|
PËRSONALITETE TË KULTURËS ISLAME
QË KANË JETUAR E KONTRIBUAR
NË FUND TË SHEK.XIX - GJYSMA E PARË E SHEK. XX.
Tahir Efendi Lluka
Pishtarë i shkollimit Shqip në
Kosovë
Tahir
Efendi Lluka me veprimtarinë e tij u përket dy shekujve. Ai ka
një veprimtari të gjerë dhe origjinale, që lidhet me
botimet e tij me karakter fetar e pedagogjik në gjuhën amtare
shqipe, si dhe me punën e tij mësimore - mektebin, e ngritur
nga ai vetë në prag të shekullit tonë, 1900/ 1318H,
në Llukë. Me këto ai u fut në radhët e pishtarëve
të shkollimit shqip në Kosovë, sepse Tahir Efendi Lluka
nisej nga parimi që shkrim-leximi në gjuhën amtare shmang
prapambetjen dhe e ngre kombin shqiptar në radhën e kombeve të
tjerë të qytetëruar.
Tahir
Efendi Lluka arsimin fillor e bëri në Shkup, kurse të mesmin
e më tej i vazhdoi në Stamboll, ku u shqua për rrezultate
të shkëlqyera. Për rrjedhim, ai u emërua myderis në
shkollën e lartë fetare islame të Fatihut në Stamboll,
ku shërbeu gati dhjetë vjet. Biografët e tij dëshmojnë
se Tahir Efendi Lluka bashkëpunoi me Hasan Tahsinin dhe me veprimtarë
të tjerë të lëvizjes kombëtare në Stamboll,
si Jani Vreto etj. Pas vdekjes së Hasan Tahsinit (1881), Tahir Efendi
Lluka u kthye në vendlindje, në fshatin Llukë e Epërme,
ku ngriti një mejtep, që për gjuhë mësimi kishte
gjuhën shqipe. Shkrimi i gjuhës shqipe në këtë
mejtep bëhej mbi bazën e grafisë arabe.
Duke
pasur parasysh edhe botimet e tij në gjuhën shqipe, siç
qenë "Broshurë për moralin" ("Risale-i ahlak"),"Mevludi"dorëshkrimi"Urata
e besimtarëve" etj., si edhe ndërtimin e mejtepit, mund të
themi se ai luajti një rol të madh për të mbajtur gjallë
gjuhën e shkruar shqipe. Ai shkruan se shkolla është një
vend tubimi, një vend bashkimi. Në përbërjen e shkollës
së tij kishte djem dhe vajza, të cilët lexonin në gjuhën
shqipe.
Ai
thekson vlerën e gjuhës amtare, sidomos shkrim-leximin në
këtë gjuhë, e cila do ta shkëpusë nga prapambetja
kombin tonë dhe do ta radhisë krahas kombeve të tjera të
qytetëruara. "Gjithsa kavm me g(j)uh t’vet jon tuj knue hem tuj shkrue
për dynja dit për dit kta tuej fitue e tuj madhnue veç
kavmi yn pa fitue tuj voglue".
Tahir
Efendi Lluka u njoh edhe me emrin "Tahiri i vogël", meqë me emrin
"Tahiri i madh" njihej Tahir Efendi Gjakova-Boshnjaku, kishte bërë
përpjekje që më parë që të përshtaste
për gjuhën shqipe një alfabet arab dhe ia kishte arritur.
Me punën që bëri, ai ishte i bindur se me alfabetin e saj
gjuha shqipe do të mësohej shumë lehtë ("Fort shumë
fajde ka me konë për Shqypnin", "Un i bona masus kto për
Shqypnin", "Gjithkush t’jen ka nxon ma kollaj"). Këtij alfabeti i
janë përmbajtur edhe shumë autorë të tjerë,
në këtë mënyrë të veçantë në
trevat e Kosovës. Veprimtaria e Tahir Efendi Llukës nuk u pa
me sy të mirë nga organet e shtetit të kohës. Kur ai
shkoi në Stamboll, mjediset qeveritare dhe ato fanatike e akuzuan
për ndërmarrjen e tij.
Veprimtaria
e tij botimore dhe ajo në fushën e praktikës pedagogjike
kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, si të
Dr. Muamed Pirakut, Mr. Abdullah Hamitit etj. Vdiq në prag të
Kongresit të Manastirit.
|
|