PËRSONALITETE TË KULTURËS ISLAME 
QË KANË JETUAR E KONTRIBUAR NË FUND TË SHEK.XIX - GJYSMA E PARË E SHEK. XX. 
 
Kadri Gjata
Dëshmori i çështjes kombëtare
 
Kadri Gjata është një nga figurat e shquara të Rilindjes sonë kombatare. Arsimin fillor dhe atë plotor (Ruzhdijen) i bëri në Libohovë, vendlindja e tij. Arsimimin e mesëm fetar e bëri në Janinë, ku mbaroi medresenë e atyshme. Aty dhe u vendos. 
Më 1908, kur u shpall Hyrijeti, Kadri Gjata ishte burrë i pjekur, 43 vjeçar. Ai mbulonte postin e myftiut të Janinës dhe gëzonte një autoriet të ndjeshëm në tërë popullatën shqiptare të Janinës. Në klimën e formuar pas ardhjes në fuqi të turqve të rinj në Janinë, u krijua klubi patriotik dhe filloi botimin gazeta "Zgjimi i Shqipërisë".  
Për organizimin e klubit si dhe për nxjerrjen e gazetës në këtë nyjë të rëndësishme, shkoi atje patrioti Bajo Topulli, kryetar i Komitetit Revolucionar të Manastirit dhe organizues i çetave patriotike në Jug. Në mbledhjen që u organizua për krijimin e klubit, në praninë e 300 përfaqësuesve, Kadri Gjata u zgjodh anëtar i kryesisë dhe, pas njëzet muajsh veprimtarie, ai u zgjodh kryetar i atij klubi. Në këtë periudhë u lidh ngushtë me Nuçi Naçin, i cili qe drejtor i gazetës "Zgjimi i Shqipërisë", që nxirrte ky klub. Klubi, nën drejtimin e Kadri Gjatës, mori emrin "Bashkimi" dhe kishte një program shumë ambicioz. Ai synonte në sigurimin e të drejtave kombëtare, shtrirjen e arsimit shqip, botimin e librave dhe të materialeve të tjera etj.  
Pranë klubit ngriti një shkollë shqipe dhe organizoi qarkun letrar "Toskëria"(1910). E rëndësishme është veprimtaria e këtij klubi në zonat e Çamërisë. Të gjitha këto veprimtari e bënë shumë popullor emrin e Kadri Gjatës, por, nga ana tjetër, shtuan edhe urrejtjen e xhonturqve dhe të shovinistëve grekë. Këta të fundit, më 12 korrik 1912, organizuan vrasjen e tij nga një çetë e përbërë prej 22 vetash, që kryesohej nga kapedanët: Jani Puteci, Gogua dhe Farmaku. Shtypi shqiptar dhe tërë trevat shqiptare e qanë "Dëshmorin e Kombit", "Patriotin e pavdekshëm", "Shpirtin dhe zemrën e shqiptarizmës në Janinë", "Djalin e Shqipërisë", myftiun e nderuar të Janinës.