|
PËRSONALITETE TË KULTURËS ISLAME
QË KANË JETUAR E KONTRIBUAR
NË FUND TË SHEK.XIX - GJYSMA E PARË E SHEK. XX.
Said Najdeni
HOXHË VOKA I DIBRËS
Seid Najdeni është një nga veprimtarët e shquar
të lëvizjes kombëtare shqiptare, që zhvilloi veprimtarinë
e tij në kuadrin e Rilindjes, në drejtim të mësimit
të gjuhës së shkruar shqipe në zonën e Dibrës.
Seid Najdeni lindi në Dibër më 1864, ku mori edhe arsimin
fillor e atë plotor. Arsimin e lartë e bëri në medresenë
"Hajdar" të Fatihut në Stamboll. Këtë shkollë
e mbaroi në vitin 1888 dhe u kthye në atdhe i frymëzuar
për idealin kombëtar nga kontaktet që kishte pasur me përfaqësues
të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare në Stamboll.
Mbresa te veçanta i la takimi me Naim Frashërin. Mori me vete
një sasi të konsiderueshme abetaresh, të cilat fillimisht
i shërbyen për hapjen e shkollës në Dibër, më
1888.
Kjo
shkollë punoi vetëm një vit, sepse atë e mbyllën
autoritetet pushtuese. Gjatë jetës së saj, sadoqë të
shkurtër, kjo shkollë pati një jehonë të madhe
në popull dhe ndikoi ne zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.
Në vitin 1893 S.Najdeni e hapi përsëri shkollën, në
krye të së cilës ai vendosi Hoxhë Muglicën, që
kishte mbaruar medresenë e Elbasanit. Për mbajtjen në këmbë
të kësaj shkolle paraqiteshin pengesa dhe vështirësi
të mëdha, por ato nuk e zbrapsën S. Najdenin. Një vit
më pas edhe kjo shkollë u mbyll, por tani nevoja e shkollës
shqipe kishte pushtuar tërë dibranët.
S.
Najdeni, duke e ndier nevojën e kontakteve drejtpërdrejta me
krerë të lëvizjes shqiptare, u nis, në vitin 1895,
në Stamboll, por atje u arrestua dhe u burgos në burgun e Edrenesë,
ku ndodheshin dhe patriotë të tjerë të shquar, si Haxhi
Zeka, Hamdi Ohri, Ibrahim Mitrovica e të tjerë. Pas lirimit nga
burgu përshkoi vilajetet shqiptare të Shkodrës, Manastirit,
Kosovës dhe të Janinës, si edhe ngulimet shqiptare në
Itali, Bullgari e Rumani.
Gjatë
qëndrimit të tij në Shkup, ai u burgos përsëri,
por me ndërhyrjen e miqve të tij u lirua. Më 1900 hapi për
të tretën herë shkollën shqipe në Dibër.
Kjo shkollë pati një rëndësi të veçantë
për zonën e Dibrës.
S.Najdeni
mori pjesë në shumë tubime, për çështjen
kombëtare e sovranitetin e vendit siç qe Lidhja e Pejës
ku ai tha fjalën e tij.
Veprat
kryesore që S. Najdeni botoi me alfabetin latin janë dy. E para
është "Fe rrëfenjësja e myslimanëve", botuar në
Sofie më 1900, dhe e dyta "Abetare e gjuhës shqipe ndë të
folë gegënisht", botuar po në Sofie më 1900, por pa
emër të autorit, pra anonime. E para është një
vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që
janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët
myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft
të dhëna patriotike dhe filozofike. Problemin e diturisë
dhe të prapambetjes Najdeni e trajton gjerë. Ai pranon dy dituri:
atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur
në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Dituria
për të është një armë e fuqishme, që
mëkon ndërgjegjen kombëtare, që e njeh njeriun me shumë
të dhëna, i jep atij pavarësi dhe e bën të barabartë
me të tjerët.
Në
këtë botim ai përfshin edhe thirrje për të përvetësuar
shkrim leximin shqip, për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë
kombëtare. Duke e shkruar këtë vepër me alfabetin e
Stambollit, ai prononcohet krahas atyre që mbronin alfabetin latin.
Parulla e tij qe: "Që shqiptarët të shpëtojnë
nga rreziku, ka vetëm një rrugë: me u zgjue kombi, me mësue
gjuhën e tij, me i dalë zot vetes".
|
|