjohje nga ana e Sunduesit dhe Krijuesit të vet.
"... Me dënimin Tim do ta dënoj cilin të
dua, kurse mëshira Ime ngërthen çdo send..." (El-A’râf,
156). Ai pra, ka bërë që mëshira e Tij të ngërthejë
gjithçka, pra edhe dënimin e Tij.
Ta pyesim tash mikun, sipas mendimit të tij, a do
të ishte Zoti më i drejtë sikur t’i barazonte mizorët
me ata të cilëve u është bërë mizori, vrasësit
me të vrarët, dhe të gjithë njëlloj t’i shpërblejë
në Ahiret. A do të ishte e drejtë, sipas mendimit të
doktorit, që të barazohet e bardha me të zezën? Atyre
të cilët e përjashtojnë mundësinë e dënimit
të Zotit, u bëjmë pyetje: A nuk po na dënon, në
realitet Zoti, edhe në këtë botë? Çka janë
pleqëria, sëmundja, kanceri etj., përveç se dënime,
por në një mënyrë të caktuar.
Kush është krijues i mikrobit...?!!
A nuk është kjo vërejtje dhe paralajmërim
se gjendemi para Zotit i cili mund të lëshojë dënim.
Përktheu: Miftar Ajdini
Miku vazhdoi të shtrojë pyetje duke bërë
me sy:
Ç’mendim keni ndaj atyre të cilët thonë
se feja është opium, se i bënë si të droguar të
varfërit dhe të shkelurit që në heshtje ta durojnë
dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe mjerimin në të cilin jetojnë,
duke ëndërruar vetëm për xhennetin dhe kënaqësitë
e tij, gjë që, në anën tjetër, të pasurve
u siguron jetë të qetë dhe pa brenga në bollëkun
e tyre për të cilin ata thonë se është e drejtë
e tyre e plotë, sepse Zoti i ka krijuar njerëzit të ndryshëm
sipas pasurisë?
Ç’mendoni për ata të cilët pohojnë
se feja nuk është e dhënë nga Zoti, por se është
rrjedhim i rrethanave dhe nevojave shoqërore, në mënyrë
që të jetë armë e një klase në luftë
kundër klasës tjetër?
Miku, shihet qartë, jep shenjë në mendimet
e disa materialistëve për fenë.
Në këtë iu përgjigjëm:
Është i papranueshëm pohimi se feja është
opium. Përkundrazi, feja në qenësinë e saj është
detyrë, obligim dhe përgjegjësi. Ajo nuk është
shfrenueshmëri dhe braktisje, e as ikje nga përgjegjësia,
prandaj edhe nuk është opium. Feja është punë,
jo përtaci: "Thuaj: Punoni, All-llahu do ta shohë punën
tuaj..." (Et-Tevbe, 105). Ne e rekomandojmë tevvekkulin,
por jo pasivitetin. Tewekkuli (mbështetja në Zotin) kërkon
vendosmëri, shfrytëzimin e të gjitha mundësive, dhënien
e të gjitha forcave dhe shfrytëzimin e të gjitha shkathtësive,
pas të cilave vjen mbështetja në caktimin e Zotit dhe urdhëresën
e Tij:
"... E kur të vendosish, atëherë mbështetu
në All-llahun..." (Âli Imrân, 59). Pra, së pari
vendimi i fuqishëm.
Këtë e shohim edhe nga fjalët e Pejgamberit
të Zotit një beduini i cili deven e tij e la jo të lidhur
duke thënë se është mjaft që është mbështetur
në Zotin: "Lidhe, e tek pastaj mbështetu!" d.m.th.
jepe tërë atë që mundesh nga vetvetja që të
të lidhë, e vetëm atëherë mbështetu në
Zotin.
Feja, në të vërtetë është
zgjuarsi e përhershme, përplot kujdes, vetëkontroll dhe
dhënie e llogarisë me vetveten në çdo punë,
gjatë çdo fjale dhe mendimi, që qartë nuk janë
karakteristika të konsumuesit të drogës.
Konsumues i vërtetë i drogës është
ai i cili dëshiron të ikë nga përgjegjësia për
veprat e tij, i cili mashtrohet me iluzionin se çasti i tij është
mbretëria e tij, se për këtë askujt nuk i përgjigjet,
se nuk ka kontrollë as përgjegjësi, prandaj edhe është
i lirë të veprojë çka të dëshirojë.
Çfarë dallimi ndërmjet njeriut të këtillë
dhe atij i cili veten e konsideron përgjegjës madje edhe për
fqiun më të largët, dhe i cili, nëse kushdo qoftë
mbetet i uritur në popullin e tij apo kafshës i është
bërë padrejtësi, e qorton veten se nuk e ka kryer obligimin
e tij.
E dyta, nuk është i saktë pohimi se feja
ka lindur në Tokë - nga rrethanat dhe nevojat shoqërore,
në mënyrë që të jetë armë e një
klase në luftën kundër tjetrës dhe në mënyrë
që pasanikëve t’ua mbrojë pasurinë e tyre, kurse të
varfërve varfërinë e tyre. E saktë është
pikërisht e kundërta.
Islami është revolucion kundër të
pasurve, grumbulluesve të kapitalit, eksploatuesve dhe tiranëve.
Haptas ka theksuar se kapitali nuk guxon të jetë vetëm në
duart e të pasurve të cilët me të do të manipulojnë
dhe spekulojnë, por duhet të bëhet pronë e të
gjithë njerëzve:
"Ata të cilët e ruajnë arin dhe argjendin
e nuk e japin në rrugën e All-llahut, lajmëroi ata me një
dënim të dhembshëm." (Et-Tevbe, 34). Ky shpenzim fillon
me zeqatin prej 2,5 për qind i cili detyrimisht duhet të ndahet,
kurse pastaj ndarja vullnetarisht rritet deri aty sa vetes t’i lënë
vetëm sa t’u mjaftojë për ushqim, kurse tjetrën krejtësisht
e ndajnë:
"Të pyesin ty se çka do të ndajnë?
Thuaj: Tepricën!" (El-Bekare, 219). Kjo kuptohet nga fjala "el-afwu"
që d.m.th. çdo gjë që tepron nga bollëku dhe
nevoja.
Në këtë mënyrë Islami ka arritur
t’i lidhë obligimet e detyrueshme ligjore dhe dhëniet vullnetare
të cilat mbështeten në ndërgjegjen e çdo individi,
që është shumë më fisnikëruese për njeriun
sesa nga ai ta marrë pasurinë e tij me dhunë dhe konfiskim.
Islami nuk ka ardhur ta konfirmojë dhe vërtetojë
dhunën e tiranëve, por, në të vërtetë ka
qenë revolucion i pakompromis kundër të gjithë tiranëve,
shpatë dhe luftë kundër të gjithë shtypësve
dhe despotëve.
Sa i përket akuzës se feja është reaksionare
dhe klasore, që disa individë të papërudhur e shohin
nga ajeti:
"All-llahu ngriti disa nga ju mbi disa të tjerë
(kundruall disave) në furnizim." (En-Nahl, 71) dhe,
"Ne i kemi ngritur disa nga ju ndaj disa të tjerëve
për disa shkallë..." (Ez-Zuhruf, 32). Të tillëve
u përgjigjemi se këto ajete mund të aplikohen mbi ata në
Londër, Paris, Berlin dhe Moskë po aq sa edhe mbi ata në
Kajro, Damask dhe Xhide. Nëse do të shëtitnim nëpër
rrugët e cilitdo nga këto qytete, do të bindeshim se në
to ka të atillë që ecin në këmbë, derisa
të tjerët i ngasin biçikletat apo voziten në veturat
më luksoze. E ç’është kjo tjetër veçse
dallim i madh i bazuar në nevojat, shkallët dhe pozitat ekonomike
të këtyre njerëzve.
Dallimi ndërmjet njerëzve është dëshmi
e njëmendtë të cilën askush nuk mund krejtësisht
ta fshijë. Si të barazohet pabarazia!? Njerëzit qysh nga
çasti i lindjes së tyre janë të pabarabartë
sipas inteligjencës, fuqisë, bukurisë dhe talentit. Ata
pra, lindin me aftësi të ndryshme dhe jo të barabarta. Synimi
përfundimtar nga sendërtimi i të cilit kanë synuar
të gjitha lëvizjet ekonomike në histori, ka qenë që
të gjithë njerëzve t’u ofrohen mundësi të njëjta,
e jo të vijë deri te barazimi ndëmjet njerëzve. Këto
lëvizje kanë shkuar nga ajo që çdo njeriu t’i mundësohet
shkollimi, mjekimi dhe t’i sigurohet ajo që është e domosdoshme
për ekzistencën e tij jetësore. Kurse tërë këtë
e ka urdhëruar dhe e urdhëron feja. Sa u përket anulimeve
totale të dallimeve dhe heqjes së shkallëve, konsiderojmë
se do të ishte një lloj dhune dhe akt i cili do t’i kundërvihej
vetë natyrës e cila është e mbështetur dhe ekziston
duke iu falënderuar dallimeve dhe fryteve të shumëllojshme
të tokës dhe duke iu falënderuar dallimeve ndërmjet
kafshëve dhe njerëzve. Dallimet, pra, janë qartë të
dukshme edhe në botën bimore dhe shtazore.
Ky është ligj i të ekzistuarit të
tërësishëm, domethënia e të cilit është
krejtësisht e qartë. Sikur të gjithë njerëzit
të lindeshin me cilësi të njëjta dhe sipas një
kallëpi dhe një modeli, atëherë aspak s’do të
kishte nevojë që të gjithë të linden. Do të
mjaftonte që të paraqitet një model sepse ai do të
mund t’i plotësonte të gjithë të tjerët. Rasti
i ngjashëm është edhe me të gjitha krijesat tjera në
natyrën e gjerë. Kjo vetëm do të shpiente deri te varfërimi
i natyrës dhe shkatërrimi i saj sepse pasuria e saj dhe bollëku
i saj janë rezultat i fryteve dhe farave të ndryshme.
Por edhe përveç kësaj, feja nuk e ka
heshtur dallimin ndërmjet të pasurve në një anë
dhe të varfërve në anën tjetër, por ka urdhëruar
korrigjimin e gjendjes ekzistuese. Të varfërit i ka caktuar pjesëmarrje
në pasurinë e të pasurit, duke bërë të kuptojnë
qartë se ky dallim ndërmjet tyre, në të vërtetë,
është sprovë dhe provim:
"Ne bëmë që njëri-tjetrin ta vëni
në sprovë; a do të jeni të durueshëm?" (El-Furkân,
20).
Ne do të shohim se ç’do të bëjë
i fuqishmi me fuqinë e tij. A do t’i ndihmojë të dobëtit
apo do t’i rrahë, vrasë dhe a do të bëhet tiran në
tokë. Gjithashtu do të shohim se ç’do të bëjnë
të pasurit me pasurinë e tyre. A do të bëjnë padrejtësi
e do të shkapërderdhen apo do të jenë të mëshirshëm
dhe bamirës. Do të shohim se ç’do të bëjë
me varfërinë e tij edhe i varfëri. Do të xhelozojë,
urrejë, vjedhë dhe shpërdorojë apo do të punojë,
angazhohet dhe përpiqet që ta përforcojë standardin
e jetës së vet në mënyrë të lejuar dhe të
drejtë ligjore.
Feja urdhëron drejtësinë, korrektësinë
dhe rregullimin e situatave dhe që të gjithë t’i kenë
mundësitë e njëjta. Kërcënohet me dënim të
dhembshëm në botën tjetër, për të cilën
thotë se në të do të jenë dallimet më të
mëdha në mënyrë që të përmirësohet
ajo që ka qenë jokorrekte në jetën e njerëzve
në këtë botë:
"Ahireti është, në të vërtetë,
më i madh përnga pozita dhe përnga vlerat." (El-Isrâ,
21).
Atyre të cilët e akuzojnë Islamin duke
thënë se është reaksionar, u përgjigjemi se Islami
ka miratuar ligje mjaft progresive në sistemin e pushtetit. Respektimi
i personalitetit në Islam ka arritur apogjenë. Ai është
sprovuar para Kartës për të drejtat e njeriut dhe në
çdo gjë e ka tejshkuar, sepse individi në botëkuptimin
islam është i barabartë me mbarë njerëzinë:
"... Nëse dikush vret dikë i cili nuk ka
vrarë askë, ose nuk ka bërë në tokë rrëmujë,
sikur ka vrarë tërë njerëzinë; por kush bëhet
shkaktar për të jetuar dikush - sikur tërë njerëzisë
ia ka ruajtur jetën..." (El-Mâide, 32).
Nuk vlejnë kurrfarë suksessesh, as përmirësimi
i kushteve materiale jetësore, as ndërtimi, as pendat, as fabrikat,
nëse me qëllim të sendërtimit të tërë
kësaj pa të drejtë vritet ose bëhet dhunë kundër
kujtdo qoftë sepse kjo vrasje është e barabartë me
vrasjen e tërë njerëzisë.
Islami personalitetit njerëzor i kushton rëndësi
të madhe. Individi, sipas mësimit islam, ka vlerën absolute,
derisa mësimet tjera politike i japin vlerë relative. Ai është
i siguruar në shtëpinë e tij dhe në jetën e tij
vetjake: "Nuk ka spiunim as përgojim", i mbrojtur në
pasurinë, furnizimin, pronësinë dhe lirinë e tij. Çdo
gjë duke filluar nga selami (përshëndetja), bërja e
vendit në shoqëri për tjetrin, deri te fjala e mirë,
ka vendin e vet në Kur’an, i cili rreptësisht dënon çdo
lloj autokracie, dhune dhe absolutizmi.
All-llahu i madhëruar i thotë Pejgamberit (a.s.)
në një ajet:
"Ti ata nuk mund t’i detyrosh..." (Kâf, 45);
"Ti këshillo - ti je vërtet vetëm këshillues.
Ti ndaj atyre nuk je detyrues." (El-Gâshije, 21-22);
"Vërtet besimdrejtët janë vëllezër."
(El-Huxhurât, 10);
Kur’ani e ndalon kultin e personalitetit:
"Mos ta trajtojmë njëri-tjetrin si zota,
përpos All-llahut." (Âli Imrân, 64);
"Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni
tjetërkë përpos Atij." (El-Isrâ, 23).
Gjithashtu ndalon britmën, karrierizmin, poshtërsinë
dhe bindjen e verbër (lajthitjen) ndaj të humburve dhe thotë:
"Shumica e njerëzve nuk dinë." (Jûsuf,
21);
"Por, shumica e tyre nuk kuptojnë." (El-Ankebût,
63);
"Shumica e njerëzve nuk besojnë." (Gâfir,
59);
"Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe
nuk janë tjetër vetëmse gënjeshtarë." (El-En'âm,
116);
"Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshët,
madje janë edhe më të humbur." (El-Furkân, 44).
Gjithashtu ndalon çdo diskriminim dhe racizëm:
"Më fisniku ndër ju tek All-llahu është
ai i cili më së shumti i ruhet Atij." (El-Huxhurât,
13);
"Ai është i cili ju krijoi vetëm prej
një vete." (El-A'râf, 189).
Kuptuar shkencërisht, Islami është sintezë
universale dialektike e materializmit hebraik dhe e idealizmit të
krishterë, sintezë e drejtësisë së vrazhdë
e cila thotë: dhëmbi për dhëmb dhe syri për sy
dhe dashurinë dhe tolerancës skajore e cila mëson: kush
të godet nga faqja e djathtë, ktheja edhe të majtën.
Kur’ani ka ardhur të zë pozitë të
ndërmjetme ndërmjet Teuratit i cili i tërë i është
kthyer kësaj bote, kënaqësisë materiale në jetën
e kësaj bote dhe Inxhilit i cili kërkon kthyerje të plotë
të asketizmit në këtë botë. Kur’ani thërret
në mëshirë e cila e përfshinë edhe drejtësinë
edhe dashurinë. Urdhëron vetëmbrojtjen, por i jep përparësi
ndjesës, pajtimit dhe faljes:
"Por kush duron dhe fal, s’ka dyshim se ajo është
ndër punët më të larta." (Esh-Shûrâ,
43).
Islami nuk zgjedh zgjidhje të mesme ndërmjet
dhënies së lirisë së plotë individit dhe ndalesës
së saj:
"Burrave ju takon pjesa nga ajo që e fituan ata
dhe grave gjithashtu ju takon pjesa nga ajo që e fituan ato."
(En-Nisâ,32).
Individi është i lirë të fitojë,
por ai nuk ka të drejtë ta marrë tërë fitimin.
Në fitim ai ka pjesën e tij. Edhe i varfëri ka pjesën
e vet. E merr zeqatin dhe shpenzimet prej 2,5 për qind e deri në
90 për qind me forcë ose vullnetarisht. Kjo pjesë të
cilën e merr (i varfëri) nuk është mëshirë
as ndarje vullnetare por e drejtë e Zotit (hakk-ull-llah) në
fitim. Me këtë ndarje jashtëzakonisht të mirë,
Islami individit ia ka ruajtur lirinë, kurse të varfërit
ia ka mbrojtur të drejtën e tij.
Prandaj, Kur’ani ka plotësisht të drejtë
kur u drejtohet pjesëtarëve të vet me fjalët:
"Dhe ashtu ju kemi bërë juve një popull
të drejtë..." (El-Bekare, 43).
Islami në çdo gjë e ka zgjedhur mjedisin
e drejtë.
Ky nuk është mjedis matematikor por dialektik,
është sintezë e dy drejtimeve (të djathtë dhe
të majtë) të cilët i tejshkon dhe ngrihet mbi to. Për
këtë në Islam nuk ka të djathtë as të majtë,
por ka vetëm "sirât", d.m.th. mjedis i drejtë, të
cilin ne e quajmë Rrugë e drejtë.
Kur’ani nuk na ka penguar me kushtetutë të caktuar
politike apo me mënyrën e administrimit deri në hollësi
të përpunuar sepse kushtet dhe situatat ndryshojnë, gjë
që kërkon gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme
dhe më racionale për shpalljen e kushtetutës e cila do të
ndryshonte me ndryshimin e kushteve jetësore. Kur’ani më tej
ka dëshiruar që dyert të jenë gjithnjë të
hapura para muslimanëve për marrje dhe dhënie nga dituritë
e sendërtuara në çdo kohë, pa mbyllje në suazat
e një kushtetute të caktuar.
Për këtë, Kur’ani është kënaqur
me porositë e përgjithshme si karakteristika të pushtetit
ideal. Nuk na ka pranguar me një teori të caktuar. Kjo në
të vërtetë është vetëm një nga fshehtësitë
e përkryerjes së tij absolute, ndërsa në asnjë
mënyrë mangësi dhe e metë.
Kjo, nga ana tjetër, është dëshmi
e qartë e bashkëkohësisë së Kur’anit.
Atyre të cilët thonë se feja do të
thotë stagnim dhe prapambeturi, do t’ju përgjigjemi se Islami
kurrë s’ka qenë i tillë, por përkundrazi, është
fe e të studiuarit, të menduarit, zhvillimit dhe ndryshimit që
shihet nga këto ajete të qarta:
"Thuaj: Udhëtoni nëpër botë dhe
shikoni se si ka filluar krijimi." (El-Ankebût, 20);
"Le të shikojë njeriu se prej çkafit
është krijuar! Është krijuar nga një ujë
i hedhur që del nga meskryqet dhe kraharori." (Et-Târik,
5-7);
"A nuk i shikojnë devet se si janë krijuar,
edhe qiellin se si është ngritur lart, edhe malet se si janë
vendosur, edhe tokën se si është shtrirë (zgjeruar)?"
(El-Gâshije, 17-19).
Të gjitha këto janë urdhëresa të
qarta për studimin e zanafillës së njeriut, kafshëve,
zanafillës së maleve, Tokës, shtresave të kozmosit
dhe botëve të tij. Të gjitha këto janë qëndrime
të cilat përfshijnë gjithë atë që ne sot
e kuptojmë me ndihmën e shkencave siç janë: gjeologjia,
astronomia, anatomia, fiziologjia dhe embriologjia.
Të gjitha ajetet e theksuara lart, në të
vërtetë janë urdhra të qarta që të udhëtohet
nëpër Tokë dhe të mblidhen faktet, pastaj të merren
konkludimet, të zbulohen rregullat dhe ligjet për njohjen e zanafillës
së çdo gjëje që ekziston. Në mbarë këtë
nuk duhet frikësuar gabimisht. Islami e shpërblen me një
shpërblim edhe atë i cili nga dëshira të njohë
(mësojë) gabon, ndërsa atë i cili studion dhe e qëllon
të vërtetën, e shpërblen dyfish.
I paarsyeshëm është pohimi se ne kemi mbetur
mbrapa për shkak të fesë, ndërsa Perëndimi ka
përparur për arsye se e ka refuzuar fenë. E vërteta
është se ne kemi filluar të mbetemi mbrapa atë moment
kur i kemi braktisur urdhrat e fesë sonë. Derisa muslimanët
fuqishëm u përmbaheshin udhëzimeve kur’anore, kanë
përparuar dhe kanë arritur ta krijojnë shtetin e tyre i
cili shtrihej prej Atlantiku deri në Gjirin Arabik, në të
cilin lulëzonte shkenca dhe në të cilin kanë jetuar
dhe punuar dijetarë të mëdhenj sikur që janë Ibn
Sina në mjekësi, Ibni Ruzhdi në filozofi, Ibn Hejthemi në
matematikë, Ibën Nefisi në anatomi dhe Xhabir ibn Hajami
në kimi.
Bota tjetër e atëhershme nga ne mori të
arriturat tona shkencore. Edhe sot e kësaj dite fjalorët astronomikë
përmbajnë terma arabë të yjeve dhe hyllësive (konstelacioneve).
Kështu ende aparati për destilim në frëngjishte quhet
imbique, kurse nga kjo është marrë edhe folja imbiquer,
nga fjala arabishte imbiik.
Perëndimi nuk e ka sendërtuar përparimin
me ateizëm, por me shkencë. Mosmarrëveshjet rreth konfliktit
të fesë dhe shkencës kanë lindur nga njëmendësia
e Kishës së Mesjetës, kur ajo pamëshirshëm ka
qëruar hesapet me dijetarët nëpërmjet inkuizicionit.
Kështu, dijetari i madh Galileu ka qenë i burgosur, ndërsa
Xhordano Bruno është djegur në turrën e drunjve.
Nuk themi se kjo nuk ka qenë keqpërdorim i fesë.
Por, nuk mundemi kurrsesi ta pranojmë mendimin që për këtë
duhet fajësuar edhe Islamin dhe ta mohojmë si fe. Islami në
gjithë këtë është më së paku fajtor,
sepse ai kurrë nuk është shndërruar në hierarki
të priftërisë, sepse kurrfarë hierarkie priftërore
as klerikale nuk e pranon mësimi i tij. Në Islam Zoti nuk ka
vendosur ndërmjetës ndërmjet Tij dhe njeriut.
Nga historia qartë mund të shihet se kur sundonte
Islami, në të vërtetë, ishte faktori më i fuqishëm
i përparimit dhe i çdo progresi. Kur’ani gjithnjë nxit
në kërkimin e diturisë; urdhëron të studiuarit
dhe me vendosmëri hedh poshtë çdo konflikt ndërmjet
shkencës dhe fesë:
"Thuaj: Zoti im, shtoma diturinë!" (Tâhâ,
114);
"A janë të barabartë ata që dinë
dhe ata që nuk dinë?" (Ez-Zumer, 9);
"All-llahu ka dëshmuar se nuk ka zot tjetër
përveç Tij, (këtë e dëshmojnë) edhe ëngjëjt
dhe të diturit..." (Âli Imrân, 18);
Siç shihet nga ajeti i fundit, All-llahu menjëherë
pranë vetes i vendosi ëngjëjt dhe të diturit.
Fjalët e para të cilat i janë shpallur
Muhammedit (a.s.) kanë qenë "ikre" (d.m.th. lexo, mëso,
studio, hulumto...). Kur’ani dijetarëve ua premtoi gradat më
të larta:
"All-llahu, ata nga mesi i juaj që besojnë
dhe ata të cilëve u është dhënë dijenia,
do t’i ngritë në shkallë të lartë." (El-Muxhâdele,
11).
Termi "el’ilmu" (dituria, shkenca) dhe sinonimet
e tij përsëriten 850 herë në Kur’an.
E si mundet dikush që pas të gjitha këtyre
të flasë për konfliktin e fesë dhe shkencës ose
për atë se feja e ndalon shkencën!!!
Të studiohet feja dhe të përcillet zhvillimi
i saj është obligim. Tërë historia islame paraqet lëvizje
të ringjalljes dhe përparim të jetës në tërësi.
Prandaj, Kur’ani është krejtësisht i pastër nga akuzat
se e ndalon shkencën: Ai e pranon dhe e rekomandon zhvillimin. Ai,
në të vërtetë, mban qëndrimin se besimi dhe sheriati
janë të pandryshueshëm, duke e bazuar këtë në
parimin themelor: All-llahu është Një dhe i Vetmi dhe nuk
shtohet në dy apo tre. Ky është një parim absolut.
Gjithashtu e mira është gjithnjë e mirë, kurse e keqja
e keqe. Kurrë vrasja nuk do të bëhet vlerë, as vjedhja
vepër e mirë, sikur që as gënjeshtra nuk mund të
jetë virtyt i njerëzve të mirë e të ndershëm.
Në të gjitha sferat tjera feja i lë dyert e hapura për
idetë, ixhtihadin në të plotësuarit dhe përparuarit.
Thelbi i Islamit është racional dhe logjik,
pranon diskutimin dhe dialogun, duke nxitur në përdorimin e arsyes
dhe logjikës. Në shumë vende dhe në shumë faqe
të Kur’anit hasim në pyetjen: "A nuk kuptojnë, a nuk
marrin vesh". Islami kërkon që ithtarët e tij të
jenë "dijetarë":
"Krijesat më të këqija te All-llahu
janë shurdhmemecët, të cilët nuk duan të kuptojnë."
(El-Enfâl, 22);
"Përse ata nëpër botë nuk udhëtojnë
me qëllim që zemrat e tyre ta kuptojnë atë që
duhet ta kuptojnë, veshët e tyre ta dëgjojnë atë
që duhet ta dëgjojnë..." (El-Haxhxh, 46).
Nga ajetet e theksuara shihet se sa e respektojnë
muslimani dhe feja e tij arsyen. Pozitiviteti dhe revolucionariteti janë
nervat, respektivisht shpirti i Islamit, i cili kurrë nuk mund të
jetë i prapambetur (reaksionar) dhe negativ:
"Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër
atyre që ju luftojnë juve." (El-Bekare, 190).
"All-llahu i do ata që luftojnë në rrugën
e Tij në radhë si të jenë mure të fortifikuara."
(Es-Sâff, 4).
Islami kërkon luftën me jetë, pasuri dhe
pasardhës (fëmijë); kërkon qëndrueshmëri
dhe vendosshmëri; ballafaqim të guximshëm dhe durim në
fatkeqësi. Por mbi të gjitha kërkon qëndrueshmëri
të vazhdueshme. Të gjitha këto janë thelb i Islamit.
Si është e mundur atëherë që
feja me këtë elasticitet, racionalitet, me këtë shtytje
për shkencë dhe të studiuarit e natyrës (së "gjallë"
dhe "të vdekur"), me këtë pozitivitet dhe revolucionaritet,
të akuzohet për stagnim (të jetës) dhe prapambeturi?!
Akuza e tillë mund të bëhet vetëm nga njeriu i cili
nuk i njeh as gjërat elementare të fesë së tij dhe
i cili nuk ka lexuar asnjë shkronjë nga Kur’ani.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
QËNDRIMI
I ISLAMIT NDAJ FEMRËS
Tha miku:
A nuk pajtohesh me mua se qëndrimi i Islamit ndaj
femrës është reaksionar? Miku filloi të numërojë:
Poligamia, mbyllja e femrës në shtëpi, mbulesa, e drejta
e mashkullit në shkurorëzim, e drejta e mashkullit në ushtrimin
e metodave sikur që janë fuqia fizike, refuzimi i fjetjes me
gruan, e drejta e mashkullit me "femrat me të cilat disponon", pozita
më e lartë e burrave në krahasim me gratë dhe pjesa
dy herë më e madhe në trashëgim.
I thashë atij: Akuzat këtë herë janë
të shumënumërta, prandaj edhe biseda do të zgjasë
diç më shumë. Të nisemi prej fillimit. Në periudhën
paraislamike, fëmija femër me lindjen e saj ishte e dënuar
me varrosjen e saj të gjallë. Mashkulli kishte të drejtë
në dhjetë, njëzet, me fjalë të tjera në numër
të pakufizuar grashë. Robëreshat e veta i detyronte që
me anë të kurvërisë t’i sjellin dobi materiale. Duke
e lejuar martesën me më së shumti katër gra, Islami,
në të vërtetë, e vendosi kufizimin e poligamisë
dhe tendencën për suprimimin e saj. Ky hap i Islamit ka qenë
shpëtimtar për femrën, sepse e ka shpëtuar prej turpit,
përçmimit, skllavërimit dhe vdekjes më brutale, të
dhunshme. Që këtë mos ta arsyetojmë në mënyrë
të veçantë, të pyetemi, a thua femra bashkëkohore
në kushtet formale të martesës monogamike është
e lumtur, e kënaqur dhe në nivelin e duhur të dinjitetit
njerëzor, kur dimë se është fundosur në jetën
ku sundon korrupsioni dhe amoraliteti i të gjitha llojeve. Ç’është
më dinjitoze për femrën: të jetë gruaja e dytë
në martesë ligjore me të gjitha të drejtat apo të
bëhet dashnore që në fshehtësi kërkon kënaqësi
fizike.
Përveç kësaj, Islami poligaminë
e kushtëzoi ashtu që gati ajo është e pamundur. Me
fjalë të tjera, martesa me dy, tri dhe më së shumti
katër gra i është lejuar njeriut i cili mund të jetë
i barabartë dhe i drejtë ndaj të gjithave:
"... Por, në qoftë se frikësoheni se
nuk do të jeni të drejtë, atëherë (kënaquni)
vetëm me një!..." (En-Nisâ, 3) dhe
"Ju nuk mund të jeni plotësisht të drejtë
ndaj grave tuaja, sikur ju këtë edhe ta dëshironit..."
(En-Nisâ, 129).
Sa i përket lidhshmërisë së femrës
me shtëpinë, kjo si urdhër ka të bëjë vetëm
me bashkëshortet e Të dërguarit të Zotit, sepse ato
merren si shembuj ideal për femrat:
"Në shtëpitë tuaja qëndroni..."
(El-Ahzâb, 33).
Nga kjo shihet rekomandimi islam për femrën
si nënë dhe amvise, femrën e cila tërësisht i
përkushtohet familjes dhe shtëpisë së vet.
Mirëpo, Islami nuk ia ndaloi femrës daljen prej
shtëpisë dhe marrjen me punë të ndryshme, nëse
këtë nevojat e kërkojnë. Tekefundit në historinë
e popujve islamë gjejmë një numër të madh femrash
të cilat u dëshmuan si juriste dhe poete të shkathëta.
Muslimanet kanë marrë pjesë në luftëra njëlloj
sikur që kanë marrë pjesë edhe në të gjitha
sferat e jetës kulturore.
Ajeti i theksuar paraprak paraqet vizionin e gjendjes
ideale sa i përket pozitës së femrës,ndërsa ndërmjet
gjendjes ideale, të mundshme dhe të vërtetë ekzistojnë,
natyrisht, dallime të mëdha. Edhe gratë e Pejgamberit të
Zotit kanë shkuar në luftë bashkë me të.
Ta vështrojmë tash kundërshtimin për
shkak të mbulesës së femrës. Menjëherë të
themi se ajo shkon në llogari të femrës dhe dinjitetit të
saj. Islami ka lejuar zbulimin e fytyrës dhe duarve, ndërsa ka
ndaluar zbulimin e pjesëve tjera të trupit. Është e
vërtetë e dëshmuar se "pema e ndaluar" është më
tërheqëse; mbulimi i pjesëve të caktuara të trupit
vetëm e zmadhon tërheqjen dhe dëshirën për to.
Kaherë është zbuluar se në fiset primitive në
të cilat femrat janë të zbuluara, gatise nuk ka ndjenjë
dashurie. Meshkujt dhe femrat takohen vetëm një herë një
muaj, e nëse ajo mbetet me barrë, marrëdhëniet seksuale
ndërpriten dy vjet. Edhe në përvojën tonë kemi
shembuj të shumtë të cilët e dëshmojnë këtë
të vërtetë. Trupat lakuriq të femrave të cilat
na rrethojnë verës nëpër plazhe nuk janë joshës,
tërheqës dhe nxitës sikur kur janë të mbuluar.
Është e pakontestueshme se femrës më së shumti
i ka mbetur të jetë e dashur dhe se si femër, së pari
dhe më së shumti e përul ajo që ia heq nxitjen dhe
tërheqshmërinë.
Sa i përket kundërshtimit për të drejtën
e mashkullit në shkurorëzim, do të jemi krejtësisht
të shkurtër. Sikur që mashkulli mund ta shkëpusë
martesën, këtë mund ta bëjë, me anë të
gjyqit, edhe femra po qe se ka shkaqe të arsyeshme. Në anën
tjetër, femra me rastin e lidhjes së kurorës, themelimin
e saj mund ta kushtëzojë me të drejtën e saj për
shkurorëzim.
Përveç kësaj, ekziston një dallim
qenësor në pozitën bashkëshortore të muslimanes
dhe femrës evropiane. Me rastin e lidhjes së martesës, muslimani
pranon mehrin, ndërsa femra në Perëndim sjell miraz (prikën).
Muslimanja, më tej, krejtësisht e pavarur disponon me pasurinë
e saj, derisa me pasurinë e evropianes disponon burri i saj.
E drejta e mashkullit në aplikimin e mjeteve fizike
dhe largimin prej shtratit bashkëshortor, ka të bëjë
vetëm ndaj atyre femrave të cilat shprehin disa lajthitje të
caktuara seksuale dhe bashkëshortore. Kryesisht kjo ka të bëjë
me dy ekstravaganca më të përhapura dhe psikologjikisht
të shpjeguara: mazohizmin dhe sadizmin. Në rastin e parë
femra dëshiron të jetë fizikisht e munduar, kurse në
rastin tjetër, që ajo ta mundojë bashkëshortin. Kjo,
në të shumtën e rasteve mund të kuptohet si mu’xhize
kur’anore, sepse shumë para çfarëdo zbulimeve psikologjike,
i ka vënë këto veti dhe marrëdhëniet ndaj tyre
duke i lejuar mashkullit që femrën - mazohiste ta shërojë
me ilaçin që e dëshiron ajo, kurse ato janë të
rrahurat fizike, ndërsa femrën sadiste ta shërojë me
braktisjen e shtratit bashkëshortor:
"... E pastaj në shtrat ndanu nga ato, e madje
edhe rrahni..." (En-Nisâ, 34).
Këto dy fjalë përmbajnë vëllime
të tëra të hulumtimeve psikologjike për ekstravagancat
seksuale të femrës dhe shërimit të saj.
Sa i përket kundërshtimit për të drejtën
e mashkullit në "femrat me të cilat disponon", të
kuptuarit e tij ashtu siç duhet, parashtron diskutimin e raportit
të Islamit ndaj robërisë. Është e njohur orvatja
e disa orientalistëve që ta akuzojnë Islamin, duke pohuar
se anon nga robëria,ndonëse Islami,sikur që këtë
do ta shpjegojmë, është feja e vetme e cila kërkon
suprimimin e robërisë.
Nëse do ta lexonim Inxhilin (Ungjëllin) dhe
po t’i shqyrtonim posaçërisht fjalët e apostullit Pal
nga shkresat e tij të drejtuara popullatës së Efsusit, do
të gjenim thirrjen më të hapët për robëri,
në të vërtetë, kërkesën më të drejtpërdrejtë
të përuljes së tillë të robërve ndaj zotërinjve,
e cila është e njëjtë me përuljen ndaj Zotit:
"Ejjuhe-l-abid.. Ettîû sâdetikum bi
hawfin we ra’detin fi besâtati kulubikûm kemerr-rabbi." (Inxhili).
"O ju robër!! Nënshtrojuni zotërinjve tuaj
me frikë dhe brengë në përuljen e zemrave tuaja sikur
Zotit!"
Inxhili nuk ka kërkuar suprimimin e robërisë
sikur sistem. Qëllimi i tij i fundit ka qenë vendosja e dashurisë
dhe marrëdhënieve të mira midis robërve dhe zotërinjve
të tyre.
Sipas Teuratit ekzistues, fati i të lirëve është
më i keq se sa fati i robërve. Prej porosive të tij është
që: banorët e vendit të cilët dorëzohen pa luftë
merren si robër, derisa banorët e vendit të cilët kundërvihen
me armë e pastaj dorëzohen, u ekspozohen armëve dhe vriten.
Tmerrit nuk mund t’i shmangen as gratë, as fëmijët, as pleqtë.
Pra robëria, para paraqitjes së Islamit ka qenë
dukuri e rëndomtë dhe e përhapur, ndërsa fetë
para Islamit porositnin nënshtrim ndaj zotëriut.
Kur’ani është libri i parë i shpallur i
cili flet për lirimin e robërve. Ai nuk e ndaloi kategorikisht
robërinë as që kategorikisht kërkoi lirimin e robërve,
sepse realizimi praktik i qëndrimit të tillë në kuptimin
e tij të vërtetë do të thotë shkatërrim i
strukturës së tërësishme të shoqërisë
së atëhershme. Kjo në të vërtetë, do të
thoshte dalje e qindra mijëra lypsave nëpër rrugë duke
kërkuar lëmoshë ose të vjedhin, plaçkisin, të
merren me kurvëri për shpëtimin e lëkurës. Është
e panevojshme të theksohet se një gjendje e tillë do të
ishte më e keqe se sa robëria. Andaj Kur’ani ka konstatuar realisht
rrugën më të pranueshme, rrugën e eliminimit gradual
të robërisë. Ai fillon ashtu që së pari e mbyll
robërinë e gjetur dhe pastaj i shkatërron të gjitha
burimet e saj. Në atë kohë robërimi në luftë
ishte burimi kryesor i robërisë dhe Kur’ani urdhëroi lirimin
e robërve, me apo pa kompensim dhe ndaloi që robërit e zënë
në luftë të shndërrohen në robër:
"...E mandej, ose me zemërgjerësi nga robëria
lironii, ose dëmshpërblim kërkoni..." (Muhammed, 4).
Pasi që i likuidoi burimet e robërimit të
ri, do të thotë e pamundësoi zgjerimin e tij të mëtejshëm,
Kur’ani me mjete jashtëzakonisht efikase praktike e hapi rrugën
për suprimimin e plotë të robërisë. Muslimanit
i cili bën ndonjë mëkat, Kur’ani si formë të kompensimit
i ofroi lirimin e robit, me atë që pesha e mëkatit është
harmonizuar me numrin e robërve të cilët duhet liruar.
Në aspektin e robërisë së femrave,
për çka flet miku ynë, gjendja është në
shenjë të të lartshënuarës. Mirëpo, është
e nevojshme të theksohet që deri në suprimimin përfundimtar
të robërisë, mashkulli ka të drejtë të sillet
me robëreshën sikur me gruan e tij të ligjshme, por jo edhe
ndryshe. Nëse i kemi përmendur marrëdhëniet ndaj robëreshës
sikur ndaj gruas së ligjshme, për atë kjo do të thotë
nder e kurrsesi përulje.
Në të njëjtën kohë duhet të
jemi të vetëdijshëm se Islami me proklamatën e tij
për vëllazërimin e njerëzve, robin e barazoi me zotëriun
e tij:
"Vërtet, besimdrejtët janë vëllezër."
(El-Huxhurât, 10).
"Ai është i cili ju krijoi vetëm prej
një vete (njeriu)..." (El-A’râf, 189).
"... Dhe njëri-tjetrin, në vend të All-llahut,
mos t’i konsiderojmë si zotër!" (Âli Imrân, 64).
Muhammedi (a.s.) me një shembull të vetin ka
treguar se si do të eliminohet robëria. Ai robin Zejd ibni Harithin
së pari e bijësoi, pastaj e liroi dhe e bëri si bir të
vetin. Shkoi edhe më larg dhe ia kurorëzoi vajzën e një
familjeje të njohur fisnike, Zejneben, të bijën e Xhahshit.
Muhammedi (a.s.) këtë e bëri për shkak që njëherë
e përgjithmonë t’i shkatërrojë të gjitha aspektet
e mendjemadhësisë dhe anshmërive. Lirimin e robërve
e bëri praktikë të cilën muslimanët, ithtarët
e tij, duhet ndjekur. Ai, më tej, me vepër dhe shembull vetjak,
tregoi se misioni i tij është lirimi i plotë i njeriut nga
të gjitha aspektet e robërisë (përveç Një,
të Vetmit Zot).
Në kundërshtimin e mikut që ka të
bëjë me ajetin në të cilin Kur’ani e shënon aftësinë
më të madhe të meshkujve nëse krahasohen me femrat
dhe ate në kryerjen më efikase të (disa) punëve, përgjigjemi
ashtu që mikut i përkujtojmë që pak më mirë
ta shohim realitetin jetësor, gjendjen faktike si në botën
muslimane ashtu edhe në botën jomuslimane. Gati në të
gjitha vendet e botës, meshkujt janë ata të cilët e
kanë sundimin në duart e tyre. Ata miratojnë ligjet dhe
dispozitat. Edhe të gjithë pejgamberët e Zotit kanë
qenë të gjinisë mashkullore. Gati e njëjta gjë
është edhe me filozofët, e deri diku edhe me kompozitorët,
edhe pse vetë komponimi më tepër mbështetet në
fuqi të imagjinatës se sa në fuqi të muskujve. Akkadi
(mendimtari dhe islamologu i njohur egjiptian, N. I.) me ironi thotë
se madje edhe gatimi, qepja dhe modelimi janë punë të cilat
përndryshe mendohen specialitete të femrave, terren jo i rrallë
ku meshkujt ua tejkalojnë femrave.
Të gjitha këto janë fakte në të
cilat sheriati islam nuk ka kurrfarë kontributi, sepse këto janë
dukuri të përgjithshme në të gjitha pjesët e botës,
dhe atje ku sheriati islam nuk sundon as që gjykohet sipas Kur’anit.
Të gjitha këto janë të vërteta faktike. Mashkulli
është më i qëndrueshëm se femra sipas ligjit të
natyrës, duke iu falënderuar ndërtimit të tij të
trupit, me të cilin Krijuesi e ka dhuruar. Nëse diku në
botë edhe ndodh që femra të zgjedhet për ministre,
udhëheqëse ose sunduese, kjo gjë është e rrallë
dhe përjashtim i cili vetëm e konfirmon parimin.
Përveç kësaj, këtu është
e nevojshme të theksohet se Islami vetëm e ka regjistruar parimin
tashmë ekzistues.
Pas gjithë kësaj që u tha, bëhet plotësisht
i qartë qëndrimi i Islamit për çështjen e trashëgimit,
kur e ka paraparë që mashkulli të trashëgojë pjesën
dy herë më të madhe në krahasim me femrën. Kur’ani
këtë përparësi ia dha mashkullit thjesht sepse mashkulli
është ai i cili shpenzon në mbajtjen e tërë familjes
nga ajo që personalisht e fiton me punën dhe djersën e tij.
Ai nuk mund të marrë pjesë në pasurinë e gruas
së tij (pa lejen e saj).
Nga e ekspozuara mund të përfundojmë se
qëndrimi i Islamit ndaj femrës është plotësisht
me vend dhe i drejtë. Sjellja e Muhammedit (a.s.) ndaj bashkëshorteve
të tij ka qenë mishërim i dashurisë. Ndaj tyre ka treguar
simpati dhe respekt të plotë. A nuk tha:
"Nga bota juaj të dashur më janë
gratë dhe aroma, kurse gëzimi im më i madh është
në namaz".
Siç shihet nga fjalët e tij, gratë janë
përmendur së bashku me aromën dhe namazin. Edhe fjalimin
e tij të fundit lamtumirës të drejtuar as’habëve kur
ndahej nga kjo botë, e përfundoi me porosinë që të
jenë të sjellshëm ndaj bashkëshorteve të tyre.
Dhe në fund, All-llahu i Gjithëmundshëm
xhel-le shanuhu, mashkullit ia besoi ndërtimin, ngritjen dhe rregullimin
e jetës, por femrës ia dhuroi rolin më të madh, më
të rëndësishëm, më të rëndë dhe
më të ndershëm: ia besoi edukimin e vetë njeriut.
Ky besim, pa mëdyshje paraqet nderin më të
madh për femrën. Prandaj, a mund të konfirmohet pas tërë
kësaj të ekspozuarës, se Islami ndaj femrës ka qenë
i padrejtë dhe se i ka bërë dhunë?!!
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
Miku im vazhdoi duke besuar se kësaj radhe më ka
shpjerë në situatë të vështirë e pa rrugëdalje.
- Ç’është dëshmia juaj se njeriu
ka shpirt, se pas vdekjes do të ringjallet, se nuk është
vetëm trup i cili pas vdekjes shkatërrohet në elementet
e tij përbërëse dhe çka thotë feja juaj për
të ftuarit e shpirtrave?
Pas të menduarit të shkurtër iu përgjigja
mikut:
- Pyetja juaj, pa dyshim, është mjaft e ndërlikuar.
Diskutimi për shpirtin është sikur të ecurit nëpër
parrugësi (absurditet). Dëshmitë ekzistuese flasin në
llogarinë tonë e jo tuajën.
Jam ndalur ca çaste duke menduar, e pastaj kam
vazhduar:
- Përpiqu që së bashku me mua të mendosh
pak! Treguesi i parë i cili do të na ndihmojë kur diskutojmë
për ekzistimin e shpirtit është fakti i pranuar se njeriu
ka dy natyra:
Natyrën e jashtme, fenomenale, të dukshme në
të cilën bën pjesë trupi i tij me të gjitha cilësitë
e materies, kurse e cila si e tillë ka peshën e saj, zë
vend të caktuar, i nënshtrohet ndikimit të kohës, ndërrimit,
lëvizjes, kalimit nga gjendja në gjendje, bie në situata
të ndryshme: njëherë është e shëndoshë
që herën tjetër të sëmuret; e njeh trashësinë,
ligësinë, të kuqtë, zbehjen; gjendet në gjendjen
e aktivitetit, përtacisë, e kaplon kotja, zgjuarsia, uria, ngopësia.
Këtu hyjnë edhe ndjenjat, disponimet, epshet, frika, pasionet
etj.
Për shkak të asaj që kjo natyrë e
jashtme e dukshme e njeriut me ndjenjat plotësuese ka atribute të
materies, themi se trupi i njeriut dhe shpirti i tij shtazarak janë
nga materia; dhe natyra shpirtërore brenda vetë njeriut e cila
është e ndryshme nga e para dhe me te e kundërt. Karakteristikat
e saj janë: jondryshueshmëria, moskufizimi me kohë dhe vend
dhe përhershmëria. Atë e përbëjnë: arsyeja
me kriteret, përfundimet (logjike) dhe kategoritë e saj të
përhershme, ndërgjegjja me ligjet e veta, ndjenja estetike dhe
"Uni" (i njeriut) i cili në vete përmban të gjitha cilësitë
e theksuara të mendjes, ndërgjegjes, ndjenjës estetike dhe
etike. "Uni" është jomaterial dhe plotësisht i ndryshëm
nga shpirti shtazarak të cilin e copëtojnë uria dhe nepset.
"Uni" është uni (qenia) i njeriut absolutisht i pakufizuar me
ndihmën e të cilit ai përjeton ndjenjën e thellë
të pranisë, ekzistencës, të treguarit dhe të prezentuarit
në botë: se këtu është dhe se këtu ngaherë
ka qenë. Kjo ndjenjë është e përkohshme, gjithnjë
e njëjtë, pa të kaluarën dhe të ardhmen e saj.
Uni është, në të vërtetë, E tashmja e vazhdueshme
e paraqitur në ndjenjën e gjithnjëshmërisë dhe
përhershmërisë.
Këtu natyrisht bëhet fjalë për llojin
krejtësisht tjetër të të ekzistuarit nga i pari. Ky
ekzistim nuk ka atribute të materies prandaj nuk i nënshtrohet
ligjit të ndryeshmërisë dhe nuk është i kufizuar
as me kohën, as me vendin e as që mund me diç të
matet. Duke iu falënderuar jondryshueshmërisë së këtij
ekzistimi, arrijmë ta masim të ndryshueshmen; duke iu falënderuar
absolutitetit të tij mësojmë relativen në botën
e materies. Shkurt, fjala është për të ekzistuarit
e natyrës shpirtërore (tabîaturr-rruhijje).
Të pyetemi tash: cila nga këto dy natyra e përfaqëson
njeriun. A është njeriu trupi i tij apo shpirti i tij?
Që të vijmë deri te përgjigjja e vërtetë
në pyetjen e shtruar, duhet të hulumtojmë se cila nga këto
natyra i është nënshtruar tjetrës.
Materialistët pohojnë se njeriu në të
vërtetë është trupi i tij, i cili ka rol parësor
në krahasim me të gjitha të tjerat që njeriu i posedon.
Të gjitha të tjerat, siç janë: arsyeja, përfundimi
logjik, ndjenjat (estetike dhe etike), ndërgjegjja, qenia ose "Uni"
njerëzor, vetëm janë shtojca të trupit dhe kanë
rëndësi të dorës së dytë në krahasim
me trupin, sepse i janë nënshtruar dhe janë në shërbim
të tij.
Mirëpo, ky pohim i miqve tanë materialistë
është i gabuar. Trupi i njeriut i është nënshtuar
shpirtit të njeriut. Ai e ndjek shpirtin e jo shpirti atë. A
nuk ndodh që trupi të kërkojë ushqimin kurse ne e privojmë
nga ky, sepse paraprakisht kemi vendosur që atë ditë të
agjërojmë në emër të All-llahut?! Trupi ynë,
kur zgjohemi në mëngjes, fillon mekanikisht ta zbatojë planin
e punës të cilin e kemi planifikuar dhe deri në hollësi
e kemi përpunuar. Kush është ai i cili këtu vërtet
ndjek, dhe kush është ai i cili është i ndjekur?!!
Atë çast kur luftëtari vendos të flijohet dhe e ngjesh
dinamitin rreth vetes me të cilin dëshiron ta shkatërrojë
tankun, ku është atëherë trupi, ku është
aty interesi material të cilin ai do të mund ta arrinte me flijimin
e jetës së tij? Kush e ka fjalën vendimtare në këtë
çast? Shpirti është ai i cili vendos të mos e shpjegojë
me çfarëdo interesi material asnjë drejtim materialistik.
Por edhe trupi nuk ka fuqi ta refuzojë urdhrin e shpirtit, që
t’i kundërvihet. Atij i mbetet vetëm të zhduket. Tash shihet
qartë se cila nga këto dy bota ekzistuese është më
parësore dhe më e rëndësishme, cila nga dy natyrat
e njeriut vërtet e përfaqëson njeriun?!
Ne sot kemi më shumë dëshmi që trupi
i njeriut ka rëndësi dytësore në krahasim me shpirtin
e tij. Këtë të vërtetë na e vërteton tërë
ajo që sot ndodh në fushën e amputimit, transplantimit të
disa pjesëve të trupit të njeriut; çka lexojmë
për zemrën elektronike, veshkët artificiale, bankën
e gjakut dhe syve dhe çka dimë për transplantimin e disa
gjymtyrëve sikur të duarve, këmbëve dhe zemrës.
Nuk do të jetë aspak e çuditshme dhe qesharake nëse
dhëndri në vitin 2000 hyn tek nusja dhe e sheh si ajo e nxjerr
nga goja protezën, e heq perukën, i heq gjinjtë plastikë,
i nxjerr sytë artificialë, e heq këmbën e drurit dhe
në fund nga nusja mbetet vetëm skeleti i ngjashëm me shasinë
pa dyer dhe ulëse.
Shohim se trupi mund të prehet deri në atë
shkallë, të zbërthehet dhe mbërthehet pa kurrfarë
frike se çka do t’i ndodhë personalitetit, çka qartë
flet se ajo dorë, këmbë, flokë, ata sy ose gjinj nuk
janë vetvetiu njeri. Ti sheh se këto organe mund të transferohen,
ndërrohen dhe në vendin e tyre të vendosen bateritë,
vidhat dhe pjesë nga alumina e që njeriu sërish të
mbetet ai që është, pra, njeri. Pra shihet se shpirti është
ai i cili "mban timonin" duke drejtuar makinën e cila quhet trup.
Atë mundemi praktikisht ta prezentojmë si një drejtori të
cilën sërish e përfaqëson këshilli i drejtorisë
i përbërë nga shumë qeliza të trurit. Por shpirti
në asnjë rast nuk është tru. Shembulli i trurit është
i ngjashëm me shembullin e qelizave të trupit i cili i nënshtrohet
urdhrit të cilin e pranon dhe të cilin e zbaton. Trup në
tërë këtë janë vetëm dorëzat të
cilat i vesh ajo dorë e padukshme - shpirti dhe me ndihmën e
tyre operon në botën e materies.
Në bazë të kësaj që u tha të
përfundojmë se: Njeriu ka dy natyra: parësor është
shpirti i tij, kurse dytësor trupi i tij.
Pas vdekjes natyra dytësore shkatërrohet (zhduket),
kurse parësorja i bashkangjitet botës së amshueshmërisë.
Sa u përket ithtarëve të filozofisë,
atyre dëshirojmë t’ua prezentojmë një dëshmi tjetër
të të ekzistuarit të shpirtit në bazë të
cilësisë me të cilën shquhet lëvizja. Kjo lëvizje
është e pamundur të kundrohet përveç jashtë
vetë atij. Është e pamundur ta kuptosh lëvizjen deri
atëherë derisa edhe vetë ti bashkë me atë lëvizë
në rrethin e njëjtë. Që ta kuptosh duhet ta kundrosh
nga jashtë. Mund të të ndodhë që në ashensorin
lëvizës nuk mund ta kuptosh se a është i ndalur ashensori
apo është duke lëvizur. Kjo është kështu
sepse je bërë pjesë e tij e përbashkët në
lëvizjen e tij. Të vërtetën do ta mësosh atëherë
kur nëpër dyert e ashensorit do ta hedhish shikimin në objektet
që gjenden jasht. Ngjashëm ndodh nëse gjendesh në tren
i cili ngadalë lëvizë nëpër binarë. Lëvizjen
e trenit e ndien vetëm atëherë kur ai ndalet ose kur ta
hedhish shikimin nëpër dritare. Nuk do të mund ta vëresh
as lëvizjen e Diellit nga Dielli. Lëvizja e tij mund të
vërehet nga Hëna apo Toka, sikur që as lëvizja e Tokës
nuk mund të vërehet meqë gjendemi në të. Lëvizjen
e saj mund ta kundrosh, për shembull, nga Hëna.
Një gjendje mund ta përfshishë vetëm
kur gjendesh jashtë saj. Ne nuk do të kishim mundësi ta
kuptojmë karakterin kalimtar të kohës sikur te ne të
mos ishte "pjesa e cila kupton", kurse e cila është jashtë
kësaj kalueshmërie të vazhdueshme kohore, d.m.th. e cila
qëndron "në prag të amshueshmërisë". Sikur botëkuptimi
ynë i karakterit kalues të kohës të lëvizte çdo
çast me treguesin i cili i tregon sekondat, asnjëherë
nuk do të mund t’i kuptonim ato sekonda.
Kështu vijmë deri te rezultati hutues se në
vetë ne ekziston pjesa e të ekzistuarit tonë, e cila është
jashtë suazës së kalimit të kohës, d.m.th. e cila
është e amshueshme. Ajo e kundron lëvizjen e kohës,
kurse vetë është në gjendjen e qetësisë,
e kupton atë dhe nuk përzihet në të. Për këtë
arsye kjo pjesë nuk rritet dhe nuk vjetrohet, prandaj edhe nuk shkatërrohet.
Atë ditë kur trupi i njeriut vdes, kjo pjesë do të
mbetet duke jetuar jetën e saj të veçantë pa u kufizuar
me kohën. Kjo pjesë është shpirti.
Të gjithë ne mundemi në brendinë tonë
ta ndiejmë këtë ekzistencë shpirtërore në
trajtë të pranisë, përhershmërisë, tregueshmërisë
dhe ekzistueshmërisë e cila është plotësisht e
ndryshme nga të ekzistuarit e ndryshueshëm material.
Kjo gjendje e brendshme të cilën e ndiejmë
dhe kuptojmë në çastet e zgjuarshmërisë së
brendshme, kurse të cilën e kemi quajtur gjendje e pranishmërisë,
në të vërtetë, është udhëheqës
i cili na udhëheq nga ekzistenca shpirtërore brenda nesh dhe
na shpie deri te enigma që quhet shpirt...
Dëshmia e dytë për ekzistencën e natyrës
sonë shpirtërore është ndjenja jonë fillestare
(fitrijjeh) e lirisë. Sikur me ndonjë rast të jemi vetëm
trupa materialë brenda jetës materiale me të cilën
drejtojnë ligjet e domosdoshme materiale, ndjenja jonë fillestare
e lirisë nuk do të ketë kuptimin e vet. Domethënë
se ne posedojmë shpirtin i cili ngrihet mbi suazat e kohës dhe
i tejkalon vdekjen dhe nevojat materiale.
Ç’të thuhet këtu për ringjalljen.
Askush pas vdekjes nuk është kthyer që
të na lajmërojë për atë se çka ka ndodhur
me të atje. Nuk ka hyrë as Dita e Ringjalljes e cila do të
na shërbente si argument dhe dëshmi e qartë (e ringjalljes
së sërishme). E gjithë ajo që mund të thuhet për
ringjalljen është se ringjallja është e vërtetë
fetare të cilën e pranojnë edhe arsyeja edhe shkenca. Ato
e pranojnë këtë të vërtetë fetare për
shkak se dëshmitë e të ekzistuarit sikur edhe të gjitha
fenomenet e tij tregojnë atë se në çdo gjë ekziston
kthimi nga pika nisëse dhe se çdo gjë ka rendin e vet.
Kështu nata e ndërron ditën në mënyrë që
kjo dukuri të përsëritet sërish me fillimin e ditës
së re. Dielli lindet, pastaj perëndon në mënyrë
që sërish të lindet. Stinët e vitit ndërrohen:
vjen vera, pastaj vjeshta, e pastaj vijojnë dimri dhe pranvera në
mënyrë që menjëherë pas pranverës sërish
të fillojë vera e pas saj vjeshta, pastaj dimri dhe kështu
me radhë. Pasi të zgjohemi ne përsëri flejmë,
e kjo parashtron zgjimin tonë të sërishëm. Të
gjitha këto janë fakte të cilat na konfirmojnë se pas
vdekjes pashmangshëm vjen zgjimi i sërishëm, sepse "çdo
gjë ka rendin e saj". All-llahu i Gjithëfuqishëm për
Veten në Kur’an thotë se është Fillues (el-mubdi’u)
dhe Përtëritës (el-mu’idu):"
"Ashtu siç ju ka krijuar, ashtu edhe do të
ktheheni tek Ai..." (el-A'râf, 29).
"Ai me të vërtetë e filloi krijimin
e pastaj e përsërit atë..." (Jûnus, 4).
A nuk lundron çdo gjë në gjithësinë
e gjerë duke filluar nga atomi e deri te galaktika!? Madje edhe qytetërimet
kanë lëvizje zik-zake. Edhe historia gjithashtu. Dhe pikërisht
ky fakt i kthimit të amshueshëm, i cili inkuadron çdo
gjë që ekziston, e konfirmon fenomenin e ringjalljes pas vdekjes.
Dëshmia e dytë e ringjalljes është rendi i vendosur
preciz i cili e përfshinë tërë gjithësinë,
në të cilën çdo gjë funksionon sipas planit
të caktuar me mençuri dhe zhvillohet sipas një rregulle
të dhënë. Rregullimi i këtillë sundon në
galaktikën më të madhe dhe në pjesëzën më
të vogël të gjithësisë - atomit, e madje edhe
në pjesëzën e tij - elektronin. Rendi dhe rregullimi përfshijnë
çdo gjë që ekziston. As pjesa e atomit - elektroni nuk
mund të kalojë nga "kozmosi" në "kozmos" brenda vetë
atomit përveç me kusht që të marrë sasi të
energjisë, fuqia e së cilës është në pajtim
me shpjetësinë e tij. Që ta shpjegojmë këtë
më mirë ta paramendojmë elektronin si udhëtar i cili
që të udhëtojë diku duhet të ketë biletë
udhëtimi.
E si mundemi atëherë të kuptojmë që
në këtë rregullim të rregulluar saktësisht mund
të ikë dorasi apo tirani nga dënimi për shkak se ka
arritur ta mashtrojë policinë. Arsyeja flet se do të pajtohen
llogaritë. Kështu flet drejtësia. Njerëzit nga natyra
janë të prirur të shkojnë nga drejtësia, që
të duan e të kërkojnë, dhe të përpiqen që
ta sendërtojnë. Por edhe përskaj gjithë kësaj,
drejtësia në këtë botë nuk është realizuar
gjithnjë.
Nëse etja për ujë, siç thonë
mendimtarët, tregon ekzistimin e ujit, atëherë edhe etja
për drejtësi tregon ekzistimin e drejtësisë. Mirëpo,
nëse drejtësia absolute nuk ekziston në këtë botë,
atëherë doemos do të vijë dita dhe çasti kur
do të vendoset drejtësia.
E gjithë kjo që u tha deri më tash tregon
se ekziston ringjallja pas vdekjes. Ai i cili beson në Kur’an, nuk
ka aspak nevojë për dëshmitë e këtilla të
ringjalljes për arsye se ai beson me zemër dhe se është
liruar nga lodhja të cilën e imponon diskutimi:
"Dhe kur të pyesin ty për shpirtin, thuaju:
"Shpirti është punë vetëm e Zotit tim, kurse juve u
është dhënë fort pak dije." (El-Isrâ, 85).
Shpirti është fshehtësi për të
cilën askush nuk di asgjë. Është interesant të
theksohet këtu se në Kur’an gjithnjë gjatë të
përmendurit të shpirtit është thënë se ai
është "punë e Krijuesit":
"... I cili ia shpall Shpalljen, Fjalët e Tij
- kujt të dojë nga robërit e Tij..." (El-Mu’minu, 15);
"Ua dërgon ëngjëjt me shpallje, sipas
urdhrit të Tij, atyre njerëzve të vet që Ai do..."
(En-Nahl, 2);
"Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë)
zbresin ëgjëjt dhe Xhibrili për të gjitha çështjet."
(El-Kadr, 4).
"Kështu Ne edhe ty të shpallim atë çka
po të shpallet." (Esh-Shûrâ, 52).
Gjithnjë, pra, pranë shprehjes shpirti (err-rruhu)
janë përmendur edhe fjalët: "Sipas caktimit tonë",
"Sipas caktimit të Tij", "Sipas caktimit të Krijuesit
tim".
A nënkupton shprehja "Urdhri i Zotit" shpirtin? Edhe
"Fjala e Zotit" gjithashtu?
A nuk ka thënë All-llahu për Isaun (a.s.)
se është:
"... Me fjalën e vet se emrin do ta ketë
Mesih, Isa, i biri i Merjemesë..." (Âli Imrân, 45);
"Fjala e Tij, të cilën ia tha Merjemes dhe
Fryma (Shpirti) i Tij." (En-Nisâ, 171).
A janë shprehjet el-emru, dhe err-rrûhu
sinonime të kuptimit të njëjtë? Këto shprehje
janë vetëm shenja (simbole). Domethëniet e tyre të
vërteta i di vetëm (All-llahu), I Gjithëdijshmi.
Pas kësaj na mbetet që të preokupohemi
me çështjen e "thirrjes së shpirtrave". Menjëherë
të themi se ne dyshojmë në mundësinë e "thirrjes
së shpirtrave". Është i dyshimtë pohimi se dhoma e
errët shkakton thirrjen e shpirtit të dikujt.
Mendimtari i madh Henri Suder thotë:
"Burimet e kësaj shfaqjeje janë: logjika e brendshme
dhe fuqitë shpirtërore të vetë ndërmjetësimit
dhe asgjë tjetër".
Kurse mendimtarët hindusë pohojnë:
"Ata që paraqiten si ndërmjetës gjatë
të "thirrurit" janë shpirtra botërorë të cilët
dinë disa gjëra për të vdekurit dhe i përdorin
për përqeshjen e të pranishëmve dhe përçmimin
e tyre".
Sufijtë (mistikët) muslimanë thonë
që ai i cili merr pjesë në ato seanca, nuk është
shpirti por dytësori (kipci), kurse ai është xhinni i cili
e ka përcjellur të vdekurin gjatë jetës së tij
dhe si i tillë i njeh fshehtësitë e tij. Pasi që xhinni
është i përjetshëm ai jeton edhe pas vdekjes së
shokut të tij. Xhinni është ai i cili tash merr pjesë
në seanca dhe i zbulon fshehtësitë e shokut të tij:
e imiton zërin e tij dhe i imiton sjelljet e tij me qëllim që,
sipas traditës së xhinnëve, të pranishmit t’i nënçmojë.
Kjo vjen nga ajo sepse xhinnët janë armiq të njeriut. Ata
(sufistët) pohojnë:
"Nëse i bien ziles në zyrë, do të
dalë portieri, derisa përgjegjësit nuk do ta lënë
botën e tyre që të dalin. Ngjashëm është
edhe në botën e shpirtrave: Ata të cilët marrin pjesë
në seancat e thirrjes së shpirtrave dhe të pranishmit i
përçmojnë, janë shpirtrat botërorë dhe
xhinnët dhe të gjithë ata të cilët janë në
nivel të tyre". Sa u përket shpirtrave të njerëzve,
ata janë në botën tjetër, botën ndërmjet
vdekjes dhe ringjalljes dhe ata nuk është e mundur të thirren.
Por, është e mundur, mbase, që të lidhen me ata të
cilët dëshirojnë në ëndërr apo në njëmendësi,
nëse do të ekzistonin kushtet përkatëse për këtë.
Nga shumë këso seancash në të cilat kemi prezentuar
dhe në bazë të asaj çka kemi fituar si përvojë
personale, kurse që ka të bëjë me këtë temë,
mund të përfundojmë se: nuk ekziston asnjë dëshmi
se dhoma e errët është shkaktare e pranisë së
shpirtit të kërkuar. Mbase mendimi i mistikëve muslimanë
më së miri e shpjegon se çka në të vërtetë
po ndodh. Ky fenomen ende është në fazën e hulumtimit.
Të theksojmë se, fatkeqësisht, këtu besëtytnitë
janë ende më të përfaqësuara se sa të vërtetat
e vërteta. Fjala e fundit për këtë ende s’është
thënë. Nuk ka dyshim në atë se ti do të qeshesh
me fjalët siç janë xhinnët, shpirtrat botërorë,
kipcat e të ngjashme. Ti për këtë ke edhe arsyetim,
sepse nëse nuk beson në të ekzistuarit e shpirtit tënd
personal, si është atëherë e mundur të presim
nga ti të besosh në të ekzistuarit e xhinnit tim... Nëse
nuk beson në Zotin, si mundet nga ti të pritet të besosh
në ekzistimin e djallit. Por edhe përveç kësaj, sikur
të ishe i lindur para njëqind vjetësh dhe sikur të
të vinte ndonjë njeri dhe të fillonte të të flasë
për rrezet e padukshme të cilat kalojnë përtej hekurit,
për fotografitë të cilat transmetohen nëpërmjet
ajrit përtej oqeanit më shpejtë se një sekondë
dhe për kozmonautin i cili ec mbi sipërfaqen e Hënës,
a nuk do të qesheshe dhe pëlcitshe duke qeshur në të
gjitha ato tregime dhe a nuk do të mendoje në vete se njeriu
i cili t’i tregoi të gjitha këto ka ikur nga ndonjë spital
për të çmendur. Por, ja, edhe përkundër gjithë
kësaj, të gjitha këto janë të vërteta të
cilat ne sot i dëgjojmë dhe i shohim.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
Tha miku im:
- Ju për ndërgjegjen flitni sikur ajo të
ishte diç absolute, ndonëse është një prej prodhimeve
shoqërore: hiç më tepër se një monedhë
e aluminit të prerë, e shtypur dhe e formuar në furrën
e afarizmit shoqëror. Ne konsiderojmë se ndërgjegjja i ndërron
parimet dhe ligjshmëritë e veta sipas interesave vijuese.Ajo
pra, nuk është fare absolute. Për vlerën e cila sjell
dobi themi se është e mirë, kurse për vlerën e
cila sjell dëm themi se është e keqe, po edhe sikur ajo
vlerë të jetë edhe vetë pafajësia të cilën
ju e ruani si sytë tuaj.
I thashë atij duke e ruajtur me atë rast qetësinë
e plotë.
- Po... Ky është mendimi i filozofisë materialiste...
si po dëgjoj... ndërgjegjja është pushtet i qortimit
dhe vërejtjes i mugulluar prej faktorëve shoqërorë.
Në realitet, ajo është përvojë e tubuar e cila
ndryshon prej një personi në tjetrin, prej një kohe në
tjetrën dhe prej një populli në tjetrin. Kështu ju
mendoni dhe flitni.
Mirëpo e vërteta është krejtësisht
tjetër.
Ndërgjegjja është dritë të cilën
All-llahu xh.sh. e vendosi në natyrën e njeriut. Ajo është
tregues dhe "busull" me të cilën lindemi. Kjo dritë na udhëzon
nga të vërtetat. I gjithë roli i faktorit shoqëror
reduktohet në "pastrimin" e qelqit të asaj busulle dhe shkëlqimin
e saj.
Ne kemi shumë argumente të cilat flasin në
favor të pohimeve tona, ndërsa pohimet e juaja i demantojnë.
Do t’i përmendim vetëm disa prej tyre:
P.sh. Shiko botën shtazore e cila nuk njeh shoqëri
në kuptimin e rëndomtë të fjalës. Në të
ka fenomene të panumërta shumë interesante dhe të çuditshme.
Shih. p.sh. macen e cila pas kryerjes së nevojës kthehet dhe
e mbulon me dhe. Në cilën "shoqëri macesh" ajo e ka mësuar
këtë. Prej nga ajo të dallojë ndyrësinë prej
pastërtisë? Pastaj, e sheh macen duke e grabitur peshkun dhe
kur e zë në vepër dhe për këtë e rrah, vëren
se si ajo përulet dhe kapsallit sytë, haptas duke ndier se ka
bërë diç që është e ndaluar. Ose e vëren
se si, duke luajtur me fëmijët nëpër shtëpi, e
rrëzon saksinë e cila thehet. Çka ndodh me atë rast.
Macja prej frike ik dhe fshehet nën karrige, duke ndier se ka bërë
diç, për të cilën ndoshta do të dënohet.
Të gjitha këto janë dëshmi dhe manifestime
të ekzistimit të ndërgjegjes.
Në pushtetin e maceve nuk ekziston nevoja për
kultivimin e këtyre ndjenjave. Pastaj ne e dimë se në të
vërtetë nuk ekziston "shoqëria e maceve".
Ta shikojmë tash një fenomen tjetër - zakonin
e besnikërisë bashkëshortore te pëllumbat dhe të
mendojmë për te. Pastaj fisnikëria e kalit e cila pasqyrohet
nëpërmjet lidhjes së tij me të zotin; kryelartësia
e luanit dhe njëkohësisht ngritja e tij mbi atë që
mos ta sulmojë prenë e tij pas shpine; turpërimi i deves
mashkull dhe ndërprerja e aktit seksual sapo të hetojë se
dikush po e shikon. Pastaj aty është edhe rasti i luanit me stërvitësin
e luajve në cirkun nacional të Kajros, kur luani pas shpine i
vërsulet stërvitësit Muhamed El-Hilvi dhe duke ia ngulur
kthetrat në shpatulla i shkakton plagë vdekjeprurëse. Çka
ndodh me luanin menjëherë pas kësaj, të dëgjojmë
nga nëpunësit e cirkut të përmendur. Ata thanë
se luani menjëherë pas asaj fatkeqësie plotësish e
bojkoton marrjen e ushqimit. Tërhiqet në kafazin e tij të
cilin nuk e lëshon. E transferojnë në njërin prej kopshteve
zoologjike. Ia lëshojnë një luaneshë, që të
mund të dëfrehet. Mirëpo ai e plagosë luaneshën
dhe e "përzë" përjashta. Edhe më tutje e bojkotonte
ushqimin. Pas kësaj filloi ta kafshojë këmbën e tij
"mëkatare" duke e këputur copa-copa. Plagët aq shumë
i rridhnin gjak, saqë në fund luani ngordhi.
Çka shohim, kafsha pra bën vetëvrasje
duke u penduar dhe duke paguar dëmshpërblim për krimin e
bërë. Nga cila shoqëri në pushtetin e luajve, luani
i përmendur i ka mësuar këto zakone dhe në shoqërinë
e tyre copëtimi i njeriut a paraqet krimin i cili dënohet me
vetëvrasje?! Ne këtu jemi para fakteve të fisnikërisë,
moralit dhe ndërgjegjes të cilat nuk i hasim shpesh as te njerëzit.
Ne jemi para dështimit të plotë të çfarëdo
shpjegimi dhe kuptimi materialist të ndërgjegjes. I vetmi shpjegim
i drejtë për të gjitha këto është ai të
cilin e jep feja, i cili thekson se ndërgjegjja është dritë
të cilën Zoti xh.sh. e mbolli në natyrën e njeriut
dhe roli i gjithmbarshëm i faktorit social shqyrtohet në pastrimin
e të keqes prej shpirtit, që të mund ai më shpejt ta
zbulojë dhe ta kuptojë këtë dritë të Zotit.
Kështu mund të komentohet edhe rasti i luanit dhe stërvitësit
të tij. Jeta e përbashkët, dashuria reciproke dhe shoqërimi
e kanë kalitur shpirtin shtazor, i cili, duke iu falënderuar
kësaj, ia doli që ta ndezë dritën e Të Gjithëmëshirshmit.
E vërejtëm luanin i cili pas rastit në cirk fort u dëshpërua.
Ai u pendua dhe në fund bëri vetëvrasje për shkak të
asaj që bëri, duke u sjellë kështu si njeriu.
"Çka është hallall (e lejuar) është
e qartë, dhe çka është haram (e ndaluar) është
e shpjeguar...", thotë Muhammedi a.s.
"Kërko shpjegim prej zemrës tënde
edhe nëse ke marrë (shpjegim) prej njerëzve".
Nuk nevojitet të kryhet Fakulteti i Sheriatit që
të mund të dihet se çka është e drejtë
e çka e gabueshme; ç’është e vërtetë
e çka jo, që të mund të dallohet harami prej hallallit.
Në zemrën e secilit prej nesh Zoti xh.sh. e ka vendosur fakultetin
e sheriatit dhe kandarin i cili nuk gabon. Gjithçka që kërkohet
prej secilit nga ne është që t’i pastrojmë shpirtrat
tanë prej rrobave të materies dhe shtresës së impulsit,
të shikojmë, shqyrtojmë, mësojmë dhe të mund
t’i dallojmë gjërat pa shkopin i cili quhet "përvojë
sociale", por me dritën e Zotit e cila quhet "ndërgjegje".
"O besimdrejtë, nëse ju u përmbaheni
dispozitave të Zotit, dhe u shmangeni ndalimeve të Tij, Ai do
t’ju udhëzojë që të mund të dalloni të vërtetën
nga e pavërteta." (El-Enfal, 29).
Zoti xh.sh. thotë në një hadith - kudsijj
prej sufistit Muhamed bin Abdul-Xhebbar:
"Si mund të dëshpërohesh prej Meje kur
në zemrën tënde gjendet I dërguari Im dhe ai i cili
flet në emrin Tim?!".
Ndërgjegjja është e vërtetë e
pandryshueshme. Edhe vlerat themelore morale-etike po ashtu janë të
pandryshueshme. Vrasja e njeriut të pafajshëm asnjëherë
nuk do të bëhet vlerë, e po ashtu as vjedhja, as rrena,
ofendimi, shkelja e kurorës, panjerëzia, brutaliteti, hipokrizia,
tradhtia etj. Të gjitha këto janë të meta morale dhe
si të tilla do të mbeten sa të jetë bota.
Nga ana tjetër dashuria, mëshira, sinqeriteti,
bujaria, fjala e mirë dhe bamirësia janë vlera dhe si të
tilla do të mbeten për të gjitha kohët - përveç
nëse çrregullohen qiejt e Toka dhe sundon marrëzia dhe
errësohet mendja.
Përktheu: Miftar Ajdini
A
PËRMBAJNË ELEMENTE TË IDHUJTARISË CEREMONITË E
HAXHXHIT?
Miku tha, duke i fërkuar duart nga gëzimi, i buzëqeshur
me dinakëri, ashtu që iu dukën dhëmballët, ndërsa
sytë i shkëlqyen me një shkëlqim i cili mund të
vërehet në fytyrën e boksierit në momentin kur përgatitet
ta nokautojë kundërshtarin:
- A nuk vëren bashkë me mua se ceremonitë
e haxhxhit te ju janë thjesht idhujtari... ajo ndërtesë
prej guri të cilën e quani Qa’be, për të cilën
fërkoheni dhe rreth së cilës silleni, pastaj gjuajtja e
djallit me gurë, vrapimi ndërmjet Safa-së dhe Merves, puthja
e Haxherul-Esvedit (Gurit të zi), tregimi për shtatë sjelljet
- Tavafi, shtatë gjuajtjet me gur dhe shtatë vrapimet, të
gjitha këto janë mbeturina të tregimeve për numrat
magjikë të cilët përmenden në tregimet pa vlerë,
pastaj ihramët (mbulesat) të cilët i vishni në trupin
e zhveshur... më fal nëse të kam ofenduar me këtë
sinqeritet sepse në shkencë nuk ka turp.
Dhe miku filloi ngadalë ta lëshojë tymin
e cigares së tij, duke më përcjellë nën syzet
e tij.
I thashë plotësisht në mënyrë
të qetë:
- A nuk e vëren edhe ti bashkë me mua se sipas
ligjeve të materies, të cilat i ke studiuar, pjesët e vogla
sillen rreth të mëdhave. E shohim, p.sh. se elektroni në
atom sillet rreth bërthamës, Hëna sillet rreth Tokës,
Toka rreth Diellit, Dielli rreth Galaktikës, Galaktika rreth Gjithësisë
së madhe, kështu gjersa të arrijmë deri te "Më
i Madhi Absolut" e ai është All-llahu xh.sh.. A nuk themi: "All-llahu
ekber" - All-llahu është më i madhi. Dhe kështu, sipas
ligjit tënd shkencor, rreth Tij, si më i madhi, domosdo duhet
gjithçka të sillet. Edhe ti në këtë moment sillesh
rreth Tij në kuadër të sistemit tënd diellor përkundër
dëshirës tënde dhe nuk të mbetet asgjë tjetër
pos të sillesh. Nuk ka në mbarë gjithësinë asgjë
të pandryshueshme përveç All-llahut xh.sh. i cili si i
tillë është i Pakufizuar, Absolut dhe i Përhershëm.
Çdo gjë sillet rreth Tij. Ky është ligji i raportit
ndërmjet të voglit dhe më të madhit të cilin e
ke mësuar në fizikë.
Ndërsa, sa na përket neve, vullnetarisht sillemi
rreth Bejtull-llahut (Qa’bes), ndërtesës së parë të
cilën njeriu e ka marrë që në te ta adhurojë All-llahun.
Ajo, si faltore e parë në historinë e njerëzimit, është
bërë simbol dhe shtëpi e Zotit. A nuk ka në këtë
botë raste kur vizitohet dikush që ka vdekur dhe kur vizita e
tij arsyetohet me atë se i ka kontribuar njerëzimit. Përveç
kësaj, ka shumë personalitete të shquara varrezat e të
cilëve nuk dihen, e të cilat mesiguri do të vizitoheshin
po të diheshin. Pastaj ka shumë raste kur në varrezat e
trimave të panjohur rregullisht vihen kurora. Atëherë, përse
na e shihni për të madhe që ne gjuajmë guraleca në
përmendoren simbolike për të cilën themi se e simbolizon
djallin. A thua nuk po jeton në vrap dhe nxitim prej lindjes e deri
në vdekje, e pas vdekjes tënde djali yt do ta rifillojë
vrapin; ai vrapim, në të vërtetë është simbolik
i cili fillon prej Safa-së e cila fjalë do të thotë
pastërti, zbrazëtirë, shkretëtirë, e që gjithë
kjo është simbol i mosekzistimit, e deri në Merve - vetë
emri i së cilës tregon burimin i cili e simbolizon jetën
dhe ekzistencën. A nuk është kjo, në realitet, vrapim
prej mosekzistimit në ekzistim, pastaj prej ekzistimit nga mosekzistimi...
dhe a nuk është kjo lëvizje e domosdoshme e të gjitha
krijesave. Pas gjithë kësaj, në ceremonitë e haxhxhit
a nuk po e sheh rezymenë simbolike të të gjitha këtyre
sekreteve.
Sa i përket numrit shtatë (vërejtëm
se disa ceremoni të haxhxhit kryhen nga shtatë herë) të
cilin ti e përqesh, më lejo, që para se ta zbuloj sekretin
e tij, t’i shtroj disa pyetje. A mund të më thuash ti ku qëndron
sekreti që numri i notave muzikore kryhet me numrin shtatë: sol,
la, si, do, re, mi, fa? Numri i shkallëve të spektrit të
dritës është po ashtu shtatë, sikur që edhe elektronet
sillen rreth bërthamës së atomit në shtatë shtigje.
Deri te formimi i plotë i foshnjes në barkun e nënës
vjen në muajin e shtatë dhe nëse ajo lindet para kësaj,
zakonisht (foshnja) vdes. Te të gjithë popujt në botë
java ka shtatë ditë, edhe pse nuk ka pasur kurrfarë marrëveshjesh
rreth këtij numri. E gjithë kjo a nuk na flet se numri shtatë,
megjithatë, ka njëfarë sekreti të vet. Apo të
gjitha këto gjëra janë konfuzion sharlatan.
A nuk të ndodhë që ta puthësh letrën
e marrë prej të dashurës. Vetëm për këtë
a do të jeshë idhujtar? Përse atëherë neve na
gjykon, vetëm pse e puthim Haxheru-l-Esvedin të cilin Muhammedi
a.s. e ka bartur në petkun e tij dhe e ka puthur. S’ka këtu asgjë
idhujtare. Ne gjatë kryerjes së ceremonive fetare nuk i drejtohemi
drejtpëdrejt gurit, po hulumtojmë kuptimet e thella, simbolet
dhe kujtimet në të cilat ai përkujton.
Ceremonitë e haxhxhit, nga ana tjetër, paraqesin
raste të jashtëzakonshme për aktivizimin e mendimeve, për
ringjalljen e ndjenjave dhe thellimin e devotshmërisë në
zemrën e njeriut. Ndërsa, sa i përket ihramit të cilin
e mbajnë haxhilerët gjatë kryerjes së haxhxhit, e të
cilët nuk guxojnë të jenë të qepur, ata, në
realitet simbolizojnë heqjen dorë nga zbukurimet e kësaj
bote dhe çlirimin e plotë të njeriut, i cili si i tillë
i nënshtrohet vetëm All-llahut të Gjithëfuqishëm.
Njeriu edhe vjen në këtë botë i mbështjellur,
shkon prej kësaj bote i mbështjellur dhe në varr lëshohet
i mbështjellur. Për të gjitha këto ihramët janë
simbole. A nuk sheh se si kërkon protokolli që në pranimet
solemne duhet patjetër të jeshë në rroba solemne dhe
nëse sillesh ndryshe do të shkelen rregullat e mirësjelljes.
Ne themi:
Vetëm para madhërisë së All-llahut
xh.sh. bien të gjitha zbukurimet dhe hedhen të gjitha stolitë
e kësaj bote. I vetmi All-llahu xh.sh. meriton që njeriu plotësisht
t’i jetë i bindur dhe i dëgjueshëm. Përveç kësaj
ihramët - ato petka modeste - të cilat gjatë kohës
së haxhxhit i mbajnë të gjithë pa dallim: të pasurit
dhe të varfërit, edhe maharaxha edhe milioneri, sepse të
gjithë njerëzit para Zotit janë të barabartë,
demonstrojnë vëllazërimin e të gjithë njerëzve
pa marrë parasysh dallimet sipas pozitave dhe pasurisë.
Haxhxhi te ne është tubim i madh dhe kongres
vjetor i muslimanëve të mbarë botës. Namazi i Xhumasë
është kongres javor.
Të gjitha këto janë mësime të
bukura dhe mendime me kuptime të thella për çdonjërin
që mendon dhe gjykon. Në të gjitha këto nuk ka asgjë
prej tipareve të idhujtarisë.
Po të qëndroje ti njëherë me mua në
Arefat në momentin kur disa miliona njerëz shqiptojnë: All-llahu
është më i madhi, lexojnë Kur’an në disa dhjetëra
gjuhë, brohorisin "Të përgjigjemi (në thirrje) Ty o
Zot!", qajnë dhe digjen nga dëshira e zjarrtë dhe entuziazmi,
mesiguri edhe ti do të qaje nga gëzimi dhe entuziazmi që
të është dhënë ai rast i veçantë,
që në atë masë shumë të madhe të gjendesh
në atë vend të ndershëm kur para All-llahut të
Gjithëfuqishëm bien të gjitha forcat dhe bukuritë e
kësaj bote, para Sunduesit absolut i cili i qeverisë të
gjitha dhe në pushtetin e të cilit është çdo
gjë.
Përktheu: Miftar Ajdini
PSE
TË MOS JETË KUR’ANI VEPËR E MUHAMMEDIT?
Më tha miku duke i zgjedhur fjalët:
- Nuk dua të të ofendoj sepse e di se sa e respekton
dhe mburresh me Kur’anin. Edhe unë pajtohem me ty se Kur’ani është
libër i vlefshëm. Por, pse ai të mos jetë vepër
e Muhammedit, sepse njeriu me urtësinë e Muhammedit nuk do të
paraqiste kurrfarë çudie me shkrimin e një vepre siç
është Kur’ani. Kjo më duket më e logjikshme se sa të
thuhet që Kur’ani është vepër e All-llahut, libër
i shpallur. Ne nuk e kemi parë Zotin që diç të lëshojë
nga qielli. Jetojmë në kohën kur është shumë
vështirë ta bindish njeriun në ekzistimin e melekut me emrin
Xhibril i cili lëshohet nga qielli me librin i cili i është
shpallur dikujt.
I thashë plotësisht në mënyrë
të qetë:
- Përkundrazi, jetojmë në kohën kur
është shumë lehtë të besohet se ekzistojnë
melekët si qenie të padukshme dhe se të vërtetat mund
t’i përcillen njeriut me anë të Shpalljes. Sot është
aq e popullarizuar çdo bisedë për pjatat fluturuese të
cilat, të drejtuara nga disa trupa qiellorë të largët,
aty-këtu lëshohen në sipërfaqe të planetit tonë,
biseda për rrezet e padukshme të cilat kanë veprim vdekjeprurës,
pastaj radiovalët të cilat vendosin caqe dhe i qëllojnë.
Aty janë edhe fotografitë të cilat në rreze transformohen
në vibracione të cilat më vonë i kapin aparatet e vogla
të madhësisë së kutisë së duhanit, pastaj
lloje të ndryshme kamerash të cilat me sukses i xhirojnë
hijet, sytë të cilët shohin në terr, njeriun i cili
ec në sipërfaqe të Hënës, anijen kozmike mbi Mars
etj.
Sot nuk është kurrfarë çudie të
dëgjosh se All-llahu xh.sh. ia ka dërguar melekun - qenien e
padukshme, me Shpallje njërit prej Të dërguarve të
Tij. Ekzistimi i melekut të quajtur Xhibril sot më pak habit
prej asaj që për çdo ditë e dëgjojmë dhe
e shohim.
Sa i përket pohimit tonë se Kur’ani nuk është
vepër e Muhammedit a.s. ky pohim bazohet, përveç tjerash,
në atë që vijon:
Kur’ani sipas formës, shprehjeve, shkronjave të
tij dhe vetë përmbajtjes si të tillë, sipas bukurisë
së të shprehurit, saktësisë së gjuhës, paraqet
diç të pamundur për mundësitë njerëzore.
Nëse kësaj ia shtojmë edhe atë se vetë Muhammedi
a.s. ka qenë "ummijj’, do të thotë nuk ka ditur të
shkruajë e të lexojë e as që ka mësuar në
shkollë, nuk ka rënë në kontakt me civilizimet tjera,
sepse nuk e ka lëshuar Siujdhesën Arabe, atëherë bie
poshtë mundësia e çdo dyshimi dhe shtruarjes së kësi
lloj pyetjeve. All-llahu xh.sh. u përgjigjet kështu atyre të
cilët thonë se Kur’ani është vepër e njeriut:
"Thuaj: Përpiloni një kaptinë e cila
do të ishte e barabartë me kaptinat e Kur’anit dhe ftoni përveç
All-llahut, ata të cilët mendoni se do t’ju ndihmonin në
këtë", (Jûnus, 38), do të thotë thirrni në
ndihmë xhinnët, melekët dhe të gjithë gjenitë
e mendimit njerëzor dhe përpiloni së paku një kaptinë
të ngjashme.
Kjo thirrje akoma është aktuale. Mirëpo,
ende askush asnjëherë nuk arriti të bëjë asgjë.
Nëse Kur’anin e shikojmë nga një aspekt
neutral dhe objektiv, do ta eliminonim çdo mundësi të
autorësisë së Muhammedit a.s. për shumë arsye:
- E para: Sikur të ishte Kur’ani vepër e tij,
atëherë ai në të do ta futte vetveten; brengat, dëshpërimet
e tij, sepse e dimë se Muhammedi për një vit i humbi bashkëshorten
Hatixhen dhe xhaxhain Ebu Talibin, të cilët i pati mbështetje
të vetme kur filloi të ftojë në Islam. Dhembja e tij
për ta ishte e madhe, sepse vdekja e tyre ishte humbje e pakompensueshme.
Por, megjithatë, në Kur’an nuk theksohet asnjë lajm i vetëm.
Gjithashtu Muhammedit a.s. i vdes djali i tij Ibrahimi. Ky atij i dhimbet
dhe qanë për të, por në Kur’an për këtë
s’ka kurrfarë gjurme. Kur’ani është plotësisht i abstraksionuar
nga personaliteti i Muhammedit.
Jo vetëm kjo. Ndodh, përkundrazi, të shpallet
ndonjë ajet porosia e të cilit është e kundërt
me atë që e vepron dhe mendon Muhammedi a.s. Ndonjëherë
vjen ajeti si qortim për ndonjë qëndrim të tij, si
rasti i cili i ndodhi me njeriun e verbër nga i cili ai e ktheu kokën
derisa zhvillonte bisedë me liderët kurejshitë. Kur’ani
për këtë thotë:
"U vrenjt dhe ktheu kokën për arsye se i
ka ardhur i verbëri. Çka di ti, ndoshta mu ai i verbëri
veten do ta pastrojë ose do ta pranojë këshillën e
cila do t’i sjell dobi..." (Abese, 1-4).
Në Kur’an ka edhe ajete në të cilat kritikohet
ndonjë veprim i Muhammedit si: "Nuk i ka hije asnjë pejgamberi
të ketë robër gjersa nuk shënon fitore në Tokë.
Ju i doni të mirat e kësaj bote, ndërsa All-llahu ua dëshiron
Ahiretin. Po të mos ishte libri prej All-llahut i cili ka ardhur më
parë, juve do t’ju qëllonte dënimi i madh për atë
që keni marrë." (El-Enfâl, 6-7).
Shpeshherë Kur’ani i urdhëron Muhammedit a.s.
që t’u thotë ithtarëve të tij edhe atë të
cilën nuk do të mund t’ua thoshte sikur të ishte ai autor:
"Thuaj! Unë nuk jam zanafillë e pejgamberëve
dhe nuk e di se çdo të bëhet me mua dhe me ju..."
(El-Ahkâf, 9).
Nuk ka pejgamber i cili vullnetarisht vetvetiu do t’u
thoshte ithtarëve të vet: unë nuk e di se çdo të
bëhet me mua dhe me ju. Nuk mundem vetes sime t’i sjell as dëm
as dobi e as juve këtë nuk mund t’ua bëj. Sepse, kjo do
të ishte e mjaftueshme që prej tij të largohen ithtarët
e tij.
Kjo pikërisht edhe ndodhi. Çifutët e
morën këtë ajet si shkas për qëndrimin e tyre
ndaj Të dërguarit duke thënë: Çfarë dobie
nga ky pejgamber i cili nuk di se çka do të bëhet me të
dhe me ne. Prej tij njeriu nuk ka kurrfarë dobie.
Ajetet e këtilla dhe të ngjashme është
e pamundur që t’i përpilonte Pejgamberi sikur Kur’ani të
ishte vepër e tij.
- E dyta: Nëse pas kësaj e shikojmë tekstin
kur’anor, do të shohim se ai është unikat në pajtueshmërinë,
strukturën dhe në teknikën e tij të të shprehurit.
Nuk ka shembull as në letërsinë arabe, në atë
klasike dhe të re. Gjuha e tekstit kur’anor është e atillë
saqë të duket se ai ndahet në poezi, prozë dhe Kur’an.
Gjendesh para të folurit i cili është i përpiluar dhe
thurur në mënyrë të veçantë, i cili më
nuk është as prozë e pastër e as poezi. Muzika e poezisë
është e kushtëzuar me metrikën dhe rimën. Kështu
e dëgjojmë poetin Ibnul-Ebras El-esedi duke kënduar:
"E kafrun min ehlihi abidu
fe lejse jubdi vela juidu".
Nga ky varg shohim se muzika formohet prej pjesëve
dyfish të rimuara dhe prej rimës në "dal" të gjatë.
Kjo është muzika e jashtme e vargut. Ndërkaq, ajo e Kur’anit
është muzikë e brendshme. P.sh.
"Vedduhâ vel-lejli idhâ sexhâ."
- "Pasha paraditën! Pasha natën kur shtrinë errësirën!"
(Ed-Duhâ, 1-2). Nga ajeti i cituar shihet se nuk ka pjesë dyfish
të rimuara as rimë, por, muzika megjithatë ekziston, dhe
ate muzika e brendshme. Të shikojmë edhe disa ajete:
"Rabbi inni vehenel adhmu minni veshtealerre ‘su shejben.
Ve lem ekun biduâike rabbi shekijjen". - "O Zoti im, eshtrat
më janë dobësuar dhe tharë, flokët dhe mjekra
më janë zbardhur. O Zoti im, nuk kam qenë asnjëherë
i refuzuar për gjithçka që të jam drejtuar me dua."
(Merjem, 4).
"Tâhâ! Ma enzelna alejkel Kur’âne
liteshkâ. Il-la tedhkireten limen jahsha. Tenzilen mimmen halekal
erda ves-semavatil-ul. Err-Rrahmânu al-el-arshisteva" - "Tâhâ!
- Ne nuk ta kemi shpallur Kur’anin që ti të ndiesh mundim dhe
vështirësi, por si vërejtje atij i cili në zemër
ndien frikë. I shpallur është prej Atij i cili e ka krijuar
Tokën dhe qiejt e lartë. I Gjithëmëshirshmi mbisundon
gjithësinë." (Tâhâ, 1-5).
Nëse shqyrtohen ajetet të cilat përmbajnë
kërcënim, qartë shihet se ato vetë sikur shndërrohen
në gërryerje guri dhe ritmi fiton zë plumbi i cili shurdhon
veshët. Kjo bukur mund të shihet nga ajeti vijues:
"Inna erselna alejhim rihan sarsaren fi jevmi nahsin
mustemirrin. Tenzi’unnase ke ennehum e’axhazu nahlin munkairin". - "Ne
dërguam mbi ta një erë të ftohtë në një
ditë të kobshme e cila tmerrshëm gjëmoi dhe frynte
panda. I shkulte dhe ngriste njerëzit sikur drunj hurmash, të
shkulur me rrënjë." (El-Kamer, 19-20).
Fjalët "sarsaren" dhe "munkairin",
sikur është secila gërryerje shkëmbi. Nëse ajeti
sjell ndonjë lajm të tmerrshëm siç është
ai për përfundimin e përmbytjes (tufanit), shprehjet e fjalive
janë të shkurtra sikur të ishin shenja telegrafike të
Morseos dhe i tërë ajeti në realitet është telegram
shumë i thukët i cili lë mbresë të fortë.
Një ajet i tillë është edhe ky:
"Ve kîle ja erdubleî mâeki ve jâ
semâu aklii vegidal-mau ve kûdije lemru" - "Dhe është
thënë: Oj Tokë, thithe ujin tënd! O qiell ndalu! Dhe
uji u tërhoq (në tokë). Urdhri u zbatua." (Hûd,
44).
Ky lloj i ngjyrshmërisë në gdhendjen e
fjalëve, në ndërtimin e fjalive, në ritmin e vetë
fjalëve me kuptimet dhe ndjenjat në Kur’an, e arrin kulmin dhe
gjithnjë vjen në vendin përkatës, pa kurrfarë
ngarkese dhe shtrëngimi.
- E treta: Nëse shkojmë në analizë
më të thellë (të tekstit kur’anor), do ta zbulojmë
precizitetin e përkryer dhe ligjshmërinë e mrekullueshme.
Secili harf është në vendin e tij përkatës pa
kapërcim përpara e as vonim. Asnjë fjalë nuk mund të
zëvendësohet me tjetrën e as shkronjat e të mos humbet
radhitja, harmonia etj., që e bëjnë të përkryer
vetë tekstin. Sikur secila fjalë me kandarin më të
saktë të jetë zgjedhur prej milion e më tepër
fjalëve. Ky precizitet kulminant, siç do të shohim më
vonë, është i papërsëritshëm. Psh. fjala
"levakihu" në ajetin:
"Ve erselnerrij’aha levakiha" - "Ne i kemi dërguar
erërat të cilat mbarësojnë..." (El-Hixhr, 22).
Në të kaluarën ky ajet komentohej si alegori: erërat
i shtyjnë retë e bie shi i cili tokën e bën pjellore.
Sot megjithatë, është fakt i njohur se era i shtynë
retë me elektricitet pozitiv dhe ato ndeshen me retë e elektrizuara
me elektricitet negativ. Atëherë shkaktohet vetëtima, murmurima
dhe fillon të bie shi. Ja, edhe në atë mënyrë
erërat kryejnë një lloj mbarësimi. E dimë, po
ashtu, se era e shpërndanë pluhurin mbarësues prej lules
në lule me ç’rast e bënë mbarësimin në
kuptim të plotë.
Ne këtu pra, jemi para një fjale e cila vërtet
e kryen funksionin e vet në kuptim të bartjes me kuptim të
vërtetë e shkencor. Kjo fjalë përveç kësaj
është edhe e bukur. Ka mundësi që kjo fjalë në
mënyrë më të bukur të përdoret në format
artistike dhe letrare. Ajo ka edhe ritëm mjaft të harmonishëm.
Saktësinë e përkryer në zgjedhjen
e fjalës e cila në mënyrë më të bukur do
ta transmetonte kuptimin, porosinë, mendimin e caktuar etj., e gjejmë
edhe në shumë ajete të tjera si psh. ky të cilin po
e citojmë vetëm në përkthim:
"Mos ia hani pasurinë njëri-tjetrit në
mënyrë të palejuar dhe mos u shkoni gjykatësve dhe
administruesve që në atë mënyrë ta grabitni pasurinë
e huaj dhe padrejtësisht ta hani e kënaqeni, e veçmas
kur e dini se është ashtu..." (El-Bekare, 188). Në ajetin
e theksuar është përmendur fjala "tudlu". Edhe pse
ai të cilit i jepet pasuria (ai i cili merr kapital) është
"lart" e jo "poshtë", Kur’ani çdo gjë e vë në
vendin e merituar dhe thotë "dora e cila merr mitë është
dorë e poshtër", po edhe në qoftë se ajo është
dora e sundimtarit. Prandaj, në këtë ajet thuhet "tudlu
biha ilel hukkami" dhe kështu me një stil të përsosur
është thënë për gjithë ligësinë
e atij i cili pranon mitën si dhe për poshtërsinë e
tij.
Ta marrim edhe ajetin në të cilin flitet për
luftën në rrugë të Zotit.
"Çka keni kur ju thuhet të dilni dhe luftoni
në rrugë të Zoti, ju mbeteni sikur të ishit të
gozhduar përtoke..." (Et-Tevbe, 38).
Kur’ani këtu e ka përdorur fjalën "iththâ’kaltum"
në vend të fjalës "tethâkaltum"... i ngjet dhe përputh
shkronjat ashtu që të shpreh në mënyrë sa më
të qëlluar sjelljet e frikacakëve të cilët ngjiten
përtoke dhe "ngadalë ecin" nga frika kur do të thirren të
luftojnë në rrugë të Zotit, andaj edhe vetë shkronjat
prej të cilave përbëhet kjo fjalë janë të
radhitura ashtu që besnikërisht ta shprehin atë" "ecje të
ngadalshme".
Ajeti i cili flet për mbytjen e fëmijëve
prej frikës nga varfëria, ka ardhur në dy forma të
ndryshme:
"Mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak
të varfërisë. Ne ju furnizojmë edhe juve edhe ata."
(El-En’âm, 151).
"Mos i mbytni fëmijët tuaj duke iu frikësuar
varfërisë. Ne i furnizojmë ata, edhe juve." (El-Isrâ
31).
Ndryshimi në mes të dy ajeteve nuk është
bërë rastësisht, por për shkaqe të arsyeshme.
Në ajetin e parë kemi të bëjmë me varfërinë
e cila është e pranishme. Do të thotë, njerëzit
janë të varfër, andaj Kur’ani u drejtohet me fjalët
"Ne ju furnizojmë edhe juve edhe ata".
Ndërkaq, në ajetin e dytë fjala është
për varfërinë si mundësi. Andaj Kur’ani u drejtohet
fëmijëve dhe qartë ua bën me dije që "Ne i
furnizojmë ata, e edhe juve". Vetëm Kur’ani ka mundur kështu
t’i precizojë gjërat dhe askush tjetër.
Në situatat e nxjerrjes së një fjale para
tjetrës dhe anasjelltas, gjithmonë shohim se ajo është
bërë me arsye dhe urtësi. Fjala vjedhës psh. në
ajet ka ardhur para fjalës vjedhëse, ndërsa fjala lavire,
në ajetin në të cilin flitet për kurvërinë,
është nxjerrur para fjalës lavir. Kjo është bërë
kështu sepse mashkulli më tepër i është nënshtruar
vjedhjes se sa femra, ndërsa në rastin e kurvërisë
femra e merr iniciativën dhe me vetë pamjen e jashtme të
saj mashkullit ia përgatit kurthin:
"Laviren dhe lavirin, secilin prej tyre veç-e
veç, rrahne me nga njëqind shkopinj." (En-Nûr, 2).
"Vjedhësit dhe vjedhëses preniu duart (si
dënim)." (El-Mâide, 38). Ashtu në Kur’an të dëgjuarit
është vënë para të pamurit në më tepër
se 16 vende:
"U ka dhënë veshët, sytë dhe zemrat..."
(En-Nahl, 78).
"U kemi dhënë juve dëgjimin, pamjen
dhe zemrat." (El-Ahkâf, 26).
"Sa mirë, ata çdo gjë do ta dëgjojnë
dhe do ta shohin." (Merjem, 38).
"Vërtet për veshët, sytë, zemrat, për të
gjitha këto do të jepet përgjegjësi." (El-Isrâ,
36).
"A nuk do të fshiheshit ju sikur kundër jush të mos
dëshmonin veshët e juaj dhe sytë e juaj." (Fussilet, 22).
"Atij asgjë nuk i përngjet. Ai është Ai i cili
çdo gjë dëgjon dhe sheh." (Esh-Shûrâ, 11).
Gjithmonë pra, së pari është përmendur të
dëgjuarit e pastaj të pamurit. Dëgjimi është,
pa dyshim, më i ndijshëm dhe më i përkryer se sa të
pamurit. Xhindët i dëgjojmë e nuk i shohim. Pejgamberët
e Zotit e kanë dëgjuar All-llahun xh.sh. se si flet, kanë
biseduar me Të, por asnjë pejgamber nuk ka mundur ta shohë
Atë. Muhammedi a.s. Kur’anin e ka pranuar me anë të dëgjimit.
Nëna e dallon vajin e fëmijës së saj në ndonjë
turmë të madhe edhe nëse nuk e sheh me sy. Të dëgjuarit
nuk e lëshon njeriun edhe gjatë kohës së gjumit, përderisa
sytë flejnë veshët janë të zgjuar. Ai i cili është
mirë i udhëzuar në anatomi e di mjaft mirë që
veshi është më preciz se syri.
E njëjta gjë është edhe me nxjerrjen e fjalës
pasuri para fjalës fëmijë.
"Atë ditë nuk sjell dobi pasuria e as fëmijët.
Vetëm do të jetë i shpëtuar ai i cili i vjen All-llahut
me zemër të pastër." (Esh-Shûarâ, 88).
"Vërtet pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj janë
provë, ndërsa te All-llahu ka shpërblim të madh..."
(Et-Teg’âbun, 15).
"Vërtet, pasuritë e tyre dhe fëmijët e tyre,
atyre nuk do t’u sjellin dobi. Ata janë shokë të zjarrit
në të cilin do të mbeten përgjithmonë." (Âli
Imrân, 116).
"A mendojnë ata se do t’i ndihmojmë me pasuri
dhe fëmijë dhe se do t’ua shpejtojmë të mirat. Ata
nuk ndiejnë." (El-Mu’minûn, 55).
"Mos t’ju pëlqejë pasuria as fëmijët
e tyre. Zoti vetëm do që me to t’i dënojë në jetën
e kësaj bote." (Et-Tevbe, 55).
"Dine, vërtet jeta e kësaj bote është vetëm
lojë, zbavitje, stolisje dhe garim i ndërsjellë në
shtimin e pasurisë dhe fëmijëve, sikurse shiu i madh pas
të cilit bima rritet..." (El-Hadîd, 20).
Shembuj të nxjerrjes së pasurisë përpara fëmijëve
në Kur’an ka shumë. Sekreti i kësaj qëndron në
faktin se pasuria te shumica dërrmuese e njerëzve paraqet thesar
më të madh se sa fëmijët.
Në tekstin kur’anor pastaj gjejmë precizitetin e përkryer,
butësinë dhe misterin tërheqës në vetë ndryshimin
e fjalëve. Ta marrim vetëm këtë ajet:
"Ve in tâifetâni minel mu’minîne-ktetelû
fe aslihû bejnehumâ" - "Nëse dy grupe besimtarësh
lëshohen në luftë pajtoni ata..." (El-Huxhurât, 9).
Në këtë ajet njëherë është përmendur
shumësi (Iktetelu - luftojnë), ndërsa herën e dytë
dytësia (fe aslihu bejnehumâ = pajtoni ato dy grupe), ndonëse
në ajet flitet vetëm për dy grupe. Ku është fshehtësia?
Gjatë kohës së betejës dy palët ndërluftuese
bëhen një grup në të cilin gjuan kush kënd e zë.
Ndërkaq, në kohën e pajtimit përsëri vjen deri
te ndarja dhe formimi i grupeve të veçanta.
Bile edhe parafjalët dhe lidhëset të cilat i gjejmë
në tekstin kur’anor, janë të vendosura ashtu që do
të humbej harmonia në tekst dhe përmbajtje, po qe se rastësisht
lëshohen ato. Pas çdo parafjale dhe lidhëseje qëndron
arsyeja më e thellë dhe parallogaria më precize. Për
këtë është karakteristike fjala "jes’eluneke" e cila
në Kur’an është përmendur në shumë vende:
"Jes’eluneke mâdhâ junfikûne, Kulilafv..." - "Të
pyesin çka të ndajnë. Thuaj: Tepricën!" (El-Bekare,
219).
"Jes’elûneke anirr-rrûhi kulirr-rrûhu min emri
rabbî..." - "Të pyesin ty për shpirtin, Thuaj: shpirti
është çështje e Krijuesit". (El-Isrâ, 85).
"Jes’eluneke anil-ehil-leti. Kul hije mevâkîjtu linnâsi
vel-haxhxh". - "Të pyesin për hënat e reja. Thuaj: Ato janë
udhërrëfyes kohe për njerëzit dhe për haxhxh."
(El-Bekare, 189).
Në të gjitha ajetet e përmendura shohim se përgjigjja
në pyetje vjen me fjalën "Thuaj", por në ajetin në
të cilin të folurit është për kodrat, vjen deri
te ndryshimi i fjalës "Thuaj":
"Jes’elûneke anil-xhibâli, fekul jensifuhâ rabbî
nesfen", - "Të pyesin ty për kodrat. Por ti thuaju: Zoti im ato
do t’i bëjë hi e pluhur." (Tâhâ 105). Këtu në
vend të fjalës së zakonshme "thuaj" është përdorur
edhe fjala "por". Arsyeja është si vijon: Në të gjitha
ajetet e mëparshme fjala është për pyetjet të
cilat vërtet i janë shtruar Muhammedit a.s. Mirëpo në
ajetin në të cilin është fjala për kodrat, nuk
kemi pyetje të drejtpëdrejtë. Sikur All-llahu xh.sh. thotë:
E në qoftë se të pyesin për kodrat, por (atëherë)
thuaj: Pra, "por" këtu është përdorur majft me mençuri
dhe me arsye të thellë. Në ajetin: "Kur robtë e Mi
të pyesin për Mua. Unë jam shumë afër. I përgjigjem
lutjes së atij i cili më lutet..." (El-Bekare, 187), shohim se
nuk është përdorur fjala "thuaj". Kjo është për
arsye se në këtë ajet flitet për Zotin, dhe se Zoti
është më kompetent që të japë përgjigje
në pyetjen për Vetveten. E ngjashme është çështja
edhe me përemrat vetorë të vetës së parë
në njëjës dhe shumës (ene dhe nahnu).
Zoti xh.sh. flet për Vete në vetën e parë shumës
kur është fjala për veprën e Tij në të cilën
janë inkuadruar më tepër se një veti e Tij siç
janë krijimi, shpallja dhe ruajtja e Kur’anit:
"Vërtet, Ne e kemi shpallur Kur’anin dhe pa dyshim Ne do ta
ruajmë atë." (El-Hixhr, 9);
"Ne juve ju kemi krijuar! Përse atëherë nuk besoni?"
(El-Vâkia, 57);
"Vërtet, Ne e kemi shpallur Kur’anin në një natë
të vlefshme dhe të ndershme (Lejletu-l Kadër)." (El-Kadr,
1).
"A doni t’i kushtoni ju sadopak kujdes atij embrioni jetësor.
A e keni krijuar ju atë, apo e kemi krijuar Ne." (El-Vâkia,
58-59).
"Ne i kemi krijuar ata dhe i kemi forcuar pjesët e trupit. Sikur
të duam Ne do t’i zëvendësojmë me njerëz tjerë
të ngjashëm." (El-Insân, 28). Në të gjitha këto
ajete është përdorur përemri vetor i vetës së
parë shumës, sepse flitet për veprat e jashtëzakonshme
në të cilat marrin pjesë disa atribute të Zotit xh.sh.
Ndërkaq në ajetet në të cilat nuk është fjala
për vepra të tilla, apo të ngjashme, Zoti xh.sh. kur flet
për Vete, flet në vetën e parë njëjës. Kështu
p.sh. në ajetin në të cilin flitet për bisedën
e Zotit xh.sh. me Të dërguarin e Tij, Musën a.s., është
përdorur përemri vetor i vetës së parë njëjës:
"Vërtet vetëm Unë jam Zot, Përveç Meje
zot tjetër nuk ka. Andaj vetëm Mua më adhuro, vetëm
Mua falmu, që të më përkujtosh Mua..." (Tâhâ,
14). Zoti xh.sh. këtu flet për Vete në vetën e parë
njëjës, sepse është prania e Qenies dhe sepse deshirohet
të tërhiqet vërejtja për monoteizëm të pastër
në adhurim. Precizitetin në shprehje, për të cilin
folëm deri më tash, e gjejmë edhe në ajetet tjera.
Kështu p.sh. në dy ajetet për durimin (sabrin) ekziston
dallimi në përfaqësimin apo mospërfaqësimin e
tingullit "el":
"Dhe bëhu i durueshëm në gjithçka që të
godet në këtë punë. Vërtet kjo është
më së miri dhe më së drejti." (Lukmân, 17);
"Kushdo që përmbahet, bën durim e fal, vërtet
kjo është prej veprave të mëdha, më të rëndësishme
dhe më të mira." (Esh-Shûrâ, 43).
Në ajetin e fundit ka ardhur dëshmia e madhësisë
dhe rëndësisë së durimtarit, sepse ka të bëjë
me durueshmëri të dyfishtë: durimtarit padrejtësia
i është bërë dhe prej tij po kërkohet durim dhe
falje. Kjo gjithsesi është shumë më vështirë
të përballohet se sa kur ka të bëjë me durimin
në caktimin e Zotit, në fatin të cilit nuk mund t’i iket.
Të njëjtin rast me tingullin "el" e gjejmë edhe në
ajetet në të cilat flitet për rënien e shiut dhe mugullimin
e bimëve:
"Pse ju nuk e vështroni ujin që e pini? A e lëshoni
ju nga retë, apo Ne e lëshojmë. Po të dëshironim
do ta bënim të njelmët." (El-Vâkia 68-70);
"Pse ju nuk shikoni dhe nuk i kushtoni kujdes asaj që e mbillni?
A jeni ju ata që e bëni të mbijë ajo, apo e bëjmë
Ne. Sikur të dëshironim mund ta bënim aq të thatë
saqë e gjitha të shkatërrohet." (El-Vâkia 63-65).
Në ajetin e parë fjala "Xhealnâhu" është
përdorur e pavarur, ndërsa në të dytin ka ardhur me
pjesëzën përforcuese "le xhealnâhu", do të thotë
"Ne mesiguri do ta bëjmë aq të thatë..." "El" këtu
ka ardhur nga arsyeja se do të gjendet dikush i cili do të shtihet
kinse mund t’i shkatërrojë të mbjellat ashtu siç
mundet Krijuesi, derisa është e sigurt se askush që është
i mençur nuk do të pohojë se mund ta lëshojë
shiun nga retë. Andaj dhe nuk ka qenë e nevojshme që për
lëshimin e shiut prej reve veçmas të theksohet se ajo
punë është ekskluzivisht në mundësinë e All-llahut
xh.sh. T’i marrim edhe ajetet në të cilat flitet për të
folurit e Ibrahimit a.s. për Zotin xh.sh.:
"I cili më bën të vdes, pastaj më ngjall." (Esh-Shûrâ,
81).
"I cili (Ai) më ushqen dhe më jep ujë." (Esh-Shûrâ,
79).
Në ajetin në të cilin flitet për të ushqyerit,
pas përemrit lidhor është përmendur përemri vetor
"Huve - Ai" që nuk është rasti me ajetin në të
cilin flitet për dhënien e vdekjes dhe ringjalljen. Ku është
arsyeja? Gjithmonë do të gjenden të atillë të
cilët do të thonë se ata janë të cilët ushqejnë
(furnizojnë) dhe japin ujë ndërsa askush nuk do të
ketë guxim të pohojë se mund të shkaktojë vdekjen
apo ringjalljen e dikujt. Të tilla janë edhe ajetet në të
cilat All-llahu xh.sh. u drejtohet muslimanëve dhe ithtarëve
të "Librave të shenjtë". Është shumë evident
ndryshimi në vetë drejtimin. Në rastin e parë kemi:
"Ju vetëm Mua më përmendni dhe vetëm Mua më
përkujtoni, e edhe Unë juve do t’ju përkujtoj", (El-Bekare,
152), ndërsa në të dytin.
"Përkujtoni begatitë e Mia të cilat ua kam dhuruar."
(El-Bekare, 40). I njëjti rast është edhe kur Kur’ani u
drejtohet atyre që kuptojnë dhe atyre që nuk kuptojnë:
"Frikësomuni Mua, o ju të mençur!" (El-Bekare, 197),
thotë Kur’ani duke iu drejtuar atyre që kuptojnë. Të
tjerët i porositi:
"Ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë
njerëzit dhe gurët", (El-Bekare, 24), sepse këta vetëm
zjarri mund t’i frenojë.
Precizitetin e përmendur në zgjedhjen e fjalëve me
të cilat më së miri do të shprehet mendimi i dëshiruar,
e gjejmë edhe në ajetet në të cilat Iblisi i betohet
Zotit se do t’ia dalë që t’i mashtrojë njerëzit:
"Betohem në fuqinë Tënde, të gjithë do t’i
shmangë nga rruga dhe do t’i bëjë të varur." (Sâd,
82). Iblisi betohet në fuqinë e Zotit, e jo me tjetër gjë.
Me këtë ai vërteton diturinë dhe mendjemprehtësinë
e tij. Mëshira e Zotit është mbi çdo gjë tjetër,
pra Zotit askush dhe asgjë nuk i nevojitet. Andaj dhe kush do le të
besojë në Të, e kush s'do, mos të besojë. Atij
askush dhe asgjë nuk mund t’i bëjë gjë. Ai në
hadithikudsijj thotë: "Këta janë për xhehennem dhe
Unë s’mërzitem, kurse këta për xhennet dhe Unë
prapë s’mërzitem". Kjo i takon fuqisë dhe madhërisë
së Zotit xh.sh. Kjo është ajo e cila Iblisit i lë hapësirë
për veprimin e tij. Ai mund t’i largojë nga rruga dhe t’i shpjerë
në mashtrim, sepse Zoti xh.sh. askënd nuk do ta detyrojë
që të besojë apo të mos besojë. Andaj dhe Iblisi
betohet me fjalët: "Betohem në fuqinë Tënde se të
gjithë ata bashkë do t’i largoj nga rruga":
".. Unë do t’ua vendos kurthin në mënyrë që
t’i shmangë nga rruga e drejtë. Do t’u vijë nga para dhe
nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta..." (El-A’raf, 16-17). Këtu
mund të shihet se Iblisi i ka përmendur të katër anët.
Mirëpo, nuk ka përmendur se njerëzve do t’u vijë "nga
lart" dhe "nga poshtë" (fevka - tahte), sepse "lart" është
sundimi ndërsa "poshtë" devotshmëria. Ai i cili i është
përulur Zotit, atij Iblisi (djalli) assesi nuk mund t’i afrohet.
Iblisi më tutje thekson se do ta përdorë gjithë
shkathtësinë e tij për t’i larguar nga rruga e drejtë,
pastaj edhe prej sjelljeve të mira dhe prej namazit. Atij të
cilin nuk e stolisin virtytet e mira as që i nevojitet Iblisi, sepse
ai vetveten e mashtron dhe e largon nga rruga e drejtë. Iblisi është
vjedhës shumë mendjemprehtë dhe i mençur i cili nuk
humb kohën e shtrenjtë për t’i vizituar shtëpitë
e zbrazëta e të rrënuara.
Në ajetet kur’anore pastaj gjejmë se kur është
fjala për faljen dhe dënimin, mëshirën dhe hidhërimin,
falja dhe mëshira janë të theksuara para dënimit dhe
hidhërimit. Kështu në suren Fâtiha thuhet se Zoti
xh.sh. "Është i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë"
para se të thuhet se Ai është "Sundues i Ditës së
gjykimit". Në vendet ku flitet se Zoti ia fal kujt të do, ndërsa
e dënon kë të dojë, falja është përmendur
para dënimit, përveç në dy vende: në ajetin
i cili ka të bëjë me prerjen e dorës: "E dënon
kë të dëshirojë, ndërsa ia falë kujt të
dojë." (El-Mâide, 40). Kjo vjen nga fakti se dënimi me
prerje të dorës është dënim i kësaj bote,
pas të cilit vjen falja në Ahiret. Në ajetin në të
cilin Isa a.s. flet për ata të cilët e kanë adhuruar,
thuhet: "Nëse i dënon, ata janë robërit Tu, ndërsa
nëse ua fal, Ti je i Madh në Mundësinë Tënde dhe
i urtë në Gjithëditurinë Tënde." (El-Maide, 118).
Këtu nuk thotë Ti je më i mëshirshmi dhe ai i cili
më së shumti falë, nga kurtuazia. Dënimin e përmend
para faljes për shkak të madhësisë së mëkatit
të cilin e kanë bërë. Precizitetin e lartpërmendur
e gjejmë edhe në ajetet në të cilat flitet për
kohën. Ardhmëria përmendet në kohë të kaluar.
Kështu ngjarjet e Ditës së gjykimit janë theksuar sikur
tashmë të kishin ndodhur:
"I është fryrë burisë (surit)." (El-Kehf, 99).
"Edhe qielli është çarë dhe fuqia e tij atë
ditë ka rënë." (El-Hâkka, 16);
"Dhe xhehennemi u është dëftuar të
humburve." (Esh-Shuarâ, 91);
"Dhe janë paraqitur para Zotit tënd të
radhitur." (El-Kehf, 48).
Të gjitha këto ajete i përkthyem në kohën
e kaluar ashtu siç qëndrojnë në tekstin kur’anor,
edhe pse është i njohur fakti se këtu koha e ardhshme është
shprehur me kohë të kaluar. Sekreti i kësaj qëndron
në atë se të gjitha ngjarjet, të tashmet dhe të
ardhmet, tashmë kanë ndodhur në diturinë e Zotit e
cila është absolute dhe si e tillë nuk është e
përkufizuar as me kohë as me hapësirë. Kështu
në një ajet gjejmë të flitet për dy kohë
plotësisht të ndryshme, andaj na duket se janë kontradiktore,
në çka edhe gabojmë: "Caktimi i Zotit ka ardhur, andaj
mos e ngutni-shpejtoni." (En-Nahl, 1). Caktimi ka ardhur dhe ka ndodhur.
Zoti xh.sh. u thotë njerëzve që mos ta ngutin caktimin e
Tij, si të mos kishte ndodhur. Pra, caktimi ka ardhur në diturinë
e Zotit, por ende jo edhe në të njerëzve. Nuk është
fjala, siç shihet qartë, për kundërthënie dhe
kontradikta, por për saktësi të stërholluar në
shprehje, për ligjshmëri, për fshehtësi, zbulim dhe
gjetje të urtësive, sekreteve dhe të vërtetësive
të kuptimeve të thella kur’anore.
Këtu theksuam vetëm disa shembuj të cilët mjaft
qartë flasin për saktësinë e përkryer të
Kur’anit në zgjedhjen e fjalëve, ndryshimin e tyre, në zgjedhjen
e vetë shkronjave etj. Askund në tekstin kur’anor asgjë
nuk është e tepërt e as e mangët. Gjithçka është
në vendin e vet përkatës.
Për ajetet kur’anore në të cilat theksohen të
vërtetat shkencore, pastaj për ajetet të cilat flasin për
fshehtësitë e gjithësisë, që njeriu sot e kësaj
dite po i zbulon, do të flasim me një rast tjetër.
Përktheu: Miftar Ajdini
I thashë mikut:
Ndoshta biseda jonë e sotme për të vërtetat
shkencore në Kur’an do të jetë më interesante nga diskutimet
tona të gjertanishme, duke marrë parasysh marrjen tënde
me shkencë dhe insistimin tënd për gjithçka ekskluzive
në të vërtetat dhe argumentet shkencore. Këtu duhet
të thuhet edhe kjo se atë që e ka thënë Kur’ani
për qiejt, Tokën, yjet, planetët, spermën, embrionin
dhe formimin e njeriut në kohën kur për dituritë shkencore,
astronominë, gjeologjinë, anatominë, atomistikën etj.,
nuk ka patur kurrfarë gjurme, shkenca vetëm në kohën
më të re po i zbulon. Mirëpo, Kur’ani nuk është
marrë me këto çështje dhe nuk i ka paraqitur deri
në detaje siç e bën këtë p.sh. një vepër
e cila këtë e ka lëmë të ngushtë, sepse Kur’ani
në radhë të parë është libër besimi
i cili ka për qëllim që ta rregullojë jetën e
njeriut dhe të vendosë marrëdhënie më të
mira dhe më njerëzore ndërmjet njerëzve. Nga ana tjetër,
sikur Kur’ani rastësisht, të kishte hyrë në detaje
dhe në të gjitha finesat e mundshme, atëherë ata të
cilëve iu drejtua do t’i vënte në situatë të vështirë,
sepse do t’u fliste me gjuhën të cilën atëherë
nuk do të mund ta kuptonin. Andaj Kur’ani në komunikimin e së
vërtetës u shërbye me metodën e tregimit, kontaktit
dhe tërheqjes së vëmendjes në faktet të cilat
shkencat do t’i zbulojnë pas qindra vjetëve, që e gjithë
kjo së bashku më së qarti u ka folur gjeneratave të
cilat kanë ardhur, se Kur’ani është vepër e Zotit dhe
Shpallje e Tij për njerëzimin.
"Ne atyre së shpejti do t’ua tregojmë argumentet
Tona në horizontet dhe në veten e tyre. Atëherë atyre
do t’u bëhet plotësisht e qartë se Kur’ani është
i vërtetë. A nuk mjafton që Krijuesi yt në gjithçka
është dëshmitar." (Fussilet, 53). Meqë ata të
cilëve iu drejtua Kur’ani nuk u kënaqën vetëm me dëshminë
e Zotit që Kur’ani është vepër e Tij andaj u bë
e domosdoshme që ajo t’u tregohet edhe me këto argumente. Kështu
All-llahu xh.sh. thotë në Librin e Tij.
Vazhdimisht Kur’ani, nga dita në ditë, po zbulon
gjithnjë e më tepër argumente dhe dëshmi të tilla
të qarta. Kështu p.sh. në lidhje me rrumbullakësinë
e Tokës, kanë ardhur këto ajete të qarta në të
cilat është përdorur fjala "tekvir" që të përshkruajë
e paraqesë lëshimin e natës dhe të ditës si dy
gjysmëtopa: "...me natë e mbulon ditën, kurse dita shpie
në natë." (Ez-Zumer, 5). Pastaj kemi ajetin i cili e përshkruan
rregullimin e Tokës: "... pastaj Tokën e ka rregulluar."
(En-Nâziât, 30). Fjala "duha" e cila është përdorur
në këtë ajet është fjala e vetme në fjalor
e cila ka kuptimin e shtrirjes dhe rrumbullakimit. Ndërkaq Toka, siç
është e ditur, në dukje është e tillë, në
realitet e rrumbullakët, përkatësisht në formë
veze.
Pastaj lexojmë ajetet në të cilat flitet
për notimin e bjeshkëve në lartësi, përkatësisht
të Tokës, sepse ajo bashkë me bjeshkët përbën
një tërësi:
"Dhe i sheh bjeshkët për të cilat mendon
se pushojnë, ndërsa ato në realitet fluturojnë sikur
retë. Kjo është vepër e All-llahut i cili çdo
gjë e ka krijuar dhe rregulluar në mënyrë të përkryer."
(En-Neml, 88). Bjeshkët të cilat duken se janë të palëvizshme,
të qeta, në realitet lundrojnë nëpër kozmos. Në
këtë ajet ekziston edhe një tregim i shkurtër edhe
për një fakt tjetër. Fjala është për formimin
e materies nga atomet ashtu siç përbëhen retë prej
pikave. E gjithë kjo është thënë duke i krahasuar
bjeshkët me retë.
Në Kur’an hasim edhe në ajete në të
cilat flitet për ndërrimin e ditës dhe të natës,
për caktimin preciz të kohës së tyre, për fillimin
e krijimit e deri në fund të vazhdimit të tyre.
"As Diellit nuk i duhet ta arrijë Hënën,
e as nata ta kapërcejë ditën." (Jâsîn, 40).
Aty janë pastaj edhe ajetet tjera në të cilat flitet për
formën e Tokës si të topit, sikur edhe kur është
fjala për fillimin e natës dhe ditës bashkërisht në
të njëjtën kohë qysh prej krijimit si dy gjysmëtopa.
Mirëpo, sikur Toka të ishte e rrafshtë, dita dhe nata domosdo
do të vinin njëra pas tjetrës. Kur të vie Dita e gjykimit,
Toka përsëri do të jetë njëkohësisht në
natë dhe në ditë, ashtu siç ka qenë edhe në
ditën e krijimit:
"Ashtu që kur Toka të stoliset me bukuri
të ndryshme dhe qëndiset me petkun e vet dhe banorët e saj
binden se mund ta mbledhin frytin, vjen caktimi Ynë, natën ose
ditën, dhe Ne ato i bëjmë si të korrura, si të
mos kishin qenë dje fare." (Jûnus, 24). Në fjalët
e Zotit "natën ose ditën" gjendet vërtetimi i kësaj
kohe të cilën nuk mund ta shpjegojmë ndryshe, por që
njëra anë e Tokës është e fshehur prej Diellit
dhe gjendet në terr, ndërsa ana tjetër e ekspozuar Diellit
dhe me të e ndriçuar, që del nga forma e rrumbullakët
e Tokës. Andaj edhe është thënë: "... dhe as
nata ta tejkalojë ditën." (Jâsîn, 40). Pastaj
kemi edhe theksimin e shumë lindjeve dhe shumë perëndimeve,
si në ajetet:
"... E marr për dëshmitar Krijuesin dhe Sunduesin
e lindjeve dhe të perëndimeve." (El-Meârixh, 40); "Ai
është Krijues dhe Sundues i dy lindjeve dhe dy perëndimeve."
(Err-Rrahmân, 17). Po të mos ishte Toka ajo që është,
do të ishte vetëm një lindje dhe një perëndim.
Njeriu, thuhet në Kur’an, djallit të vet në Ditën e
gjykimit do t’i thotë: "Çfarë fati sikur të ishim
të larguar njëri prej tjetrit sa është larg vendi i
lindjes së Diellit prej vendit të perëndimit të tij."
(Ez-Zuhruf, 38). Në Tokë nuk ka largësi më të
madhe se largësia e lindjes dhe perëndimit të Diellit përveç
nëse është Toka e rrumbullakët. Në kontekst të
këtyre ajeteve bëjnë pjesë edhe ato (ajete) në
të cilat flitet se qiejt kanë orbitat e veta, zonat dhe rrugët:
".... dhe qielli me rrugë yjesh." (Edh-Dhârijât,
7),
"... dhe qielli i cili kthen..." (Et-Târik,
11), do të thotë i cili kthen në Tokë gjithçka
që ngrihet; avullin e ujit e kthen në formë të shiut,
trupat e ndryshëm me gravitetin e Tokës, radio-valët me
reflektim nga jonosfera siç i kthen rrezet ngrohëse infra-të
kuqe të reflektuara dhe kështu e nxen natën. Siç
e kthen qielli atë që në të "hedhet" nga Toka, ai po
ashtu thithë, reflekton dhe shpërndanë atë që
në të "hedhet" prej "botës së jashtme" dhe në
atë mënyrë e mbron dhe ruan Tokën nga torpilat vdekjeprurës
të rrezeve kozmike dhe të rrezeve ultra-vjollcë. Si i tillë,
qielli në realitet është pullaz i Tokës.
"Qiellin e kemi bërë kulm i cili është
i ruajtur fort." (El-Enbijâ, 32), "Dhe qiellin e kemi ngritur
me forcën Tonë dhe Ne jemi në gjendje që të gjithë
t’i mbajmë dhe ushqejmë." (Edh-Dhârijât,
47).
Në këtë ajet flitet për të ashtuquajturën
shtrirje e domosdoshme e kozmosit.
Në kohën e shpalljes së Kur’anit konsiderohej
se atomi është pjesa më e vogël e materies dhe e pandashme
më tej. Kur’ani vjen dhe flet në mënyrë precize për
pjesët më të imta të materies se atomi, për pjesët
përbërëse të vetë atomit. Kur’ani, përndryshe,
është libri i parë i cili ka përmendur se atomi nuk
është më i vogli:
"Diturisë së Zotit nuk mund t’i shmanget
asgjë, as sa pesha e një atomi në qiej dhe në Tokë,
dhe asgjë as më e madhe se ajo e as më e vogël..."
(Sebe’, 3).
Të gjitha këto dëftime të shkurtra
por plotësisht të qarta të Kur’anit për dukuritë
mahnitëse dhe admiruese në kozmos, siç janë forma
e rrumbullakët e Tokës, përbërja dhe natyra e kozmosit
dhe e atomit, dhe atë në kohën kur për to askush nuk
ka pas as përfytyrimin më elementar, flasin mjaft dhe në
mënyrë më të qartë për origjinën hyjnore
të Kur’anit, për embrionin e njeriut dhe formimin e tij, për
spermën dhe aftësinë e saj për caktimin e gjinisë
së të posalindurit:
"Ai është Ai i cili e ka krijuar çiftin,
mashkullin dhe femrën, prej ujit të njeriut..." (En-Nexhm,
45). Pra fjala është për një fakt biologjik i cili
sapo është bërë i njohur në kohën tonë.
Ne sot themi se koka e spermës është e vetmja e cila i përbënë
faktorët e determinimit të gjinisë. Kur’ani qysh në
atë kohë flet për krahasimin e majeve të gishtërinjve,
për shenjat e gishtërinjve, në kontekstin e të folurit
për ringjalljen pas vdekjes.
"A mendon njeriu se nuk mund t’i tubojmë eshtrat
e tij? Përkundrazi, Ne kemi mundësi që përseri dhe
sakt t’i rregullojmë majet e gishtërinjve të tij." (El-Kijâme,
34), do të thotë, përsëri do t’i formojmë edhe
majet e gishtërinjve të tij dhe do t’i rregullojmë siç
kanë qenë... Shumë më vonë është zbuluar
se majet e gishtërinjve te të gjithë njerëzit janë
të ndryshme.
Kur’ani thekson se shtëpia më e dobët është
ajo e merimangës. Zoti xh.sh. thotë shtëpia e jo peri i
merimangës, sepse është e ditur se peri i merimangës
është katër herë më i fortë se sa peri i
ngjashëm me të. Fjala është për dobësinë
e shtëpisë e jo të perit, sepse shtëpia e merimangës
si e tillë është strehim i keq për atë që
strehohet në të, kurth për atë që bie në
të prej vizitorëve të huaj. Ajo është vdekjeprurëse
edhe për anëtarët e tjerë të "familjes" së
merimangës, sepse merimanga femër e ha mashkullin e saj pas mbarësimit.
Ajo i ha edhe të vegjlit e saj pasi t’i bëjë, kurse edhe
të vegjlit e hanë njëri-tjetrin.
Shtëpia e merimangës është shembulli
më i mirë i strehimit të keq dhe përfundimit të
keq, siç thekson Kur’ani. E ngjashme është edhe gjendja
e atij i cili kërkon ndonjë strehim tjetër përveç
strehimit të Zotit. Për këtë flasin këto ajete
madhështore të Kur’anit:
"Shembulli i atyre të cilët në vend
të All-llahut xh.sh. marrin mbrojtës dhe ndihmës tjetër
është sikurse shembulli i merimangës e cila vetes i ndërton
shtëpi si vendbanim, por në të vërtetë, vendbanimi
më i dobët është shtëpia (rrjeti) e merimangës,
sikur këtë ata vetëm ta dinin." (El-Ankebût, 41).
Përfundimi i këtij ajeti veçmas është karakteristik.
Zoti xh.sh. thotë: "... sikur këtë ata vetëm ta
dinin", duke paralajmëruar se këtë njerëzit një
ditë do ta kuptojnë. Është e ditur se shumë zbulime
në këtë lëmi janë zbulime të reja të
mëvonshme.
Në kaptinën e Kur’anit El-Kehf, një
ajet në përkthim thekson:
"Ata kanë qëndruar në shpellën
e tyre treqind e nëntë vjet." (El-Kehf, 25). Sot dihet se
treqind vjet, sipas kalendarit diellor, janë të barabarta në
ditë, orë, minuta dhe sekonda me treqind e nëntë vjet
sipas kalendarit të Hënës.
Në kaptinën Merjem, All-llahu i Lartmadhërishëm
e paraqet situatën e Merjemes kur ajo në kohën e lindjes
strehohet nën një dru të hurmës duke e dëshiruar
vdekjen... kur ajo u thirr që ta shkundë pemën dhe t’i hajë
hurmat e freskëta të cilat pikonin:
"... dhe dhembjet e lindjes e detyruan që të
vijë te trupi i një hurmeje. Ajo tha: - Ku të kisha fat
të kisha vdekur pa e pritur këtë dhe të isha harruar
krejtësisht. Dhe u thirr nga poshtë me fjalët: - Mos u pikëllo!
Zoti, Krijuesi yt të ka dhënë që nën ty, të
rrjedhë një përrockë. Shkunde për ty trupin e
hurmës. Do të bien hurma të freskëta, andaj ha e pi
dhe t’i kesh sytë e gëzuar!" (Merjem, 23-25).
Përse është fjala mu për hurmat?
Zbulimet më të reja shkencore në këtë
lëmi flasin qartë se hurma në vete përmban materien
e cila e mbledh mitrën, e lehtëson lindjen dhe pengon gjakderdhjen
pas lindjes, ngjashëm me oxytosin-in dhe materien e cila zbut. Ndërkaq,
në mjekësi është e njohur që zbutësit bimorë
e lehtësojnë dhe sigurojnë lindjen. Dhe ja pra, edhe në
këtë shembull vërejmë madhështinë e fjalëve
të Zotit për përkryershmërinë e Kur’anit si shpallje
e Zotit:
"Nuk mund t’i vjen kurrfarë mangësie, e as
ndryshimi as para tij e as prapa tij". (Fussilet, 42);
"Sikur të ishte ai prej tjetërkujt përveç
All-llahut, ata mesiguri në të do të gjenin shumë kundërthënie".
(En-Nisâ, 82).
Sikur të mos ishte Kur’ani me origjinë hyjnore,
ai me atë rast nuk do të ishte i përkryer; një ajet
do ta kundërshtonte tjetrin, do të ishte përplot kontradikta
dhe mangësi të tjera që janë karakteristike për
veprat të cilat janë prodhim i mendjes dhe shpirtit njerëzor.
Botimi i dytë i ndonjë vepre zakonisht dallohet prej botimit
të parë sepse autori i saj i shton diç të re ose
hjek diç nga botimi i parë, qoftë për ta korrigjuar
vetveten, përmirësuar gabimet ose për të futur njohuri
të reja deri te të cilat ka ardhur në ndërkohë.
Kur’ani si shpallje e All-llahut xh.sh. njerëzimit, është
ruajtur nga të gjitha gabimet dhe të metat. Ai është
i përkryer sepse është vepër e Të Përkryerit.
Kur’ani si i tillë ka mundur të flasë për të kaluarën
të cilën askush tjetër nuk e ka njohur, sepse për të
nuk ka patur dokumente të shkruara si dhe për të ardhmen
dhe atë që sjell ajo me vete. Po sjellim vetëm disa ajete
në të cilat Kur’ani i ka paralajmëruar ngjarjet të
cilat së shpejti edhe kanë ndodhur.
Në kaptinën Err-Rrûm Kur’ani thotë
se romakët, të cilët kanë pësuar disfatë
në një betejë, së shpejti do të ngadhënjejnë:
"Janë mundur romakët në tokën më të afërt,
ndërsa ata pas disfatës pas DISA vjetëve do të triumfojnë..."
(Err-Rrûm, 2-4). Fjala "bid’a" - disa, në gjuhën arabe
e ka kuptimin e pacaktuar ndërmjet tre dhe nëntë. Dhe vërtet,
romakët pas shtatë vjetëve triumfuan!
Për fitoren në Bedër Kur’ani thotë:
"Së shpejti ai grup do të jetë i mundur dhe ata do ta
kthejnë shpinën dhe do të ikin." (El-Kamer, 45). Për
ëndërrimin e (Muhammedit a.s.) për hyrje në Mekke,
në Kur’an qëndron: "All-llahu ia ka vërtetuar Të
dërguarit të Tij ëndrrën e vërtetë... mesiguri
do të hyni në Mesxhidu-Haram, nëse dëshiron All-llahu,
plotësisht të sigurt, disa me koka të rruara, ndërsa
disa me flokë të shkurtuara." (El-Fet’h, 27). Ashtu edhe
ndodhi. Edhe tash paralajmërimet e Kur’anit po realizohen para syve
tanë. Ibrahimi a.s. kështu e ka lutur All-llahun xh.sh.:
"O Zoti ynë, unë disa pasardhës të
mi i kam vendosur në një luginë jopjellore te tempulli Yt
të cilin Ti e ke bërë të shenjtë... O Zoti ynë,
bën që ata ta falin me përpikëri namazin. Vendos në
zemrat e njerëzve dashuri mes tyre dhe furnizoi me fryte, që
të jenë falënderues." (Ibrâhîm, 37). Ibrahimi
a.s. e ka lutur All-llahun xh.sh. që ta furnizojë këtë
luginë jopjellore. Pastaj u erdhi premtimi i Zotit mekkasve se jetën
do t’ua bëjë të begatshme me plot pasuri, kur u urdhëroi
që mushtrikëve t’ua ndalojnë vizitën e Qa’besë
ndërsa ata u frikësuan nga bllokada ekonomike sepse "banorët
e Mekkes në jetën e tyre ekonomike mbështeteshin në
të ardhurat të cilat i fitonin me rastin e vizitës së
Qa’bes". All-llahu xh.sh. i qetësoi me fjalët: "Nëse
i frikësoheni varfërisë, atëherë All-llahu do
t’ju pasurojë prej begative të Tij..." (Et-Tevbe, 28). Ky
premtim edhe sot e kësaj dite po përmbushet. Për çdo
ditë ngrihet çmimi i naftës, burimet kryesore të
së cilës shtrihen në këtë nënqiell. Nëse
kësaj i shtohen edhe thesarët e uraniumit në këto vise,
atëherë edhe më mirë mund të shihen "begatitë
e Zotit" për të cilat është fjala në ajetin e
mësipërm.
Nga ana tjetër, Kur’ani flet për botët
tjera të panjohura. Ai i zbulon sekretet e xhinnëve dhe engjëjve.
Flet për gjërat të cilat për shumicën më
të madhe janë të panjohura dhe për të cilat pak
diçka mund të dinë vetëm disa sufij, por edhe ata
për ato gjëra mund të dinë vetëm atë dhe
aq sa thotë Kur’ani se mund të dinë dhe shohin. Pastaj aty
është edhe fjala e fundit e Kur’anit për: administrimin,
etikën, udhëheqjen, luftën, paqen, ekonominë, shoqërinë,
martesën, afarizmin, për të drejtat (e njeriut) të
shprehura me stil të pashoq, me shprehje autentike, me fjalë
të cilat me vlerën e tyre estetike paraqesin fenomen të
veçantë në historinë e gjuhëve përgjithësisht.
Ibnu Arebiun njëherë e pyetën për
fshehtësinë e përkryerjes së Kur’anit, e ai u përgjigj
vetëm me një fjalë: "E vërteta absolute", sepse fjalët
e Kur’anit janë absolutisht të vërteta, ndërsa maksimumi
që një shkrimtar mund ta arrijë është e vërteta
relative, dhe më së shumti që mund të arrijë është
e vërteta e tij subjektive e cila del nga shikimi i tij i gjërave,
të cilit hapësira e të pamurit i është gjithmonë
e kufizuar. Secili prej nesh përfshin dhe arrin një pjesë
të së vërtetës, derisa pjesët tjera të saj
i shpëtojnë, ai shikon prej një këndi duke e larguar
shikimin prej këndeve tjera, nga e cila del se gjithçka gjer
te e cila arrin individi është vetëm një pjesë
e terësisë. Vetëm All-llahu i Gjithëdijshëm dhe
i Gjithëfuqishëm është Ai i cili e përfshinë
të vërtetën absolute dhe gjithçka tjetër. Andaj
edhe themi se Kur’ani e ka burimin prej All-llahut xh.sh. sepse e jep të
vërtetën absolute të gjithçkaje.
Muhammedin a.s. e kanë pyetur për Kur’anin,
e ai ka thënë: "Në të është lajmi për
atë që ka qenë para jush, gjykim për atë që
është ndërmjet jush dhe lajmërim për atë
që vjen pas jush; ai është kufiri, nuk është mahi,
ai është vërejtje e urtë, lidhje e fortë e Zotit,
rruga e drejtë. Kush e lëshon shkatërrohet, kush kërkon
udhëzim tjetër përveç tij humbet. Ai nuk i shtrembëron
mendjet, nuk kërkon shumë diskutime; dijetarët nuk mund
të ngopen, kurse vlerat e tij asnjëherë nuk mund të
harxhohen (shteren)".
Ja pra mik, ky është Libri ynë. Dhe gjithçka
që përmban në vete dhe që porosit Kur’ani buron vetëm
nga Zoti xh.sh.
Përktheu: Miftar Ajdini
Miku tha:
- Ti thua se Kur’ani nuk është kundërthënës.
Çka thua, pra, në lidhje me ajetin: "Kush dëshiron
le të besojë, ndërsa kush dëshiron le të mos besojë"
(El-Kehf, 29) dhe ajetin në të cilin All-llahu xhel-le shanuhu
thotë: "Ju s’mund të dëshironi asgjë tjetër
veç se atë çka dëshiron All-llahu." (Ed-Dehr,
30). Në një ajet thuhet se mëkatarët do të merren
në pyetje për dhënien e llogarisë: "Dëshmitë
e tyre do të shkruhen dhe ata do të merren në pyetje."
(Ez-Zuhruf, 19). "Me të vërtetë ai (Kur’ani) është
nder i madh për ty dhe popullin tënd dhe ju do të merreni
në pyetje" (Ez-Zuhruf, 44), ndërsa në një vend
tjetër në Kur’an qëndron: "Dhe mëkatarët nuk
do të merren në pyetje për mëkatet e tyre" (El-Kasas,
78), sepse do të njihen sipas shenjave të tyre. "Mëkatarët
do të njihen sipas shenjave dhe fizionomisë së tyre dhe
do të rrëmbehen për flokësh dhe për këmbësh."
(Err-Rrahmân, 41). Në një vend tjetër në Kur’an
përsëri thuhet se askush nuk do ta lidhë fortë kriminelin:
"Askush s’do të mund të lidhë lidhje të forta."
(El-Fexhr, 26), në kuptimin që secili do ta marrë përsipër
ndëshkimin e vetvetes: "Sot të mjafton ajo që do të
japësh llogari për vetveten." (El-Isrâ, 14). Në
këtë kuptim është edhe ajeti vijues: "E pastaj lidhne
me zingjirë të gjatë shtatëdhjetë kute..."
(El-Hâkka, 32).
Në këtë i thashë:
- Këto ajete nuk janë kundërthënëse...
Të mendojmë bashkërisht për këto... "Kush dëshiron
le të besojë, ndërsa kush dëshiron le të mos besojë...",
ajet plotësisht i qartë dhe i kuptueshëm. Ai konfirmon lirinë
e njeriut, zgjedhjen e tij të lirë... por jo lirinë të
cilën njeriu e ka rrëmbyer nga Zoti, por lirinë të
cilën Zoti atij ia ka dhuruar sipas dëshirës së Vet.
Ajeti vijues këtë pak më afër e shpjegon: "Ju s’mund
të dëshironi tjetër asgjë veç se atë që
e dëshiron All-llahu", dmth. liria e njeriut është në
kuadër të vullnetit të Zotit e jo kundër tij, që
në anën tjetër do të thotë se liria e njeriut
mund t’i kundërvihet kënaqësisë së Zotit prej
nga rrjedh edhe mëkati, por liria e njeriut asnjëherë s’mund
të jetë jashtë kuadrit të vullnetit të Zotit,
edhe pse mund të jetë në kundërshtim me kënaqësinë
e Zotit. Kjo është çështje mjaft e koklavitur. Ne
e kemi shpjeguar këtë më gjerësisht kur folëm
për deterministët dhe indeterministët, ithtarët e kushtëzimit
kauzal të vullnetit njerëzor, përkatësisht ithtarët
e lirisë së vullnetit të njeriut. Me atë rast kemi
thënë se caktimi i Zotit është njëkohësisht
vetëzgjidhje, sepse Zoti xhel-le shanuhu e zgjedh për njeriun
atë që është në nijetin (qëllimin) dhe zemrën
e tij, që do të thotë se Zoti i dëshiron njeriut atë
çka njeriu i dëshiron vetes me nijetin dhe zgjedhjen e zemrës
së tij, dmth. secili njeri është i drejtuar nga ajo që
e ka zgjedhur vetë. E gjithë kjo flet majft për zgjedhjen
e lirë pa imponimin edhe më të vogël, sikur që
flet edhe për qartësinë e këtyre ajeteve. Përveç
kësaj, çështja e lirisë së vullnetit të
njeriut është një ndër çështjet më
të vështira në të cilat kërkohet përgjigje.
Atë që ti po e sheh me kundërthënie, në të
vërtetë është shpjegim dhe plotësim.
Për ajetet të cilat flasin për përgjegjësinë
për veprën e bërë është e nevojshme të
thuhet se çdo ajet ka të bëjë me një grup të
caktuar të të marrurve në pyetje. Midis tyre do të
jenë ata për të cilët do të kërkohet dëshmim,
pastaj ata të cilët do të kenë shumë mëkate
andaj do të njihen në fytyrë se janë mëkatarë.
Ata do të jenë, sikur thotë Kur’ani "të rrëmbyer
për flokësh dhe këmbësh". Midis të marrurve
në pyetje do të jenë edhe ata të cilët me kokëfortësi
dhe këmbëngulje i kanë mohuar të gjitha argumentet.
Kundër tyre do të dëshmojnë duart e tyre dhe këmbët
e tyre: "Atë ditë Ne do t’ua vulosim gojët e tyre e duart
e tyre do të na flasin, ndërsa këmbët e tyre do të
na dëshmojnë çka kanë punuar." (Jâsîn,
65). Në të vërtetë, do të ketë edhe të
atillë të cilët do t’i qërojnë hesapet me vetveten.
Do ta mundojnë dhe përvuajnë vetveten duke u penduar fort
për rastin që e kanë humbur. Në Ditën e dhënies
së llogarisë ata do ta gënjejnë Zotin kur të vijnë
para Tij. Gënjeshtrat e tyre do t’i mbrojnë duke u betuar rrejshëm:
"Atë ditë kur All-llahu t’i ringjallë, ata do t’i betohen
Atij sikur që ju betohen juve duke menduar se me atë do të
arrijnë diçka. Dije mirë! Me të vërtetë
ata janë gënjeshtarë." (El-Muxhâdele, 18). Ata
do të jenë të lidhur me zingjirë. Ebu Hamid El-Gazaliu
thotë se këta janë zingjirë kauzalë.
- Ç’mendon ti për interpretimin kur’anor të
diturisë së All-llahut? Kur’ani thotë: "Me të vërtetë
vetëm All-llahu e di kur do të vijë çasti dhe dita
e shkatërrimit të botës, kur do ta lëshojë shiun
dhe ç’ka në mitrat e nënave. Askush nuk e di se çka
do të bëjë nesër dhe ku dhe në çfarë
vendi do të vdesë." (Lukman, 34). Kur’ani në mënyrë
eksplicite thotë se All-llahu diturinë e përmendur e ka
mbajtur për veti: "Te Ai janë çelësat e të
gjitha fshehtësive. Ato i di vetëm Ai." (El-En’âm,
59).
- E çka mendon psh. për mjekun i cili sot
mund ta dijë se çka ka në mitra, mund ta qëllojë
gjininë? Ç’të thuhet për shiun e fituar në mënyrë
artificiale?
- Kur’ani nuk flet për lëshimin e shiut por
flet për lëshimin e shtrëngatës, e ky është
shi i mjaftueshëm i cili bie në sasi aq të mëdha saqë
mund ta ndërrojë fatin e një populli, ta shpëtojë
duke i sjellë mirëqenie. Ky lloj i shiut është e pamundur
të prodhohet artificialisht.
Sa i përket dijes së Zotit për "atë
çka ka në mitra" është e nevojshme të thuhet
që dija e Zotit është gjithëpërfshirëse dhe
kur është fjala për "atë se ç’ka në
mitra", nuk është fjala vetëm për gjininë
e fëmijës mashkullor dhe femëror, por edhe për atë
se kush do të jetë ai dhe çka do të jetë, ç’do
të punojë dhe çfarë do të jetë rruga e
tij jetësore prej atij çasti e deri në vdekje. Të
gjithë këtë mund ta dijë vetëm Zoti xhel-le shanuhu
dhe askush tjetër.
- E çfarë tregimi është ai për
fronin e Zotit i cili, sipas fjalëve tuaja, përfshinë qiejt
dhe tokën... për fronin të cilin e mbajnë tetë...?
Mendja jote përfshinë qiejt dhe tokën edhe
pse je vetëm njeri. Si atëherë nuk mund t’i përfshijë
froni i Zotit. Toka, Dielli, të gjithë planetët, yjet, galaktikat
etj. barten me fuqinë e Zotit nëpër gjithësi. Si atëherë
mund të habitesh kur është fjala për bartjen e fronit!
Ç’është kjo "El-Kursijju" dhe "El-Arshu"?
Më thuaj ti ç’është elektroni, do
të them se ç’është "el-kursijju". Më thuaj ç’është
elektriciteti, do të të them se ç’është graviteti...,
më thuaj ç’është koha. Ti nuk e di esencën e
çkado qoftë e më pyet mua për esencën e nocioneve
"el-kursijju" dhe "el-arshu". Bota është përplot me fshehtësi
dhe këto janë vetëm disa nga ato.
- Kur’ani flet për buburrecin i cili ua ka tërhequr
vërejtjen buburrecave tjerë për ardhjen e Sulejmanit a.s.
dhe ushtrisë së tij: "Një buburrec tha: O buburreca,
hyni në vrima tuaja që mos t’u shkelë Sulejmani me ushtrinë
e tij..." (En-Neml, 18)
- Sikur të paktën, të kishe lexuar pak
për insektet nuk do të shtroje pyetje të këtillë.
Shkenca për insektet është përplot me studime të
përgjithshme për gjuhën e buburrecave dhe bletëve.
Sot është fakt i gjithëpranuar se buburrecat kanë gjuhën
e vet, sepse do të ishte absolutisht e pamundur të organizohen
shërbimet në foletë, në të cilat ka nga disa qindra
mijëra buburreca, të transmetohen urdhrat etj., sikur të
mos ekzistonte gjuha me të cilën ato transmetohen. Prandaj nuk
ka vend as për habinë më të vogël se si buburreci
ka mundur ta njohë Sulejmanin. Vallë, a nuk e njeh njeriu Zotin
xhel-le shanuhu?
- Si e fshin Zoti atë që njëherë e
ka shkruar (caktuar). "All-llahu fshin çka të dojë
dhe përforcon çka të dojë. Te ai është
Libri Amë." (Er-Ra’d, 39). A gabon Zoti juaj në llogaritje
sikur që këtë e bëjnë njerëzit, fshijnë
dhe përsëri shkruajnë, a e korrigjon Ai Vetveten sikur që
ketë e bëjnë njerëzit?
- All-llahu xhel-le shanuhu i fshin mëkatet me qëllim
që të të inspirojë të bësh mirë. Ai
në Kur’an thotë: "Veprat e mira, njëmend, i fshijnë
të këqijat." (Hûd, 114). Për robërit e tij
të mirë, All-llahu xhel-le shanuhu thotë: "U kemi shpallur
të bëjnë vepra të mira, të falin namazin dhe të
japin zeqatin." (El-Enbijâ, 73). Dhe ja kështu shihet se
All-llahu xhel-le shanuhu shlyen pa shlyerje dhe kjo është fshehtësia
e ajetit të theksuar të kaptinës Er-Ra’d të
cilën e përmenda më lart.
- E çka thua për ajetin: "Exhinet dhe njerëzit
i kam krijuar vetëm për atë që të më adhurojnë
Mua." (Edh-Dhârijât’ 56)? A është Zoti i nevojshëm
për adhurimin tonë?!
Përkundrazi, ne jemi të nevojshëm ta adhurojmë
dhe t’i falemi Atij!
A e "adhuron" femrën e bukur nga dashuria të
cilën ta ka imponuar apo të pëlqen, je i lumtur dhe kënaqesh
me bukurinë e të dashurës sate. Zoti xhel-le shanuhu është
mbi çdo gjë tjetër sipas bukurisë, madhërisë,
fuqisë, etj., dhe nëse e njeh si të tillë, do Ta adhurosh
dhe në atë adhurim do të gjesh lumturinë dhe kënaqësinë
më të madhe.
Adhurimi te ne rrjedh nga të njohurit. All-llahu
xhel-le shanuhu adhurohet nga njohja. Ndërsa njohja e All-llahut xhel-le
shanuhu është kulmi i çdo njohurie dhe paraqet pikën
fundore në rrugën e njohjes e cila fillon me lindjen. E para
që fëmija e njeh pas lindjes është kraharori i nënës.
Kjo është kënaqësia e tij e parë. Pastaj fëmija
e njeh nënën, babain, familjen, shoqërinë, rrethin.
Më vonë fillon ta shfrytëzojë rrethin e tij i cili
tash në krahasim me të është si kraharori i dytë
i nënës. Nga ai rreth, ai merr dhe shfrytëzon gjithë
begatitë e tij, nga thellësitë e tokës nxjerr ar dhe
diamante, nga detet margaritarë, nga arat dhe fushat mbledh lloje
të ndryshme të fryteve. E gjithë kjo paraqet kënaqësinë
e dytë të njohjes. Pastaj nga të njohurit e rrethit të
tij tokësor kalon në të njohurit e sferave qiellore: e pushton
Hënën, dërgon anije kozmike në Mars dhe lundron nga
botët e panjohura duke u kënaqur edhe me një kënaqësi
të madhe, me kënaqësinë e zbulimit dhe njohjes së
gjithësisë. Pastaj ai kozmolundrues kthehet dhe vetvetes ia shtron
këtë pyetje: kush jam unë që këtë e njoha.
Me këtë pyetje ai nis një rrugë të re të
udhëtimit, udhëtimin e njohjes së vetvetes me qëllim
që t’i njohë dhe të zotërojë me fuqitë e
tij të cilat i vë në shërbim të vetvetes dhe në
shërbim të të tjerëve. Të ndihmosh veten dhe të
tjerët edhe kjo është një lloj i kënaqësisë.
Pas njohjes së vetvetes vjen njohja e cila paraqet kulmin e çdo
njohurie, e kjo është njohja e All-llahut xhel-le shanuhu i cili
ka krijuar shpirtin e njeriut dhe qenien e njeriut. Me këtë njohjen
e fundit njeriu arrin lumturinë kulminante, ngase takohet me më
Të Lartësuarin, me më Të Përkryerin dhe me më
Të Bukurin e çdo gjëje të bukur. Ky është
udhëtimi i të devotshmit në rrugën e tij të devotshmërisë.
E tërë kjo është në ligjin e luleve dhe të
lumturisë së begatshme. Ndërsa ajo që në jetë
ka vështirësi, është ngase ai që dëshiron
ta këpusë trëndafilin duhet patjetër ta fusë dorën
në ferra. Ai që dëshiron ta arrijë kulmin e pafundshmërisë
duhet patjetër t’i angazhojë të gjitha fuqitë e tij
në mënyrë që ta arrijë këtë. Ardhja
e njeriut të devotshëm deri te njohja e Zotit xhel-le shanuhu
dhe heqja e perdes nga sytë, është ajo më e bukura,
më e madhërishmja dhe më e larta që njeriu përgjithësisht
mund ta arrijë. Një sufi i veshur me petkun e zhgunjtë thotë:
"Ne gjendemi në kënaqësinë e atillë që sikur
të dinin për të sundimtarët, do të përpiqeshin
të na e rrëmbenin me shpata". Kjo është kënaqësia
e ibadetit të vërtetë. Në këtë ka pjesë
vetëm ai i cili është vërtet i devotshëm. Mirëpo,
ajo devotshmëri Zotit xhel-le shanuhu nuk i duhet. Ai për atë
nuk është i nevojshëm. Ai është i pavarur edhe
nga njerëzit. Ne nuk e adhurojmë All-llahun për shkak se
jemi të obliguar në këtë, por për shkak se e kemi
njohur bukurinë dhe madhështinë e Tij. Në ibadetin
All-llahut xhel-le shanuhu ne nuk gjejmë përçmim për
njeriun, por lumturi dhe nder, gjejmë çlirimin nga të
gjitha llojet e kulteve në jetën e kësaj bote, çlirimin
nga çdo lloj i instinktit, epshit, lakmisë, robërimit
të pasurisë etj. Duke iu frikësuar Zotit xhel-le-shanuhu
nuk i frikësohemi më askujt dhe nuk qajmë kokën për
asgjë tejtër. Nënshtrimi për All-llahun xhel-le-shanuhu
është trimëri, ndërsa ibadeti për Atë është
liri. Përulshmëria për Zotin është nder. Njohja
e Zotit është siguri. Ja ky është ibadeti i vërtetë.
Ne jemi ata të cilët kemi nevojë për dobinë dhe
kënaqësinë e ibadetit, sepse Zotit xhel-le-shanuhu kjo fare
nuk i duhet. Ai na ka krijuar që të na japë, e jo që
nga ne të marrë. Na ka krijuar që të na pasurojë
me një pjesë të përkryeshmërisë së Tij.
Ai i cili çdo gjë dëgjon dhe çdo gjë sheh
na ka bërë që edhe ne të dëgjojmë dhe të
shohim. Ai i cili çdo gjë e di dhe çdo gjë e njeh
na ka dhënë mendjen në mënyrë që edhe ne
të pajisemi me një pjesë të dijes dhe shqisave të
Tij, në mënyrë që të shërbehemi me një
pjesë të njohjes së Tij. Ai thotë "O njeri, përulmu
Mua do të jap një pjesë të fuqisë hyjnore dhe
do të mundesh t’i thuash diçkasë bëhu dhe ajo do
të bëhet" (hadithi - kudssijj). Vallë a nuk ia ka mundësuar
këtë Isaut a.s., ashtu që Isau a.s. ka bërë atë
çka e ka bërë.
Ibadeti për All-llahun xhel-le-shanuhu pra nuk është
robërim në kuptimin që e kuptojmë këtë zakonisht
ne. Të robërosh, në kuptimin siç kjo zakonisht kuptohet,
është që zotëriu t'i marrë dhe t’i shfrytëzojë
të mirat e robit të vet. Ibadeti për All-llahun xhel-le-shanuhu
ka domethënie dhe kuptim plotësisht të kundërt sepse
All-llahu xhel-le-shanuhu i ka dhënë begati të panumërta
dhe e ka dhuruar me shumë përkryeshmëri. Dhe kur All-llahu
xhel-le-shanuhu thotë: "Exhinet dhe njerëzit i kam krijuar
vetëm për atë që të më adhurojnë Mua",
kjo në esencë do të thotë i kam krijuar exhinet dhe
njerëzit që t’u jap dhe t’u dhuroj dashuri, mirësi, nder,
fuqi, që t’u ndaj respekt dhe hilafet në Tokë. Zoti Krijues
nuk ka nevojë fare për ibadetin tonë. Ne jemi të nevojshëm
për Të. Ne jemi të nevojshëm për këtë
ibadet, sepse kemi nevojë për këtë nderim, këto
respekte dhe këto të mira që janë të pakufishme.
All-llahu fisnik na ka lejuar që të mund të "hyjmë"
te Ai në çdo kohë pa u paralajmëruar dhe të
mbetemi te Ai sa të duam, duke e lutur dhe duke kërkuar nga Ai
çka të duam. Sa të biem në sexhde në namaz dhe
të shqiptojmë "All-llahu ekber" dmth. All-llahu është
më i madhi, vijmë në praninë e Zotit dhe mundemi nga
Ai të kërkojmë ç’të duam.
A ka dikush tjetër te i cili mund të hyjmë
kur të duam dhe si të duam?! Në këtë pikëpamje
bukur thotë robi i mirë Shejh Muhammed Mutevel-li Esh-Sha'raviu:
"Mjafton që kam nderin të jem rob. Zoti i cili
në madhërinë e Tij më të madhe është
vazhdimisht, më pranon pa kurrfarë paralajmërimi.
Por, edhe përveç kësaj e takoj kur të
dua dhe kur kam dëshirë’
dhe
"Ma tregoni prodhimin i cili prodhuesit të vet i
tregohet pesë herë në ditë (mendon në pesë
namazet ditore). Dhe i është ekspozuar shkatërrimit!"
Këto ishin vetëm disa domethënie të
fshehta të ajetit i cili në shikim të parë shpie në
dyshim:
"Exhinet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm
për atë që të më adhurojnë Mua."
Po të mendoje pak më tepër për këtë
ajet, ai te ti do të zgjonte entuziazëm dhe do ta nxiste admirimin
tënd.
Përktheu: Muhidin Ahmeti
QËNDRIMI
ISLAM NDAJ EVOLUCIONIT
Miku im tha:
- Sot do të kesh punë të vështirë.
Të duhet patjetër ta dëshmosh krijimin e njeriut në
mënyrën gala-gala: e mori Zoti një copë dhe, e përziu
me dorën e Vet, e frymëzoi në atë shpirtin dhe kështu
u krijua Ademi, ndërsa krijimin e njeriut në këtë mënyrë
e refuzojnë dituritë për evolucionin, të cilat nga
ana e tyre pohojnë se njeriu i parë, Ademi, ka ardhur në
botë si rezultat i një procesi të tërë të
zhvillimit të jetës në tokë dhe si i tillë është
i lidhur ngusht me anëtarët e familjes së tij - botën
shtazore, se ka paraardhës të përbashkët me majmunët,
se ekziston ngjashmëri e madhe në ndërtimin e trupit të
tyre që, krejtë së bashku, flet qartë se të gjithë
i takojnë një familjeje.
I gatshëm për hir të të vërtetës
dhe shkencës në diskutim të pakursyer, mikut tim iu përgjigja:
- Së pari më lejo t’i përmirësoj disa
pikëpamje tua në lidhje me krijimin e njeriut. Zoti nuk e ka
krijuar Ademin në mënyrë gala-gala si mendon ti: Ja, këtu
është një copë dhe, i fryejmë asaj dhe do të
bëhet Ademi. Kur’ani flet për një mënyrë krejtësisht
tjetër të krijimit të Ademit, flet për krijimin i cili
ka fazat e veta, zhvillohet nëpër periudha dhe kalon në
kohën e Zotit. Kur’ani krejtësisht qartë thekson se njeriu
nuk ka dalë drejtpërsëdrejti nga dheu por nga pasardhësit
të cilët kanë lindur nga dheu: "Ne, me të vërtetë
e kemi krijuar njeriun nga palca e tokës." (El-Mu’minûn,
12). Pastaj, se njeriu në fillim s’ka qenë aspak i rëndësishëm:
"Vallë, a nuk ka kaluar njeriu një kohë,
atëherë kur nuk ka qenë i denjë të përmendet."
(Dehr - Insân, 1). Dhe se krjimi i tij ka qenë në mënyrë
evolutive: "Ç’është me ju, pse nuk i frikësoheni
fuqisë së All-llahut. Ai ju ka krijuar në etapa (shkallërisht)."
(Nûh, 13-14).
"Ne ju krijuam, pastaj ua dhamë formën dhe
atëherë u thamë engjëjve: Bini në sexhde para
Ademi., Ata ranë në sexhde, ndërsa Iblisi refuzoi..."
(El-A’râf, 11);
"Dhe kur Zoti yt u tha ëngjëjve: Unë
do ta krijoj njeriun nga balta, e kur ta përkryej dhe ta frymëzoj
nga fryma ime, atëherë ju përuljuni." (Sâd, 71-72).
Nga ajetet e theksuara bukur mund të shihet se krijimi
ka kaluar nëpër faza: të krijuarit, të formuarit, të
përkryerit, e pastaj të frymëzuarit e frymës. Është
karakteristike që këto faza në ajete janë të lidhura
me lidhësen "thumme" (pastaj), e cila në kohën e Zotit shënon
miliona vjet: "Dhe vetëm një ditë te Zoti yt është
sa një mijë vjet sipas llogaritjes suaj." (El-Haxhxh, 47).
T’i shikojmë këto faza kohore të krijimit
në kaptinën Sexhde në të cilën All-llahu
xhel-le-shanuhu thotë:"E ka filluar krijimin e njeriut nga balta,
pastaj e ka bërë që pasardhësit e tij të bëhen
nga gjaku i pikësuar dhe nga uji i dobët i njeriut, pastaj e
ka unjësuar dhe qenien e tij e ka përkryer dhe e ka frymëzuar
nga fryma e Vet dhe i ka dhënë veshë, sy dhe zemër.."(Es-Sexhde,
7-9).
Në fillim ka qenë dhé, pastaj gjak i
pikësuar nga uji i dobët. Këto janë nismat e krijimit
të njeriut i cili si i tillë "nuk ka qenë i denjë të
përmendet". Pastaj kanë pasuar unjësimi, formimi dhe frymëzimi
me të cilin njeriu është bërë qenie e përkryer
me shqisa: të të dëgjuarit, të të pamurit, si
dhe me zemër... është bërë Ademi i cili pra është
etapa e fundit e një zhvillimi kauzal e të gjatë, e kurrsesi
fillim absolut i një krijimi momental (mënyrë - gala-gala):
"Dhe All-llahu ju ka bërë që të
rriteni nga toka sikur bimët..." (Nûh, 17).
Me rritjen e cila është përmendur në
këtë ajet, mendohet në rritjen e cila i ka fazat e veta.
Mirëpo, fshehtësia e vërtetë është në
atë se çfarë kanë qenë ato faza në esencën
e tyre, ç’kanë qenë në të vërtetë
ato periudha të zhvillimit.
A është trungu i jetës i tërë
nga një baba?
Duke e marrë parasysh përbërjen kimike,
çdo gjë është nga dheu. Çdo gjë me vdekjen
e cila është e pashmangshme, i kthehet tokës dhe zbërthehet
në përbërjet e veta themelore. Ky është fakt i
gjithënjohur. Por, fjalën "baba" ne këtu e kuptojmë
shumë më gjerë se përbërja themelore e njeriut.
Pyetja vetëm është se a është lindur qeliza e
parë nga toka e cila me të shumëzuarit i ka prodhuar të
gjitha llojet dhe gjinitë e shtazëve dhe të bimëve
e me këtë edhe vetë njeriun, apo kanë ekzistuar nisma
të shumënumërta dhe të nduarnduarta: një nismë
nga e cila janë zhvilluar bimët, një tjetër nga e cila
lindi një lloj i caktuar i shtazëve si psh. sfungjerët,
nisma nga e cila u zhvilluan peshqit, pastaj nisma nga e cila lindën
zvarranikët, nisma e shpendëve, nisma e sisorëve dhe nisma
nga e cila është zhvilluar njeriu, që do të thotë
se edhe njeriu ka nismën e vet... plotësisht të pavarur
sikur edhe çdo lloj tjetër.
Ngjashmëria anatomike e gjinive, llojeve dhe familjeve
nuk e mohon lindjen e çdo lloji nga nisma e veçantë.
Kjo përputhshmëri anatomike krejtësisht qartë tregon
në atë se është një Krijues i të gjitha llojeve,
gjinive dhe familjeve, i cili të gjithë i ka krijuar nga materiali
i përbashkët, sipas një stili dhe plani të njëjtë.
Kjo është konsekuenca e tyre logjike dhe e domosdoshme. Mirëpo,
kjo që kanë një baba, nuk është rezultat i domosdoshëm
i ngjashmërisë anatomike dhe përputhshmërisë së
llojeve, gjinive dhe familjeve. Mjetet e komunikacionit janë të
ngjashme ndërmjet veti si qerret, trenat, tramvajët, etj. Kjo
ngjashmëri e tyre flet se ato mjete të komunikacionit janë
prodhim i trurit njerëzor. Por kjo në asnjë mënyrë
nuk e mohon ekzistimin e projektuesit dhe origjinalitetin e tyre. Sikur
që është e padrejtë të themi se qerrja e dorës
është "zhvilluar" sipas ndonjë ligji të vet të
brendshëm të pavarur, së pari në qerre të cilën
e tërheqin kuajt, pastaj në ford, tren dhe dizel, sepse është
e vërtetë që ky "kalim" do të ishte krejtësisht
ndryshe dhe do të vijonte me zhvillimin e mendjes së konstruktuesit
dhe aftësive të tij shpikëse. Po ashtu është e
padrejtë të thuhet se një lloj ka dalë nga tjetri,
edhe pse ky pohim, duke marrë parasysh renditjen e përmendur
kohore, duket i saktë. Mirëpo është e vërtetë
se çdonjëri prej tyre ka ardhur me "kërcimin shpikës"
të konstruktuesit të vet dhe ashtu ka filluar pavarësisht.
A kanë ekzistuar paranisma të pavarura të
gjinive apo disa gjini kanë nismë të njëjtë?
Zhvillimi është përmendur krejtësisht
qartë në Kur’an sikur që janë përmendur edhe fazat
e tij: faza e krijimit, faza e formimit, faza e përkryerjes dhe faza
e gjallërimit... Mirëpo, shkenca ende nuk ka mbërritur që
në tërësi ta shpjegojë cilëndo qoftë nga
këto faza dhe ta japë fjalën e fundit për to.
Nëse kthehemi në ajetin e kaptinës Sexhde
i cili në përkthim është:
"... E filloi krijimin e njeriut nga balta, pastaj
e bëri që pasardhësit e tij të bëhen nga gjaku
i pikësuar dhe nga uji i dobët i njeriut, pastaj e unjësoi
dhe qenien e tij e bëri të përkryer dhe e frymëzoi
nga fryma e vet, dhe i dha veshë, sy dhe zemër..." (Es-Sexhde,
7-9), do të shohim se nismat e para të njeriut, prej të
cilave më vonë është bërë njeriu i parë-Ademi,
e ato janë mbi të cilat flitet sikur mbi ujin e njeriut, nuk
i kanë pasur të formuara shqisat: e të pamurit, të
dëgjuarit, as zemrën.Këto kanë ardhur më vonë
pas "frymëzimit të frymës" e kjo ka qenë faza e fundit
e krijimit të Ademit. Do të thotë, këto nisma janë
të ngjashme me jetën paranismore (primodiale) të shtazëve:
"Vallë, a nuk ka kaluar njeriu një kohë kur nuk ka qenë
i denjë të përmendet."(Insân, 1). Nuk mendoj se e
gjithë kjo dallohet nga qëndrimet e shkencës për të
cilat flet ti. Mirëpo, e vërteta e zhvillimit ende është
fshehtësi. Dhe askush i mençur nuk do të pohojë se
këtë të vërtetë e ka zbuluar. Ndoshta ajo që
me të vërtetë ka ndodhur, as për së largu nuk
është kjo për të cilën flasim ne dhe për
të cilën flasin shkencëtarët. Çështja është
ende e hapur për hulumtime dhe çdo gjë që shkenca
e servon është vetëm supozim.
Përktheu: Muhidin Ahmeti
NUK KA ZOT TJETËR
PËRVEÇ ALL-LLAHUT
Miku tha:
- A nuk pajtohesh me mua në mendimin se ju e teproni
shumë në përdorimin e fjalës "Lâ ilâhe-il-lall-llah",
duke e quajtur atë çelës i cili hap çdo derë,
me këto fjalë e përcillni të vdekurin, e pritni foshnjën
e posalindur, i vendosni ato fjalë në vula, i skalitni në
gjerdane, i shtypni në monedha, përpunoni lehva në mure...
(thoni) se cili prej jush i shqipton këto fjalë, trupin e vet
e ka të ruajtur nga zjarri... e nëse e shqipton njëqind
mijë herë, do të hyjë në xhennet, sikur ato fjalë
të ishin talisman magjik, magji për dëbimin e gjindëve
apo shpellë për mbylljen e tyre, si dhe shkronjat elif-lâm-mîm,
kâf-hâ-jâ-ajn-sâd, tâ-sîn-mîm,
hâ-mîm, elif-lâm-râ, kuptimin e të
cilave as ju vetë nuk e dini. A do ta shpëtoj veten nga dënimi
nëse i shqiptoj fjalët "La illahe il-lall-llah". Nëse
po, atëherë ja unë e shqiptoj para teje dhe këtij auditoriumi:
Lâ ilâhe il-lall-llah, dhe me këtë a ka marrë
fund çdo gjë?
- Jo, me këtë nuk ke thënë asgjë.
Maksima kur’anore, "Lâ ilâhe il-lall-llah" e cila do
të thotë: "Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut"
është e dobishme vetëm për atë që e rregullon
jetën e vet sipas saj, e jo edhe për atë i cili e përsërit
vetëm me gjuhë. "Lâ ilâhe il-lall-llah" është
metodë e punës, stil dhe program i jetës. Të mendojmë
pak për domethënien e saj. Kur të themi "Lâ ilâhe
il-lall-llah", atëherë me atë qartë bëjmë
me dije se vetëm All-llahu është i denjë për adhurim.
Ndërmjet "la-së" dhe "il-la-së", ndërmjet mohimit dhe
pohimit të cilët janë përfshirë në këtë
maksimë, ndërmjet tyre gjendet i tërë besimi. Me "la-në"
mohuese mohohet hyjnia e çdo gjëje që na mashtron dhe
josh nga të mirat e kësaj bote si pasuria, dinjiteti, pozita,
sundimi, çdo formë e kënaqësisë, luksi, gratë,
krenaria... Të gjitha këtyre haptazi u themi: Jo. Nuk do të
adhuroj. Ti nuk je zot. Pastaj i drejtohemi vetes, shpirtrave tanë
të cilët shpesh jepen pas këtyre kënaqësive, sepse
njeriu shpesh e adhuron edhe vetveten; e adhuron mendimin e vet, epshet
e veta, zgjidhjen e vet, vullnetin e vet, aftësitë e veta dhe
mendon se me duart e tij i ka kapur skajet e çdo sendi, se në
duart e tij është fati i mbarë njerëzimit, dhe në
këtë mënyrë e bën veten zot e që shpesh edhe
s’është i vetëdijshëm për këtë. Shpirtit
të këtillë ne i themi: Jo. Nuk do të adhuroj. Ti nuk
je zot. U themi "Jo" të gjithë atyre të cilët kërkojnë
nga ne që t’i adhurojmë në vend të Zotit.
Fjala "ilahun" është "failun", ndërsa failun
do të thotë ai i cili vepron. Te ne ai është Zoti,
kurse çdo gjë tjetër është mjet. Çdo
gjëje dhe çdokujt tjetër përveç All-llahut
i themi: Jo, nuk do të adhuroj, sepse nuk je zot. Se s’ka zota tjerë
përveç All-llahut e vërtetojmë me pjesëzen "il-la"
në maksimën e përmendur kur’anore. E ndërmjet këtyre
dy pjesëzave, siç e theksuam këtë më lart, qëndron
i tërë besimi. Pra, ai i cili është i zënë
me grumbullimin e pasurisë, kapitalit, poltroneri ndaj eprorëve,
vrapim pas kënaqësive, dhënie pas epsheve, adhurimin e mendimit
të vet dhe qëndrimit të vet, ai nuk u ka thënë
vendosmërisht zotërinjve të vet: Jo. Ai është
në mihrab (altar) të idhujve të tij dhe nëse e shqipton
maksimën kur’anore "Lâ ilâhe il-lall-llah", ai
këtë e bën rrejshëm, e shqipton me gjuhën e tij
atë që nuk e bën me duart e tij dhe që nuk e dëshmon
në praktikën e tij të përditshme.
Maksima "Lâ ilâhe il-lall-llah" do
të thotë edhe se nuk ka llogarimarrës as kontrollues tjetër
përveç All-llahut, i cili është i vetmi i denjë
për frikërespekt. Ai i cili i frikësohet dikujt tjetër
nuk u ka thënë vendosmërisht dhe me zemër "la" dmth:
Jo, të gjithë atyre zotave të rrejshëm, por vazhdimisht
atyre u bie në sexhde, u falet dhe kështu bën shirk (i bën
shok Zotit - shën. jonë). Ai gënjen kur i shqipton fjalët:
"Lâ ilâhe il-lall-llah’.
Nga domethënia e "Lâ ilâhe il-lall-llah"
shihet se kjo është obligim, program dhe stil i jetës, qëllimi
i së cilës është puna sipas asaj çka do të
thotë ajo. Dhe kush vepron sipas kësaj maksime kur’anore, me
të vërtetë ajo do t’i jetë talisman me të cilin
do të mund të hapë çdo derë, shpëtim në
të dy botët dhe rrugë për në xhennet. Ndërsa
sa i përket atij i cili e shqipton këtë maksimë vetëm
me gjuhë, pa e rregulluar dhe organizuar jetën e vet sipas saj,
kjo nuk do t’i sjellë kurrfarë dobie.
Mirëpo, fjalët "Lâ ilâhe il-lall-llah"
do të thonë edhe më shumë se kjo. Ato kanë edhe
nocionin e tyre të caktuar filozofik. Dr. Zeki Nexhib Mahmudi thotë:
"Maksima "Lâ ilâhe il-lall-llah" përmban të
pranuarit e ekzistimit të atij që e shqipton këtë maksimë
dhe jeton sipas saj, ekzistimin e asaj që kjo maksimë e thotë
si dhe ekzistimin e atyre para të cilëve kjo maksimë shqiptohet.
Shkurt, ajo konfirmon ekzistimin e vërtetë të individit,
All-llahut dhe të atyre para të cilëve individi përkatës
e pranon ekzistimin e Zotit. Nga kjo shihet se Islami e hedh poshtë
idealizmin në filozofi sikur që këtë e bën njësoj
edhe me materializmin. Ai merr një pozitë të mesme.
E refuzon idealizmin sepse ai nuk e pranon ekzistimin
e të tjerëve dhe të botës objektive, faktin e jashtëm
jo të varur nga arsyeja. Çdo gjë në sytë e idealistëve
rrjedh sikur të ishte ëndërr, çdo gjë është
në tru, çdo mendim del nga mendja. Edhe ti, edhe radioja, rruga,
shoqëria, shtypi, lufta, të gjitha këto janë ndodhi,
figura dhe ëndrra të cilat zhvillohen në mendje, ndërsa
bota e jashtme nuk ka ekzistimin e saj të vërtetë.
Islami, sikur që këtë e theksuam, e refuzon
këtë qëndrim idealist-ekstrem dhe maksima e tij "Lâ
ilâhe il-lall-llah", sikur që këtë e ka vërejtur
dr. Zeki Nexhib Mahmudi, e vërteton ekzistimin e atij që deklaron,
ekzistimin e asaj që deklarohet dhe ekzistimin e atyre para të
cilëve atë e deklaron, dmth. që individi, All-llahu dhe
të tjerët (njerëzit), janë të vërteta të
konfirmuara.
Maksima "Lâ ilâhe il-lall-llah" pra
do të thotë stil i jetës dhe qëndrim i caktuar filozofik.
Dhe ja, tash e ke të qartë se shqiptimi yt i
maksimës së lartpërmendur kur’anore nuk do të të
ndihmojë, sepse ti atë e ke shqiptuar josinqerisht.
E ke shqiptuar shehadetin, ndërsa nuk punon, nuk
e organizon dhe nuk e rregullon aspak jetën tënde sipas maksimës
kur’anore të cilën e ke shqiptuar.
Sa i përket diskutimit për harfet (shkronjat):
elif-lâm-mîm, kâf-hâ-jâ-ajn-sâd,
hâ-mîm, elif-lâm-râ, më lejo
që para kësaj të të pyes për shkronjat "sîn"
dhe "sâd", llogaritmin dhe formulën e energjisë,
gjë që tërë kjo është fshehtësi për
atë i cili nuk e njeh matematikën, gjeometrinë dhe fizikën,
ndërsa për ata që i njohin këto dituri secila nga këto
"fshehtësi" e ka domethënien e saj të thellë.
Ashtu është edhe me harfet të cilat ti
i përmend. Domethënien e tyre e njeh vetëm ai të cilit
i është zbuluar.
Përktheu: Muhidin Ahmeti
Miku tha:
- Nuk e kuptoj se si Zoti Mëshirues, për të
cilin ju thoni se është i butë, i mëshirshëm,
fisnik, se shumë fal etj., i lejon vetes, një Krijues dhe Zot
i tillë, t’i urdhërojë Të dërguarit të Tij,
Ibrahimit, që ta therë fëmijën e vet. A nuk do të
pajtohesh së bashku me mua se në mbarë këtë është
shumë vështirë të besohet?
- Nga konteksti i të rrëfyerit kur’anor për
Ibrahimin a.s. dhe birin e tij Ismailin, qartë shihet se qëllimi
i Zotit nuk ka qenë që Ibrahimi ta therë birin e vet, sepse
po ta dëshironte këtë All-llahu xh.sh. pa dyshim ajo edhe
do të ndodhte. Mirëpo, është e njohur se Ismaili nuk
ka qenë i flijuar si kurban. Nga Ibrahimi a.s. është kërkuar
që të ngadhënjejë dashurinë e tij të flakët
ndaj fëmijës së tij të lindur, që të jetë
zot i ndjenjave të tij, që të lirohet nga lidhshmëria
e tepruar me Ismailin, sepse nuk është e lejuar që zemra
e Të dërguarit të Zotit të jetë e lidhur për
dikë tjetër në atë masë sa është e lidhur
për All-llahun xh.sh. Zemra e Të dërguarit të Zotit
duhet patjetër të jetë e përmbushur me dashuri të
pafundshme ndaj All-llahut xh.sh. Çdo gjë tjetër, si bota,
fëmijët, autoriteti, mundimi, janë me rëndësi
të dorës së dytë. Ismaili, siç është
e ditur, është lindur kur ati i tij ka qenë në pleqëri
të thellë. Nga ky shkak ndoshta ajo dashuri e flakët e babait
ndaj tij. Atëherë All-llahu xh.sh. e vë në sprovë
Të dërguarin e vet në mënyrë që të hulumtohet
saktësia e tij e interpretimit të këtillë. Dhe ç’ndodhi.
Mjaftonte që I dërguari i Zotit vetëm ta pranonte urdhrin
e Zotit dhe menjëherë t’i qasej ekzekutimit të tij. Mirëpo,
atëherë vjen urdhri i Zotit për zëvendësimin e
sakrificës.
- E ç’mendoni për mu’xhizet e: Ibrahimit a.s.
- për hyrjen e tij në zjarr i cili nuk e djeg, për shkopin
e Musaut a.s. të cilin ai e shndërron në gjarpër dhe
me të cilin e çan detin, pastaj për dorën e tij të
bardhë... Vallë a nuk të përngjet e gjithë kjo
në programin akrobatik të ndonjë cirku. A thua ka nevojë
Zoti që fuqinë dhe madhërinë e Vet ta dëshmojë
me diç që vetvetiu është absurd dhe paraqet prishje
të rendit dhe rregullit në natyrë. A thua, a nuk janë
pikërisht rendi, sistemi, arsyeja, disiplina, me një fjalë
ligjet të cilat zotërojnë në natyrë, dëshmitë
më të fuqishme të madhërisë dhe fuqisë së
Zotit?
- Më duhet patjetër të të them se
mu’xhizen e ke kuptuar gabimisht. Ajo, sipas mendimit tënd, është
akrobatizëm (pehlivanllëk), kundërshtim i rendit dhe absurd.
Mirëpo, mu’xhizja është krejtësisht diç tjetër.
Më lejo që këtë të ta shpjegoj
me shembuj! Të supozojmë që sikur ti të kishe mundësi
me çfarëdo rasti të ktheheshe tre mijë vjet prapa
dhe ta vizitosh faraonin egjiptian duke marrë me vete një transistor
të madhësisë së një shkrepseje, i cili këndon
dhe flet. Ç’mendon, çka do të bënte faraoni dhe
suita e tij? S’ka dyshim se të ngurosur (habitur) do të bërtitnin
se kjo është mu’xhize, magji dhe kundër çdo ligji,
edhe pse ne të gjithë e dimë se në mbarë këtë
s’ka asgjë të çuditshme dhe të mbinatyrshme, sepse
tërë ajo që ndodh brenda transistorit ndodh sipas ligjeve
të elektronikës dhe si e tillë është plotësisht
normale dhe e kuptueshme. Me çfarë habie, ndërkaq, do
të të shikonte mbreti i Babilonisë sikur ta vizitoje me
televizor në dorë i cili emiton fotografi nga Perandoria Romake,
ndërkaq mbreti asirian, krejt i çmendur, do të të
duartrokiste po të dëgjonte zërin nga pllaka e gramafonit
të cilin e ke lëshuar.
Edhe historia më e afërt ka shënuar reagime
gati të njëjta. Kështu për shembull kur erdhën
kolonialistët në Afrikë dhe kur ateroi aeroplani i parë
në një pyll të pashkelur, vendasit e atjeshëm nga frika
ranë duke u lutur lakuriq për tokë, pastaj filluan t’u bien
daulleve dhe të flijohen duke thënë se ai është
Zoti që ka zbritur nga qiejt, sepse atë që e panë me
sytë e tyre ishte kundër të gjitha ligjeve "logjike" të
cilat ata i njihnin, edhe pse ne e dimë mirë se fluturimi i aeroplanit
zhvillohet sipas ligjeve konsoliduese (të aerodinamikës - shën.
përk.) dhe se me rastin e konstruimit të aeroplanit është
dashur doemos ato të merren parasysh. Për këtë arsye
mu’xhizja nuk është prishje e rendit por respektim i rendit.
Uji ngjitet nëpër trungun e hurmës përkundër gravitacionit.
Fjala është për ligjin e kompaktësisë së
shtyllës ujore, ligjit të fijeve të veçanta (rrënjore)
dhe ligjit të shtypjes osmotike të cilët e tërheqin
ujin lart.
Ne asnjëherë nuk dalim nga suazat e arsyes,
as jashtë të të kuptuarës. Mahnitja e vendasve pason
nga mosnjohja e ligjeve në natyrë. E tillë është
edhe mahnitja jote para çarjes së detit që e bëri
Musau a.s. dhe shndërrimi i shkopit në gjarpër, para ngjalljes
së të vdekurve të Isaut a.s., hyrjes së Ibrahimit në
zjarr që s’mund ta djegë etj. Për ty kjo është
e pamundur sepse i then ligjet. Ti këtë e konsideron akrobatizëm,
edhe pse e gjithë kjo zhvillohet sipas ligjeve të Zotit që
i tejkalojnë ligjet të cilat deri tash i kemi zbuluar. Fjala
është vetëm për një ndodhi më të lartë
dhe një rend më të lartë, i cili është krejtësisht
logjik, edhe pse mendja jonë ende nuk e arrin. Zoti xhel-le-shanuhu
nuk e prish këtë rend me mu’xhize por me ato na i zbulon nivelet
e tij më të larta.
Behaijët kanë gabuar gjithashtu duke i mohuar
mu’xhizet sikur edhe ti, sepse i kanë konsideruar mospërfillje
dhe përçmim i mendjes. Ata i kanë refuzuar kuptimet e
fjalëpërfjalshme të tekstit kur’anor, dhe sipas të
kuptuarit të tyre Musau, a.s. me shkopin e tij nuk e ka çarë
detin, por shkopi i tij e ka simbolizuar sheriatin i cili e ndanë
të vërtetën, dora e tij e bardhë, sipas tyre, është
mishëruar në dorë të së mirës; Isau i ka
ngjallur shpirtrat e jo trupat, ia ka hapur pamjet mendjes, e nuk ua ka
kthyer pamjen të verbërve. Për ata mbarë kjo ka qenë
vetëm alegori dhe simbolikë kur’anore, sepse tërë këtë
s’kanë mundur ta kuptojnë.
Ne sot jetojmë në kohën në të
cilën aspak nuk është vështirë të kuptohen
mu’xhizet. E pamë se si shkenca na çoi në Hënë.
Nëse kjo na shkoi për dore duke iu falënderuar dijeve tona,
atëherë është jashtë çdo dyshimi që
dija e Zotit të na ofrojë forcë dhe fuqi më të
madhe. Dëgjoje pak këtë ajet të bukur kur’anor:
"O grup i exhineve dhe njerëzve! Nëse ju
mendoni se mund të depërtoni nëpër sferat e larta të
qiellit dhe të Tokës, atëherë provoni! Por nuk do të
mundeni të depërtoni vetëm se me fuqi të madhe."
(Err-Rrahmân, 33).
Përktheu: Muhidin Ahmeti
Miku vazhdoi:
- Dëgjo, nëse ekziston xhenneti, sikur që
pohoni, atëherë unë do të jem i pari i cili do të
hyj në të, sepse jam më religjioz sesa shumë propagandues
tuaj me mjekra dhe tespih në dorë.
- Religjioz? Çka nënkupton me këtë?
- Mendoj, nuk e ofendoj askend, nuk vjedh, nuk vras, nuk
pranoj ryshfet, nuk hipokrizoj, nuk urrej, askujt nuk ia mendoj të
keqen, qëllimin e kam vetëm të bëj mirë dhe qëllimi
im gjithnjë është dobia e përgjithshme. Zgjohem dhe
fle me ndërgjegje të pastër. Parimi i jetës sime është
që ta rregulloj atë që mundem. A nuk është tërë
kjo fe? A nuk thoni ju se feja është tërësia e marrëdhënieve
të njeriut?!
- Atë që e the, nuk është fe. E tërë
çka punon ti bën pjesë në fe dhe quhet edukatë
dhe sjellje e mirë. Ti nuk bën dallim midis asaj ç’është
feja dhe asaj çka i takon fesë. Fe do të thotë vetëm
një: njohja e All-llahut dhe qëndrimi ndaj Tij, të Madhit
dhe Mëshiruesit, i cili është afër dhe i cili çdo
gjë sheh dhe dëgjon, dhe i cili është i vetmi i denjë
për lavdi dhe falënderim. Kjo, në të vërtetë
është feja dhe ajo në vete i inkuadron edhe të gjitha
ato që i theksove.
Pejgamberi i All-llahut thotë:
"Zoti e pranon sadakanë më parë se
sa duart e atij që i jepet". Kush e beson Zotin xhel-le shanuhu
i do edhe krijesat e Tij dhe sillet mirë ndaj tyre...
- Më beso, nganjëherë ndiej se ekziston
njëfarë Fuqie.
- Fuqi!
- Po! Njëfarë Fuqie e panjohur e cila qëndron
pas tërë kozmosit. Unë plotësisht besoj se ekziston
njëfarë Fuqie.
- Si e kupton ti këtë Fuqi? A e kupton si qenie
e cila dëgjon, sheh, kupton, u jep premtime krijesave të Tij
se do t’i mbrojë, udhëzojë, dhe drejtojë në rrugë
të vërtetë, se do t’u dërgojë libra dhe pejgamberë
dhe do t’u përgjigjet lutjeve të tyre.
- Haptas të të them, unë atë fuqi
nuk e mendoj ashtu, as s’e kuptoj. Edhe më tepër se kjo, e mendoj
naive dhe të pahijshme ndaj asaj Fuqie madhështore.
- Do të thotë, kjo është ndonjë
Fuqi e verbër e cila pa vetëdije dhe pa përgjegjësi
e drejton kozmosin?
- Ndoshta!
- Sa i keq është kuptim yt për Fuqinë
më të lartë. Të ka dhënë sytë e ti mendon
se ajo është e verbër. Të ka dhënë mend,
kurse ate e mendon të pavetëdijshme. Ti e mohove All-llahun dhe
kështu vetvetes i bëre mizori... ti Zotin tënd e mendon
si fuqi të verbër të cilit nuk i lutesh dhe nënshtrohesh...
- Pse të falem dhe kujt t’i falem? Unë në
lutjet tuaja nuk shoh kurrfarë urtësie. Për ç’arsye
ato lëvizje dhe a nuk është e mjaftueshme vetëm përulësia?
- Kuptimi i faljes (së namazit) është thyerja
e mendjemadhësisë. Me rënien në sexhde, me prekjen
e tokës me ballë dhe me theksimin e "subhâne rabbije-l-e’alâ"
e pranon vendin tënd, se ti në krahasim me All-llahun je i imët
dhe i asgjëshëm, se je dhe... Kurse, sa u përket lëvizjeve
në fjalë dhe mosmjaftueshmërisë së vetë përuljes,
më lejo të të pyes para se të të përgjigjem:
për ç’arsye është krijuar trupi dhe pse ti nuk kënaqesh
vetëm me dashuri abstrakte e cila nuk e inkuadron në vete edhe
trupin? All-llahu xhel-le-shanuhu ta krijoi trupin që të ta zbulojë
zemrën. Nëse në zemrën tënde ka diç, ajo
do të tregohet në trup. Nëse adhurimi yt është
i sinqertë, ti atë do ta manifestosh me trup, e nëse nuk
është, atëherë do të mbetet vetëm në
gjuhë.
- A beson ti se do të hysh në xhennet?
- Të gjithë do të shkojnë në
xhehennem. Pastaj All-llahu do t’i shpëtojë ata të cilët
kanë vepruar atë që e ka urdhëruar Ai dhe janë
ruajtur prej asaj që Ai e ka ndalur. Unë nuk e di se a jam prej
atyre të cilët do të jenë të shpëtuar. Atë
e di vetëm I Gjithëdijshmi. Vepra mund të jetë e mirë,
por qëllimi i cili qëndron pas saj ndoshta nuk është
i mirë. Ndoshta dikush punon diç në emër të
dikujt tjetër e jo në emër të All-llahut të madhëruar.
Shumë ka prej atyre të cilët mashtrohen në parashikimet
e tyre. Ne e lusim Zotin të na ruajë nga mashtrimet tona.
- A është e mundur që njeriu të jetë
plotësisht i sinqertë?
- Njeriu vetë nuk mund ta arrijë sinqeritetin
e plotë. Sinqeriteti është dhuratë e Zotit dhe Zoti
xhel-le shanuhu ka premtuar se do ta drejtojë dhe orientojë në
rrugë të vërtetë atë që i drejtohet. Prandaj,
nuk të mbetet asgjë tjetër përpos se t’i kthehesh Atij.
Tek Ai është e amshueshmja!
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
NE
SENDËRTOJMË FATIN E KËSAJ BOTE, NDËRSA JU SENDËRTONI
ILUZIONE
Duke konsideruar se është ngadhënjimtar, miku
tha:
- Pa i marrë parasysh këto mospajtimet tona
dhe kohëzgjatjen e diskutimit tonë, ne nga ato dalim si ngadhënjimtarë,
sepse ne sendërtojmë fatin e kësaj bote ndërsa ju iluzionet.
Ne kemi shumë gjëra të tilla që harami nuk i ngatërron.
Ju keni agjërimin, namazin, duatë, frikën nga llogaria.
E më thuaj, kush është në fitim?
- Ju do të ishit në fitim sikur ajo që
e posedoni të ishte fati i vërtetë. Mirëpo, kjo në
të vërtetë është fatkeqësi.
- Fatkeqësi?! Si kjo?
- Për arsye se kjo është robërim i
epsheve të cilat janë të pangopshme. Edhe Kur’ani e pranon
se ju kënaqeni, por kjo kënaqësi nuk është e denjë
për njeriun. Prandaj, kjo s’është fat. Fati i vërtetë
është qetësia shpirtërore dhe çlirimi spiritual
nga të gjitha robërimet përveç robërimit ndaj
Zotit Një dhe të Vetmit.
Fati është pajtimi i njeriut me vetveten, me
të tjerët dhe me Zotin xhel-le shanuhu. Ky pajtim arrihet me
aktivitetin e njeriut. Tërë jeta e tij duhet të jetë
e përshkruar me të mira dhe me të forcuarit e lidhjes me
All-llahun xhel-le shanuhu me anë të namazit. Në favor të
kësaj janë edhe fjalët e një mistiku: "Ne jetojmë
në ëmbëlsitë e atilla që mbretërit, sikur
ta dinin çfarë janë, do të tentonin me shpata të
na i rrëmbenin". Ata të cilët e njohin këtë ëmbëlsi
të pajtimit me Zotin dhe me vetveten, e njohin vlerën e kësaj
thënieje.
- A nuk ke pirë edhe ti para disa vjetësh, je
dëfryer së tepërmi dhe ke qenë i kënaqur me jetën
e atillë, sikur që jemi ne tash të kënaqur? Në
librin tënd All-llah we-l-insân (All-llahu dhe njeriu)
ke bërë herezi para një shumice të cilëve tash
po ua zë për të madhe, e çka është ajo
që të solli nga njëri skaj në skajin tjetër?
- Zoti është Ai i cili i ndryshon njerëzit
dhe i cili është i vetmi i pandryshueshëm.
- E di. Ti thua se e tërë kjo është
me mirësinë e Zotit, por cili është roli yt?
- Vdekja është ajo e cila së pari më
nxiti në një përsiatje të thellë për botën
rreth meje. Ajo më parë, në të vërtetë, më
është dukur paradoksale dhe atë vetes kurrsesi nuk kam arritur
t’ia shpjegoj, derisa bota më është dukur e rregulluar në
mënyrë të përkyer dhe e kuptueshme. Sikur jeta ime
me ndonjë rast të ishte rastësi e vërtetë dhe
lojë, kurse mbarimi i saj asgjë, atëherë për ç’arsye
dëshpërimi, animi nga e vërteta, idealet, madje edhe me
çmimin e vetë jetës.
Yjet të cilat lundrojnë shtigjeve të veta,
bashkësitë jashtëzakonisht të rregulluara të bletëve
dhe të buburrecave, bimët të cilat ndiejnë, morali
i disa llojeve të shtazëve, truri i njeriut me fijet e veta dhjetëmilionëshe
të cilat në harmoni të përkryer funksionojnë,
kjo më nxiti në përsiatje për Atë i cili qëndron
pas të gjitha këtyre. Hijeshia e gjethit të drunjve, e bishtit
të palloit, krahut të fluturës, këndimit të bilbilit,
më ka folur për Krijuesin e tyre. E kam parë rregullimin
e tërësishëm të natyrës e cila e ka mohuar çdo
rastësi dhe jopërcaktueshmëri.
E kam lexuar Kur’anin dhe kam mbetur i magjepsur dhe i
mahnitur me melodinë e tij. Mirëpo, përveç kësaj
melodie në të kam gjetur përgjigje përkatëse në
pyetjet të cilat shtrohen në politikë, etikë, sheriat,
kozmos, jetë, shpirt, shoqëri. Fakti se Muhammedi, i cili nuk
ka ditur të lexojë e as të shkruajë, ka jetuar në
një mjedis të prapambetur, së bashku me të gjitha që
u theksuan më lart, më ka bindur se Kur’ani është prej
Zotit, kurse Muhammedi është I dërguar i Zotit.
Pasi që me vëmendje i dëgjoi fjalët
e mia, miku më tha duke e shfrytëzuar rastin e fundit të
cilin e kishte:
- Unë asgjë nuk po humb, sepse e kam jetuar
jetën më të fatshme dhe më të pasur. Mirëpo,
nëse llogaritë e mia janë të sakta, ju do të humbni
shumë, kurse llogaritë dhe shpresa ime janë të vërteta
dhe juve, miku im, ju pret befasi e tmerrshme.
E shikova mikun derisa ende fliste, dhe në thellësitë
e syve të tij zbulova frikë, atë frikë të rëndë
nga e cila qepallat vezullojnë dhe dridhen. Edhe pse frika në
sy ka shndritur vetëm një çast, ai ka qenë mjaft
i gjatë të tregojë se dyshimi e ka prekur verbërinë
dhe mendjemadhësinë e mikut. Me tonin të cilit orvatej t’i
japë ashpërsi më tha:
- Do të shohish se toka është ajo që
na pret edhe ty edhe neve.
- A je i sigurt?
Duke e fshehur dyshimin me theks të forcuar ai tha:
- Po!
- Nuk ke të drejtë - i thashë, - se në
atë që ti e pohon, kurrë nuk mund të jemi të sigurt.
Duke mbetur vetëm, atë natë, pas dialogut
tonë të gjatë, kam qenë i sigurt se miku im në
shpirt ka lëndim. Thashë në veten time, duke u lutur për
të: mbase kjo frikë do ta shpëtojë, sepse kush ia mbyll
vetes me krenarinë e tij shtigjet deri te e vërteta, frika është
rrugëdalje e vetme. Mirëpo, e kam ditur se përudhja nga
rruga e drejtë dhe nga e vërteta nuk është në
duart e mia. A nuk po i thotë All-llahu xhel-le-shanuhu Të dërguarit
të Tij:
"Ti, me të vërtetë, nuk do ta udhëzosh
drejt atë që do ti, por All-llahu e udhëzon drejt atë
që do Ai..." (El-Kasas, 56).
Por, kam bërë lutje për mikun, sepse kam
dëshiruar të përudhet dhe të shpëtojë nga
mëkati më i madh.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
BIBLIOGRAFIA
E SHKURTËR
Në mënyrë që libri Dialogu me
mikun ateist të përcillet sa më lehtë, ju rekomandojmë
leximin e veprave në gjuhën shqipe dhe serbokroate siç
vijojnë:
1. Ahmed Behd`et, Allah - islamsko
poimanje i vjerovanje, Sarajevo, 1987.
2. Ahmed Deedat, Kur'ani – mrekullia
më e përsosur, Shkup, 1985.
3. Ahmed Hurshid, Jeta familjare
në Islam, Prishtinë, 1994.
4. Ebu'l A'la El-Mewdudi, Osnovne
pretpostavke za razumijevanje Kur'ana, Sarajevo, 1984.
5. Ebu'l A'la El-Mewdudi, Misioni
i pejgamberisë (nga: Mebadiul-islam), Dituria islame nr. 6 e tutje.
6. Ebu'l Fajd El-Menufi,
Filozofija islama, Sarajevo, 1983.
7. Ebu Hamid El-Gazali, Ballsami
i lumturisë, Romë, 1959.
8. Enes Kari}, Uvod u tefsirske
znanosti I, Sarajevo, 1988.
9. Fazlur Rahman, Duh Islama,
Beograd, 1983.
10. Grup autorësh, Arapsko-islamski
uticaj na evropsku renesansu, Sarajevo, 1987.
11. Hi{am D`ait, Evropa i islam,
Sarajevo, 1986.
12. Nedim el-D`isr, Vjerovanje
u Boga u svijetlu filozofije i Kur'ana, botimi II, Sarajevo, 1984.
13. Husein Djozo, Islam u vremenu,
Sarajevo, 1976.
14. Malik ibn Nebi, Kur'anski
fenomen, Sarajevo, 1985.
15. Maurice Bucaille, Biblija,
Kur'an i nauka, Sarajevo, 1979.
16. Muhammed Ikbal, Obnova vjerske
misli u islamu, Sarajevo, 1979.
17. Muhammed Hamidullah, Hyrje
në Islam, Shkup, 1985.
18. Muhammed Hamidullah, Muhammed
a.s. (I-II), botimi II, Sarajevo, 1983.
19. Mustafa Mahmud, Prej dyshimit
deri në besim, Prishtinë 1987, Shkup 1995.
20. Mustafa Mahmud, Kur'an -
poku{aj savremenog razumijevanja, Sarajevo, 1981.
21. Mustafa Mahmud, Allah,
Sarajevo, 1980.
22. Nerkez Smailagi}, Klasi~na
kultura islama, I, 1973, II, 1976, Zagreb.
23. Nerkez Smailagi}, Uvod u
Kur'an, Zagreb, 1975.
24. Osman Nuri-Had`i}, Muhammed
a.s. i Kur'an, botimi III, Sarajevo, 1986.
25. Ro`e Garodi, Islam, kultura
i socijalizam, Sarajevo, 1981.
Përmbajtja:
PARATHËNIE
"ALL-LLAHU NUK KA LINDUR AS S’ËSHTË
I LINDUR"
NËSE ALL-LLAHU I KA CAKTUAR
VEPRAT E MIA,
PËRSE ATËHERË MË
THËRRET NË PËRGJEGJËSI?!
PSE ALL-LLAHU KRIJOI TË KEQEN?
ÇFARË ËSHTË
MËKATI I ATIJ
TEK I CILI NUK KA ARRITUR KUR’ANI?
XHENNETI DHE XHEHENNEMI
A ËSHTË FEJA OPIUM?
QËNDRIMI I ISLAMIT NDAJ FEMRËS
SHPIRTI
NDËRGJEGJJA
A PËRMBAJNË ELEMENTE TË
IDHUJTARISË
CEREMONITË E HAXHXHIT?
PSE TË MOS JETË KUR’ANI
VEPËR E MUHAMMEDIT?
KUR’ANI ËSHTË SHPALLJE
E ZOTIT
DYSHIMET
QËNDRIMI ISLAM NDAJ EVOLUCIONIT
MAKSIMA KUR’ANORE: "LÂ ILÂHE
IL-LALL-LLAH"
NUK KA ZOT TJETËR PËRVEÇ
ALL-LLAHUT
MBI MU’XHIZEN
KUPTIMI I FESË
NE SENDËRTOJMË FATIN E
KËSAJ BOTE,
NDËRSA JU SENDËRTONI ILUZIONE
BIBLIOGRAFIA E SHKURTËR
PËRMBAJTJA:
Mustafa Mahmud
DIALOGU ME MIKUN ATEIST
Redaktor gjuhësor - korrektor:
Fatmire Ajdini - Hoxha
Redaktor teknik:
Urim Poshka
Përgatitja kompjuterike dhe shtypi:
Focus - Shkup
P.H. Logos-A
II Makedonska brigada TC "Treska" 10 / 7
91000 Skopje - Macedonia
Tel./Fax: (++) 389 91 611-508