PËRSONALITETE TË KULTURËS ISLAME 
QË KANË USHTRUAR AKTIVITETIN E TYRE EDHE NË GJYSMËN E DYTË TË SHEK. XX
  
 
 
HAMID GJYLBEGAJ
Demokrati i Pakorruptuar
 

Pinjoll i një familjeje të dëgjuar shkodrane me tradita patriotike Hamid Gjylbegaj, u shqua me veprimtarinë e tij si një intelektual me formim solid, si demokrat i pakorruptuar dhe atdhetar i paepur. 

Lindi në Shkodër në vitin 1888. Mësimet fillore i bëri në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Shkodër e Manastir. Mbaroi akademinë ushtarake në Stamboll. Mbajti qëndrim patriotik, që dëshmohet me pjesëmarrjen e tij kundër lëvizjes së Haxhi Qamilit, ithtarëve të "Sedai Miletit", antifashist dhe antikomunist.
Hamid Gjylbegaj ka një aktivitet të pasur si intelektual. Ka botuar 14 përmbledhje poezish, shkrime të ndryshme, ndër të cilat po përmendim: "Flutura ndër lule"(1921), "Monumenti i atdheut" (1934), "Drita e së vërtetës"(1933), "Cikrrime filozofie" (1934), "Fyelli i barive" (1943) etj.

Hamid Gjylbegaj kishte një formim fetar ku mbizoteronte në mënyrë të veçantë panteizmi bektashian. Ishte njohës i thellë i tesavufit islamik, pra misticizmi që e përshkonte botëkuptimin e tij ishte i mpleksur me mjaft pikëpyetje, ku mbisundonte drita e së vërtetës me trinomin e drejta, e mira dhe e bukura. Në këtë hapësirë mendimi mbizotëronte madhështia e njeriut, njohja e vetvetes. Siç e dimë Muhammedi (a.s.), në mes fjalëve të tjera ka thënë: "Që të njohësh Zotin duhet të njohësh më parë veten". Biseda rreth këtij subjekti Hamid Gjylbegaj, siç tregojnë bashkëkohësit e tij, zhvillonte pothuajse çdo ditë nën hijen e çinarit pranë shtëpisë së tij.

Hamid Gjylbegaj ishte një përfaqësues i mendimit më të përparuar. Ai ishte një teist liberal, i cili në poezitë e tij filozofike përçoi filozofinë islame dhe në mënyrë të veçantë ai propagandoi tolerancën fetare, që e transmeton filozofia islame në kushtet e vendeve shumëkonfesionale. 
Vdiq në vitin 1979 në Elbasan.