HAFIZ
IBRAHIM DALLIU
Burri
Që Nuk u Mposht Nga Persekutimet
Zhvillimi
i kulturës islame, shtypi publicistik dhe ai fetar, beteja dhe lufta
për mbrojtjen e pavarësisë, lidhen me emrin dhe veprat e
Hafiz Ibrahim Dalliut. Me Kur’an në dorë dhe me pushkë nën
sqetull, ai u priu vullnetarëve të Tiranës si komandant
për ta mbrojtur vatanin kundër agresorëve jugosllavë.
Hafiz
Ibrahim Dalliu si një figurë patriotike, i shërbeu arsimit
në përgjithësi dhe atij pedagogjik në veçanti.
Gjatë viteve të rinisë, pa mbushur ende 18 vjeç,
në rrugë klandestine, përvetësoi alfabetin shqip dhe
më 1901, së bashku me Filip Ashikun dhe Hoxhë Voglin, shërbeu
si mësues i shkollës shqipe në Tiranë.
Më
1908 ai hapi shkollën e vajzave në Tiranë, ku u pregatitën
mësueset e para vajza myslimane, si Servete Maçi etj. Mori
pjesë në Kongresin Kombëtar për problemet e Arsimit,
që u mbajt në Elbasan në shtatorin e vitit 1909. Së
bashku me Luigj Gurakuqin dhe Aleksandër Xhuvanin, Hafiz Ibrahim Dalliu
qe nga të parët që themeloi Normalen e Elbasanit, e cila
u hap me vendim të Kongresit të mësipërm.
Luigj
Gurakuqi shkruan se normalja e Elbasanit kishte në themelet e saj
djersen e mundin e Hafiz Ibrahim Dalliut, të Aleksandër Xhuvanit,
Sotir Pecit, të tyre (të Luigj Gurakuqit, R.Z)e të atdhetarëve
të tjerë.
Pas
vitit 1912 Hafiz Ibrahim Dalliu iu kushtua publicistikës dhe letërsisë
satirike. Më vonë drejtoi gazeten politike "Dajti". Duke nisur
nga viti 1918 deri më 1924 botoi një varg veprash satirike duke
u bërë kështu ndër të parët poetë satirikë
që çanë rrugën e humorit në letërsinë
shqipe. Këto vepra janë "Grenxat e kuqe"(1918), "Dokrat e hinit"(1920),
"Kabineti i Xhafer Ypit" (1922) etj. Shkroi gjithashtu edhe librin me vjersha
patriotike "Kreshniku i atdheut", si dhe monografine "Patriotizma në
Tiranë"(1930). Por njohjen si poet ai e fitoi me elegjinë kushtuar
Avni Rustemit, kurse popullaritetin e fitoi nga qëndrimi i tij stoik
kundër torturave që atij i bënë pushtuesit e Shqipërisë.
Burrëria
dhe heroizmi i Dalliut vihet në dukje dhe në një nga këngët
e "Lahutës së Malësisë", ku poeti Gjergj Fishta mbi
të tjera shkruan: "a isht’ "Shqiptar" apo "Osmanli", u përgjegj
me trimëni: jam shqiptar me gjuh e fis.
Hafiz
Ibrahim Dalliu ishte një ndër mbështetësit konseguentë
të lëvizjeve demokratike të viteve 1920-1924. Vrasja e atdhetarit
të shquar Avni Rustemi e brengosi pa masë. Por ai gjeti forca
dhe i thuri këtij martiri të shquar, një këngë
e cila gjeti jehonë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme,
por në mbarë viset shqiptare.
Hafiz
Ibrahim Dalliu edhe më vonë u përndoq nga forcat rrebele
dhe nga rregjimi komunist. Ai njohu qelitë e burgut të Manastirit,
Selanikut, Tiranës. Herën e fundit e akuzuan për botimin
e poemës "Grenxat e kuqe", se ka sulmuar pansllavizmin. Por karakteri
shumë i fortë, besimi në islam e ushqente atë për
të mbrojtur të drejtën dhe lirinë.
Vlen
të përmendet edhe kontributi i tij i paçmuar gjatë
viteve ’30 për botimet e shumta që bëri në shërbim
të edukimit fetar. Numërohen gjithsej 15 vepra, përkthime,
por shumica origjinale. Ndër të gjitha këto shquan"Tefsiri
shqip i Kur’anit" në dy vëllime, përkthyer nga arabishtja.
Libra
të tjerë me karakter fetar jane: "Udha muhamedane" (vepër
afër 500 faqesh), botuar në Tiranë më 1936, "E lemja
dhe jeta e të madhit Muhammed alejhiselam", vepër në vargje,
me një vëllim prej 238 faqesh, Tiranë, 1933, "Mësime
teorike dhe praktike të besimit islam", Tiranë, 1935 etj. Qe
anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Shqipërisë.