MULLA
IDRIZ GJILANI
Udhëheqësi
Shpirtëror, Politik e Ushtarak
Në
historinë e re të gjysmës së parë të shekullit
tonë, çfaqet dhe figura e Mulla Idriz Gjilanit. Studjuesi Muhamet
Pirraku e portretizon si "Fetar atdhetar konseguent, orator e mjeshtër
i penës, i zoti i punës, besnik i fjalës, predikues fetar
dhe mualim-mësues iluminist, ideolog dhe luftëtar i lirisë,
i vendosur në idealet e veta liridashëse, si bjeshkët e
Kosovës, të cilat i mbrojti me fjalë, me pushkë, me
gjak, burrërisht, trimërisht, i pathyeshëm, me plagë
në zemër e në trup, nuk u dorëzua, u bë legjendë
si Basho Muji".
Mulla
Idriz Gjilani lindi në Velekincë, katund në periferi të
Gjilanit, më 4 qërshor 1901. Ndoqi studimet fillestare në
mejtepin e Cernicës, të cilin e mbaroi në vitin 1911, kurse
studimet e mesme i vazhdoi në medresenë "Atik" në Gjilan.
Më 1926 u diplomua, pas një ndërprerjeje të shkollës.
Në moshën 25- vjeçare u bë imam dhe fitoi titullin
Mulla. Shërbeu në detyrën e Imamit në Karadak e në
Hogoshtë. Më 1941 u zgjodh në postin e Bashvajizit në
Ulema-mexhlizin e Kuvendit fetar-arsimor të Vakufit të Shkupit.
Në
karrieren e tij prej fetari ai u nis nga disa parime kur’anore dhe hadithore
që përcaktonin vlerat e arsimit, të kulturës dhe të
edukatës: "Pa shkollim - thotë ai, - nuk ka fe të mirëfilltë",
"Talebet (nxënësit) tonë nuk duhet të mësojnë
më vetëm për leximin e Kur’anit, por edhe për njohjen
e mjeshtërisë së shkrimit. Talebet tonë duhet t’i nisim
në rrugën për ta njohur islamin dhe jo për ta prezantuar
si diçka statike", "S’ka fe pa atdhe", "Të ndihmojmë njëri-tjetrin
me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllezër",
"Pa një atdhe të lirë feja nuk mund të mbahet, nuk
mund të ushtrohet", "Lexoni te mualimë të urtë sa e
mirë dhe sa e kuptueshme është feja islame, kur shpjegohet
shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët".
Gjatë
kohës si hoxhë dhe bashvaiz zhvilloi një veprimtari intensive
në fushën e edukimit fetar me frymë atdhetare. Hapi mejtepin
e Pidicit për mësimin e djemve dhe të vajzave, organizoi
ilegalisht mësimin e shkrim-leximit me alfabetin e gjuhës shqipe,
futi mësimin shqip në medresenë "Atik", ushqeu mirëkuptimin
dhe bashkëpunimin vëllazëror me bazë kombëtare
shqiptare në popullsinë muslimane-katolike të zonës
së Karadakut. Kur qe mësimdhënës në tre mejtepe
njëkohësisht, shfrytëzoi sistemin monitor: përgatiti
nxënësit më të mirë dhe me moshë më
të madhe për ta zëvendësuar kur ai mungonte.
Në
prill të vitit 1937, në kushte ilegaliteti, themeloi në
Arllat të Drenicës Organizatën e Rinisë Përparimtare
"Drita" të Kosovës. Aktivitetet e tij fetare nuk dalloheshin
nga ato atdhetare e humane. Kudo, kurdo e me këdo ato ishin të
pranishme.
Mulla
Idrizi ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Në
funksion të kësaj bindjeje atdhetare e humane ai programonte
në xhami, në konake, në kuvende e deri në ceremonitë
e vdekjes. Në formë kushtrimi ai thërriste: "Jemi përgjegjës
për varret e prindërve tanë para Zotit dhe para kombit.
Nuk guxojmë të heqim dorë prej tyre t’i lëmë të
shkreta për t’i lavruar derrat e naçalnikëve sllavë!
Jo vetëm në Turqi, por as në Shqipëri nuk bën
të shkojmë. Zoti në Kur’an na ka bërë përgjegjës
për vatanin dhe kombin!"
Ai,
përsonalisht, u printe aksioneve për ndërtimin e urave,
rrugëve, çesmeve, mejtepeve, xhamive, mirëmbajtjes së
varrezave, të cilat i shikonte si mjete dëshmuese të bashkimit
të popullsisë shqiptare. Uniforma e ndihmoi për të
maskuar aktivitetin e tij patriotik. Mulla Idriz Gjilani ishte një
"rilindës" në kuptimin e vërtetë të fjalës
në kushtet që kalonte Kosova. Në kohën kur Mulla Idriz
Gjilani ushtronte detyrën e bashvaizit, numri i nxënësve
të ""Atik medresesë" të Gjilanit arriti në 734, nga
të cilët 326 ishin femra. Po ashtu i organizoi shkollat lëvizëse
me mësues shetitës. Vetëm në zonën e Gjilanit
u hapën 39 shkolla të tilla fetare, që zgjuan te brezi i
ri ndjenjat fetare dhe ndërgjegjën kombëtare.
Nga
prilli 1941 Mulla Idriz Gjilani iu kushtua plotësisht veprimtarisë
politike. Si hoxhë me forcën e Zotit, si mësues me forcën
e fjalës, si luftëtar me forcën e armës, si komandant
me besnikërinë e ushtarit, ai luftoi për unitetin territorial
të trevave shqiptare, luftoi kundër genocidit serb e bullgar,
kundër komunizmit.
Në
qërshor të 1944 -ës drejtoi betejën e Kikës, ku
shqiptarët e udhëhequr prej tij dolën fitimtarë kundër
ushtrisë sllavo-komuniste. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është
heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949 dhe kallja
e tij në zjarr më datën e 25-26 nëndorit 1949 për
të mbetur shembull te pasardhësit si dhe luftëtar, qëndruar
dhe vdekur si shqiptar.